A do të ulen tarifat e celularëve për konsumatorët?!

09/05/2014 10:14 AM 0 komente

AKEP ul tarifat e interkoneksionit të celularëve për shumicën. Për të parë nëse nga kjo lëvizje do të përfitojnë klientët fundorë, duhet pritur se si do të reagojë secili operator, pasi praktika ka treguar se këto ndërhyrje nuk shoqërohen me uljen e pritshme në tregun e pakicës….

Në një vendim të fundit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka reduktuar tarifat e interkoneksionit në përgjithësi për operatorët në tregun e shumicës.

AKEP ka miratuar vlerat maksimale të tarifave të terminimit celular në Shqipëri për vitin 2014 e në vijim, të cilat parashikojnë barazim gradual të tarifave deri në vitin 2016 në 1.48 lekë për minutë pa TVSH.

Ndërsa nga 1 prilli 2014, tarifat nga Vodafone drejt AMC do të ulen nga 4.57 lekë për minutë në 2.66 lekë për minutë; drejt Eagle Mobile nga 4.57 lekë për minutë në 4 lekë për minutë; drejt Plus Communication nga 8.85 lekë/min në 6.52 lekë/min.

Por, ulja e tarifave të terminimit, nuk do të thotë se për konsumatorët kjo do të sjellë detyrimisht ulje të çmimit, pasi disa operatorë (Vodofone e AMC) kanë një politikë çmimesh me pakicë shumë të pavarur nga këto tarifa të vendosura nga AKEP, siç është vërtetuar dhe në raste të mëparshme, kur AKEP ka ndërhyrë në tregun shumicës.

Nuk dihet konkretisht se ku është bazuar AKEP në formulimin e tarifave që janë në secilën prej qelizave të tabelës së miratuar, (për shkak të kohës së shkurtër, ishte e vështirë të merrje një koment nga AKEP, megjithatë “Monitor” pret një reagim nga ky institucion në numrin e ardhshëm) apo të afateve që ka përcaktuar në të, por nga një vështrim i parë duket sikur operatorët e mëdhenj janë më të favorizuarit në këtë strukturim të çmimeve për vitet në vijim, pasi ndonëse kanë një madhësi tregu më të lartë se ajo optimale në një treg me 4 operatorë (30%) kanë ruajtur një tarifë terminimi që është më e lartë se ajo e gjykuar si “niveli tarifor në një treg të stabilizuar në afatgjatë”. Ndërsa midis dy operatorëve të vegjël, Eagle duket më i favorizuar pasi ka një ulje më graduale të tarifave në harkun kohor të parashikuar në rishikimin e tarifave të terminimit, në krahasim me Plus, të cilit i duhet të reduktojë tarifat pothuajse dy herë më shpejt gjatë kësaj periudhe.

Kjo ulje sigurisht do të sjellë në treg oferta më atraktive sidomos nga operatorët e vegjël, që kanë qenë prej disa vitesh promotorët e çmimeve më atraktive për konsumatorin.

Kjo lëvizje bëhet në kushtet e një tregu që ka arritur nivele çmimesh nga më të ulëtat në rajon e në krahasim edhe me Bashkimin Europian.

Kjo ndodh gjithashtu në kushtet kur operatorëve do t’u kërkohet që të investojnë për të rritur mundësinë e aksesit të rrjeteve të shpejta 4G për të ngritur Shqipërinë nga vendi i ulët ku ndodhet për sa i përket aksesit te këto lloj rrjetesh në raport me BE-në, apo me vendet e rajonit.

Monitor pret reagime nga operatorët numrin e ardhshëm.

 

Vendimi, jo në linjë me rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës

Vendimi i AKEP vjen pasi në fund të janarit 2014, Autoriteti i Konkurrencës vendosi mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania sh.a., si dhe dhënien e disa rekomandimeve drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ku i kërkohet të marrë masa konkrete për rregullimin e tregut, në mënyrë që të rritet konkurrenca.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës, që erdhi pas më se një viti hetimi në treg, përmbante absurdin, provoi abuzimin me pozitën dominuese të Vodafone (që zotëron mbi 50% të tregut të të ardhurave), ku diferencimi i tarifave brenda dhe jashtë rrjetit dëmtonte operatorët e tjerë më të vegjël. Por, Komisioni i Konkurrencës e mbylli pa gjobë hetimin, duke ia lënë “zgjidhjen” Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për të cilin jepte disa rekomandime “për të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare; për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut; për të parandaluar daljet nga tregu që do të kishin pasoja afatgjata mbi konkurrencën; për të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare; për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut; për të parandaluar daljet nga tregu që do të kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën”.

Pavarësisht kësaj, AKEP nuk duket të ketë pasur parasysh kërkesat e Autoritetit të Konkurrencës për rishikimin e këtyre tarifave dhe nuk e ka aplikuar në këtë vendim, pothuajse fare rekomandimin e AK (madje në kontradiktë me gjetjet e AK, ulja për Plus është më e madhja në vlerë absolute, ndonëse nga AK tregohej në mënyrë shumë të saktë se çfarë do të duhet të synohej nga kjo ulje).

Autoriteti i Konkurrencës pritet të japë një opinion për këtë çështje për revistën “Monitor” në numrin e ardhshëm.

Kjo situatë sjell në vëmendje të operatorëve tregtarë por edhe të politikëbërjes se ç’ndodh kur dy institucione të pavarura veprojnë në kundërshtim me gjetjet e njëri-tjetrit dhe cilat janë mënyrat e zgjidhjes së këtij konflikti.

 

Gjetjet e Autoritetit të Konkurrencës

Raporti investigativ i Autoritetit ka hedhur dritë me prova të qarta mbi diferencimin e tarifave brenda me jashtë rrjetit, për të cilin në shumë vende europiane dhe më gjerë, kompanitë abuzuese me pozitën dominuese janë gjobitur me gjoba dhjetëra e qindra miliona euro. Ja si shprehet vendimi i Komisionit… “Ky diferencim në tarifim që kryen ndërmarrja Vodafone, nuk justifikohet me kostot që përballon operatori për kryerjen e këtyre thirrjeve, pasi shërbimet e origjinimit dhe terminimit janë operacione të brendshme, që janë të njëjta si për kategorinë e klientëve Vodafone Club ashtu edhe Vodafone Card”.

Komisioni i Konkurrencës në kapitullin V të vendimit kur analizon sjelljen, arrin në konkluzionin e pakundërshtueshëm se “tarifa nga Club drejt Vodafone është 2.25 herë më e lartë se ajo e aplikuar në telefonatat brenda Club. Vodafone i ka mbyllur klientët në rrjetin e vet, duke zbatuar diferenca të mëdha në tarifat brenda me ato jashtë rrjetit”.

Strategjia e Vodafone për të penguar konkurrencën është provuar edhe në një tjetër konkluzion të vendimit 303, ku shkruhet qartë: “Një tjetër konkluzion i hetimit është se diferencimi i çmimeve të pakicës on-net të Vodafone drejt operatorëve të tjerë nuk ka lidhje me çmimet e shumicës që Vodafone duhet t’u paguajë operatorëve për terminimin e thirrjeve, bazuar në rregulloren e AKEP-it. Në këto kushte mund të konsiderohet se këto diferenca në çmim janë të pajustifikueshme dhe të orientuara për të nxitur klientët që të zgjedhin dhe të qëndrojnë brenda në rrjetin e Vodafone Club”.

Pra qartësisht konkluzioni përfundimtar i Komisionit të Konkurrencës në pikën 108 të vendimit shprehet nëpërmjet tre konstatimeve të pakundërshtueshme që duhet të kishin çuar në një vendim me gjobë për Vodafone është:

– “Si konkluzion, në përfundim të analizës dhe evidencave ndërmarrja Vodafone Albania sh.a. gjatë periudhës objekt hetimi kishte pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë sipas kritereve të përcaktuara në nenin 8 të ligjit”.

• “Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes objekt hetimi rezulton se strategjia e ndjekur nga ky operator shkakton shqetësime për konkurrencën në tregun përkatës, si dhe efekte negative për konkurrencën në periudha afatgjata ndaj konkurrentëve më të vegjël, nëpërmjet aplikimit të strategjisë diferencuese të çmimit të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit (on-net vs off-net)”.

• “Diferencimi i çmimeve brenda me jashtë rrjetit mund të përdoret si një mekanizëm i mbylljes së tregut nga operatorët e mëdhenj për operatorët e vegjël, të cilët mund të rrezikojnë daljen nga tregu përkatës, dhe ky fakt përbën një shqetësim për mirëfunksionimin e tregut në një periudhë afatgjatë”.

Por, me gjithë këto konstatime për sjellje abuziviste me pozicionin dominant në treg, janë cilësuar pa ekuivok në vendim, në një mënyrë të çuditshme dhe të pashpjeguar Komisioni i Konkurrencës, në paragrafin e parafundit, vendos ta mbyllë pa masë administrative (gjobë) hetimin siç parashikon ligji i konkurrencës, pa dhënë shpjegime të qarta për këtë “mbajtje me hatër” të shoqërisë që po shkatërron konkurrencën dhe lirinë e tregut.

“Përkëdhelja” ndaj Vodafone përfundon me disa masa rregullatore për AKEP, i cili të duhet të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do të kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën.

 

“Konflikti” institucional, në dëm të konkurrencës

Avantazhi që i jep AKEP në rolin e rregullatorit OFNT (Vodafone Albania) duke ia ulur tarifat e terminimit drejt rrjetit të tij në masë absolute më pak se operatorëve të vegjël është në drejtim të kundërt me zhvillimin e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg për shkak të efektit “tribu” (njohur ndryshe club) që vjen si pasojë e numrit të madh të abonentëve që ka operatori dominues Vodafone dhe kompania e dytë në treg (AMC). Ky numër i madh abonentësh u jep operatorëve dominantë mundësinë e arkëtimit të të ardhurave nga operatorët më të vegjël, për shkak se abonentët e këtyre të fundit i shpenzojnë të gjitha dhe relativisht në afat të shkurtër minutat kombëtare (jashtë rrjetit) ndërkohë që abonentët e kompanive të mëdha për shkak se shumicën e bisedave i kanë brenda rrjetit (on net) kanë probabilitet shumë të ulët t’i shpenzojnë minutat jashtë rrjetit (që njihen si minuta kombëtare në fushata publicitare).

Vendimi i AKEP vjen si pasojë e presionit të kompanisë lider në treg Vodafone për ta spostuar masën e menjëhershme që kishte kërkuar Autoriteti i Konkurrencës për barazimin e tarifave brenda dhe jashtë tregut dhe në këtë pikë, Rregullatori ka dështuar për ta rivendosur tregun në kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive, ku operatorët e licencuar nga vetë AKEP duhet të jenë mjaftueshëm eficent për të përballuar presionin konkurrues. Por politikat e vazhdueshme rregullatore që kanë mbyllur hapësirat konkurruese për operatorët e rinj i kanë krijuar avantazhe të forta dhe të pamerituara dominantit Vodafone që për pasojë po rrit pjesët e tregut vit pas viti dhe sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës, ka kaluar 59% të tregut për vitin 2012. Diferencimi i tarifave on-net dhe of-net në të gjitha vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim është pranuar se sjell efekte antikonkurruese që janë riparuar ose me gjoba nga autoritetet e konkurrencës ose me rregullim tregu nga ana e Rregullatorit ose të dyja bashkë.

Vetëm Shqipëria bën përjashtim ku Antitrusti ia kalon fajin Rregullatorit, i cili duhet të marrë masa të menjëhershme për barazimin e tarifave on-net me of-net për dominantin e tregut, ndërkohë që Rregullatori bën sikur s’kupton dhe ndryshe nga deklarimet publike të kreut të AKEP-it në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se do të rregullojë tregun sipas rekomandimeve të Konkurrencës bën të kundërtën, duke favorizuar Vodafone dhe AMC dhe duke shtypur konkurrentët e vegjël.

Në këto kushte, kur dy autoritete publike nuk arrijnë të koordinojnë veprimin për të siguruar konkurrencë të lirë, efektive dhe të ndershme në treg, ku në vend të favorizimit duhet të funksiononte merita, problemi duhet të zgjidhet nga një organ epror si Kuvendi, i cili i ka instrumentet ligjore për të adresuar çështje të rëndësishme për ekonominë dhe biznesin, ku vetëm Plus ka investuar më shumë se 100 milionë euro si investim i drejtpërdrejtë. Kuvendi nëpërmjet komisioneve të përhershme (të Ekonomisë dhe/ose Veprimtarive Prodhuese) nga varen dhe ku raportojnë dy institucionet, mund dhe duhet të adresojë për zgjidhje përfundimtare problemet e tregut të telefonisë celulare. Mjafton që rekomandimet e konkurrencës të kthehen në të detyrueshme për AKEP në masa konkrete dhe periudha kohore të përcaktuara qartë dhe tregut do t’i kthehet parimi kushtetues (neni 12) i lirisë se tregut, ekonomisë nuk do t’i ikin qindra milionë lekë investime dhe dhjetëra mijë vende pune dhe biznesit nuk do t’i humbin qindra milionë euro investime direkte në infrastrukture, teknologji dhe hapje të vendeve të punës.

Meqenëse të dy institucionet kanë për të raportuar në ditët në vijim, Kuvendi mund ta zgjidhë çështjen e mosrakordimit institucional për të shmangur kostot e mëtejshme dhe të pakthyeshme në ekonomi, klimën e biznesit, taksa-tatime dhe vendet e punës. Një tjetër instrument ligjor janë dhe komisionet e përkohshme parlamentare, të cilat ngrihen dhe funksionojnë për një çështje të caktuar dhe për periudhën aktuale ku sektori komunikimeve elektronike jep rreth 5.5% të PBB, problematika e konkurrencës në tregun celular ka rëndësi jetike për sektorin dhe ekonominë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of