A do të punojmë me 5G nga shtëpia?

18/09/2019 5:12 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Puna nga shtëpia u pëlqen të gjithëve, ose thuajse të gjithëve. U pëlqen atyre që shkojnë në punë me makinë dhe shmangin orë të tëra në trafik; u pëlqen dembelëve të cilët në këtë mënyrë, as nuk do t’i zhveshin pizhamet. U pëlqen, ose duhet t’u pëlqejë, edhe kompanive, që do të shmangin sipërfaqet e zyrave, kanë punonjës më të lumtur, dhe siç thonë shumë studime, më produktivë.

Një numër i madh punësh tashmë kanë nevojë vetëm për një kompjuter dhe lidhje me internet, dhe mund të bëhen, për shembull, nga divani i shtëpisë. Megjithatë, një pjesë e madhe punonjësish duhet të shkojnë gjithsesi në punë dhe kanë nevojë për disa mjete për të manovruar. Programues, graphic designer, editor video, punonjësit që merren me marketing apo me menaxhimin e databazave – këto janë disa nga shembujt e punëve, për të cilët e ardhmja ka filluar. Po fati i të tjerëve? Rrini të qetë, po vjen 5G.

Një artikull i Quartz shkruan se për çdo hap në teknologji ka pasur një zhvillim cilësor – kalimi nga 2G te 3G bëri të mundur lundrimin në internet në celular; falë 4G mund të shihni video me cilësi të lartë në smartphone. 5G duhet të na çojë drejt një dimensioni tjetër. Jo i vetëm sigurisht, por falë asaj që quhet XR – teknologjia që ndërthur realitetin e shtuar, realitetin virtual dhe realitetin e zgjeruar. Nëpërmjet këtyre teknologjive, çdokush prej nesh mund të ketë “një binjak virtual” që është i pranishëm dhe vepron në anën tjetër të botës.

Drejtuesi mund të bëjë një kontroll në fabrikë për të parë se çfarë ndodh, duke perceptuar tingujt, madje edhe aromat. Një drejtues mund të ulet në tryezën e një mbledhje në Nju Jork dhe menjëherë më pas, të bëjë një mbledhje në Shangai. Kirurgu mund të operojë një pacient në një largësi mijëra milje. E gjithë kjo ka nevojë për qartësi dhe bashkëkohësi – për një lidhje e cila të mos rrezikohet prej shkëputjes apo ngadalësimeve të papritura, dhe të mos vonohet as për një milisekondë. Në këtë pikë hyn në lojë 5G.

Quartz është përpjekur të imagjinojë këtë botë tjetër, duke renditur disa pasoja, të cilat nuk janë të gjitha pozitive. Sigurisht, së bashku me nocionin e “vendit të punës” do të ndryshojë edhe ai i banesave – nëse marrim në konsideratë që pjesa më e madhe e njerëzve zgjedhin një shtëpi për të jetuar, jo në bazë të pëlqimeve, por të nevojave të punës, mbase do të kishim edhe metropole më pak të populluar.

Një tjetër gjë që mund të ndodhë është që specialistët, madje edhe drejtuesit, mund të punojnë për më shumë se një kompani, duke qenë se nuk do të kenë nevojë të jenë fizikisht në punë. Sigurisht duhet të vendosen disa kushte – së pari, këtë duhet ta kërkojnë vetë kompanitë. Gjithsesi mendohet se mund të bëhen free lance edhe një sërë profesionesh që historikisht nuk kanë qenë të tilla.

Puna në një mjedis virtual mund të bëhet edhe më ndryshe nga “sikur të isha aty”, pasi njerëzit do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë gjithë informacionet dhe potencialet që shfaqen dhe menaxhohen për shembull brenda syzeve VR. Mund të jetë “më mirë se të jesh aty”.
Por ka edhe disa pasoja negative, ose disa probleme që duhen zgjidhur.

Quartz thotë se për kompanitë do të jetë më e vështirë të krijojnë dhe të ruajnë një kulturë pune, duke qenë se çdo punonjës do të jetë për qejf të vet. Të punosh nga shtëpia, do të thotë t’i kushtosh punës më shumë orë, të mos kesh një shkëputje të vërtetë punë – jo punë; të përjetosh ankthin dhe stresin që rritet pasi ju nuk mund t’ia dilni të bëni gjithçka nëse punoni për më shumë se një kompani.

Një tjetër pasojë lidhet me rritjen, që mendohej e pamundur, e hendekut të digital divide*. Kush mbetet jashtë nga kjo e ardhme e ndritshme? Sigurisht, njerëzit e shtresave të varfra, punonjësit, puna e të cilëve duhet bërë manualisht, njerëzit e moshuar. Analfabetët dixhitalë, nga vendet e zhvilluara dhe të botës së tretë, të cilët janë të tillë, jo për shkak të zgjedhjes së tyre por për shkak të hendekut të kushteve sociale dhe ekonomike, mund të mos bëhen dot pjesë e këtij zhvillimi.

Por edhe ata, puna e të cilëve, është manuale – nuk po flasim për kirurgët, por për mekanikun, kuzhinierin, për të cilët nuk do të instalohen projektuesit me hologramë dhe krahët mekanikë që manovrohen në distancë.

*Digital divide – hendeku midis atyre që kanë akses në kompjuterë dhe internet dhe atyre që nuk e kanë

Burimi: Esquire

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of