Brukseli miratoi Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë të Bullgarisë, njoftoi kryeministri Kiril Pertkov, duke e përshkruar atë si “një plan shumë të mirë dhe të zbatueshëm, i cili do të kontribuojë në garantimin e sigurisë energjetike të vendit”.
Plani përqendrohet veçanërisht në objektivat për të ruajtur kapacitetet e minierave të qymyrit në Maricë dhe në investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, energjinë gjeotermale etj. Priten gjithashtu më shumë financime për inovacione në biznes, dhe mbi të gjitha në kompanitë start-up.
Kryeministri bullgar vuri në dukje se sundimi i ligjit është “trajtuar me përparësi”, duke ndjekur një mekanizëm “që do të forcojë kontrollin e prokurorit të përgjithshëm, i cili do të sigurojë që të mos ketë konflikte interesi”. Do të bëhen gjithashtu përparime në transportin hekurudhor “me 62 trena të rinj dhe hekurudha të reja urbane”..
Cili do të jetë efekti i vërtetë i Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë në ekonominë bullgare dhe a do të shërbejë ai si një stimul për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, pyeti Radio Bullgaria, ekonomistin Stoyan Panchev:
“Nëse i hedhim një vështrim ekonomisë në tërësi, nuk besoj se plani do të ketë ndonjë efekt të veçantë ekonomik. Historia ekonomike tregon se financimet europiane të këtij lloji, nuk mund të jenë forca lëvizëse në zhvillimin e asnjë ekonomie dhe nuk shkaktojnë një valë interesi investitor. Kjo është veçanërisht e vërtetë në kontekstin aktual.
Ne i njohim problemet e inflacionit në Bullgari dhe në të gjithë botën perëndimore dhe veçanërisht në vendet e Eurozonës, që janë partneri ynë kryesor tregtar”, thotë ekonomisti.
“Po shohim shenjat e para të një recesioni të mundshëm, i cili po kthehet në një problem madhor për ekonominë. Për të ndaluar inflacionin, bankat qendrore duhej të shkaktonin një lloj recesioni. Në këtë kontekst, shuma në fjalë prej 13 miliardë lev, e shpërndarë në një periudhë disavjeçare, nuk do të ketë ndonjë efekt të veçantë”.
Për sa u përket reformave të nevojshme për shpenzimin e fondeve nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, Stoyan Panchev është skeptik se qeveria do të jetë në gjendje t’i realizojë ato në tërësi.
“Fatkeqësisht, qeveria aktuale po tregon se nuk di të përballet veçanërisht mirë me disa nga prioritetet e saj. Nuk është arritur ende një përparim i rëndësishëm në drejtësi.
Ende nuk janë emëruar drejtues të rinj të organeve kryesore shtetërore dhe rregullatore, ka pasur vonesa në formimin e ministrive të dixhitalizimit dhe të inovacionit. Pamundësia për të gjetur njerëz të aftë dhe për t’i emëruar ata në këto poste, si dhe përditësimi i buxhetit, janë të gjitha pengesa që po bllokojnë rrugët për reforma”.
Shkalla e lartë e inflacionit në Eurozonë dhe pasiguria në kontinent si rezultat i luftës në Ukrainë, duhet të jenë një sinjal paralajmërues për qeverinë në lidhje me prioritetin e saj për miratimin e monedhës së përbashkët europiane nga Bullgaria, thotë ekonomisti.
“Sipas vlerësimeve të mia të përafërta, në këtë kohë, Bullgaria nuk i plotëson kriteret e inflacionit. Nuk ka ende një analizë nga Banka Kombëtare Bullgare, për përfitimet dhe të metat e anëtarësimit të vendit në Eurozonë. Fatkeqësisht, pyetje të tilla po politizohen, në vend që të parashtrohen në diskutime serioze nga ekspertët.
Ne nuk mund të vazhdojmë të sigurojmë veten se po i bashkohemi “klubit të të pasurve”, pa parë se cilat do të jenë pasojat reale të kalimit nga monedha Lev në Euro.