A duhet të ndërtohet TEC-i në Korçë

09/04/2019 4:39 PM 0 komente

Sasia e CO2 të emetuar prej 174.127 kg/orë dhe kjo përbën, ndoshta, edhe kundërshtimin kryesor që qytetarët kanë për vendin e ndërtimit të parashikuar në projekt. Nuk e dimë arsyen se pse kompania ka zgjedhur ndërtimin e TEC pikërisht 1 km larg qytetit të Korçës, përveçse dëshirës së mirë për të realizuar edhe ngrohjen e qytetit (DH) me ujë të ngrohtë.

 

Nga Ben Burda, ekspert në sektorin e energjisë

 

Në këtë shkrim, në pjesën e parë, do të synojmë të japim disa vlerësime në lidhje me projektin “Gas Power Plant Korça”, që kompania me të njëjtin emër planifikon të ndërtojë në zonën e Korçës, si dhe më pas në vazhdim përmbledhjen e një studimi për ngrohjen e qytetit me gaz natyror, duke përfituar nga afërsia e kalimit të gazsjellësit TAP.

Dua të theksoj që në fillim se shkrimi, si dhe studimi për ngrohjen me gaz, është një detyrim për qytetin ku jam rritur (si dhe tre breza para meje) dhe do të mundohem që analizat t’i bëj të thjeshta edhe për bashkëqytetarët e mi, por dhe lexues të tjerë të interesuar.

Ideja e ndërtimit të një burimi për gjenerim të energjisë elektrike me kapacitete të tilla në zonën juglindore është e mirëpritur për sistemin tonë energjetik. Edhe kompania GPP Korça, që synon të ndërtojë një TEC për prodhim energjie elektrike, duke përdorur si lëndë djegëse gazin natyror, duhet mbështetur për investimin e saj.

Kjo për faktin se duke u ndërtuar një burim i gjenerimit të energjisë elektrike me kapacitet të tillë, që si lëndë të parë do të përdorë gazin natyror, do të kufizohet ndjeshëm tendenca e ndërtimit të hidrocentraleve të tjerë në jug të vendit, duke ruajtur lumenjtë dhe natyrën e bukur të këtij rajoni dhe duke rritur premisat e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në këtë pjesë të vendit.

 

Pse vendi aktual është i papërshtatshëm

Në vazhdim të shkrimit, ajo që do të kundërshtohet fort me argumente, është vendi që kompania ka projektuar për ndërtimin e këtij TEC. Projekti i saj parashikon ndërtimin e TEC (mecogjenerim, energji elektrike dhe termike) në distancën 1,5 km nga qyteti, lidhjen me N/S e OST në Zëmblak, me një linjë 400 kV, me gjatësi 11,5 km, linjën e presionit të lartë për furnizimin me gaz nga tubacioni i TAP, me gjatësi 3 km.

Sipërfaqja e objektit parashikohet 245 mijë m² dhe sipërfaqja e tokës ku do të kalojnë dy linjat e sipërpërmendura, 664 mijë m². Projekti parashikon instalimin e një turbine me gaz (me një aks) me cikël të kombinuar CCGT. Më tej, shohim studimin e ndikimit në mjedis ESIA (link: http://www.gppkorca.com), ku me gjithë respektin për hartuesit duhet theksuar se nuk është në nivelin e punimeve të mira të tyre, p.sh., karakteristikat referuese klimatike, temperatura mesatare, lagështia, trëndafili i erës, janë të gjitha të marra para vitit 1990, ndikimet në ekologjinë dhe biodiversitetin e rajonit trajtohen shumë shkurt, etj.

Gjithsesi, në raport del e qartë sasia e CO2 të emetuar prej 174.127 kg/orë dhe kjo përbën, ndoshta, edhe kundërshtimin kryesor që qytetarët kanë për vendin e ndërtimit të parashikuar në projekt. Nuk e dimë arsyen se pse kompania ka zgjedhur ndërtimin e TEC pikërisht 1 km larg qytetit të Korçës, përveçse dëshirës së mirë për të realizuar edhe ngrohjen e qytetit (DH) me ujë të ngrohtë.

 

Alternativa tjetër

Në vazhdim po trajtojmë në mënyrë të përmbledhur një analizë tekniko-ekonomike që ne kemi bërë, duke sugjeruar edhe një alternativë, e cila është në favor të ndërtimit të një burimi për gjenerim energji elektrike në jug të vendit, edhe të ngrohjes me gaz të qytetit të Korçës.

A – TEC- me gaz natyror, vetëm gjenerim energji elektrike 300 MW, ndërtohet 1 km në veri të N/S 400 kV në Zëmblak.

Ndër avantazhet që ka ky variant në krahasim me projektin aktual mund të përmendim:

  • qyteti i Korçës ruan fizionominë e tij si qytet atraktiv për turizëm
  • zvogëlohen emetimet e CO2, CO dhe gazeve të tjera me 25%.
  • vendi ku do të ndërtohet ndodhet në një korridor ajror (grykë në vazhdim të luginës së lumit) çka bën të mundur shpërndarjen nevojshme
    të emetimeve nga rrymat e konsiderueshme të ajrit.
  • kursehet rreth 500 mijë m² tokë bujqësore produktive mbi të cilën do të kalonte linja TL
  • shkurtohet linja e transmetimit 400 kV me 11 km, me një efekt pozitiv ekonomik prej 9 milionë eurosh
  • shkurtohet linja e furnizimit me gaz me 2 km, me efekt pozitiv ekonomik 2,5 milionë euro
  • uji i nevojshëm për ftohje merret në lumin Devoll, duke eliminuar edhe shpimet e puseve që parashikon projekti aktual
  • të gjithë përfitimet ekonomiko-sociale për rajonin të përmendura në studimin e kompanisë, si impakti pozitiv për kompanitë ndërtuese nënkontraktore, punësimi gjatë fazës së ndërtimit i rreth 500 punonjësve, punësimi i rreth 120 punonjësve permanentë në fazën e shfrytëzimit, etj., çka do të jenë një vlerë e shtuar për ekonominë lokale.

Të gjithë këto janë argumente, që besoj e bëjnë shumë më të përshtatshëm ndërtimin e TEC në këtë zonë. Grupet e interesit mund të shprehen rreth këtij varianti dhe, nëse kanë interes për informacion më profesional, janë të mirëpritur për diskutim. Për kompaninë investitore, GPP Korça ky version pa dyshim që është më rentabël se aktuali.

B – Ngrohja me gaz e qytetit të Korçës

Sot, qyteti i Korçës ngrohet kryesisht me dru zjarri dhe një pjesë e vogël me energji elektrike. Duke pasur shansin që tubacioni i TAP kalon 3 km larg qytetit, çka përbën një premisë reale për ngrohjen me gaz të qytetit, do të ishte një projekt që duhet të jetë në angazhimet prioritare të pushtetit vendor për 4 vitet e ardhshme. Më poshtë, po rendisim disa nga arsyet që e bëjnë të leverdishëm këtë projekt. Do të mundohemi për t’i shprehur thjesht, të kuptueshme për të gjithë qytetarët e interesuar.

Nevojat për gaz natyror për ngrohjen e qytetit (deri në vitin 2050) mesatarisht do të jenë për 50 milionë m³ në vit. Në këtë sasi gazi përfshihen nevojat për gaz për sektorin rezidencial, sektorin e shërbimeve dhe atë industrial. Kjo sasi është pa diskutim e realizueshme për t’u furnizuar nga konsorciumi i TAP. Në projektin e këtij të fundit është parashikuar që një nga pikat e lidhjes (Connection Point CP) për rrjetin në Shqipëri do të jetë në afërsi të qytetit. Më tej, ndërtimi i rrjetit të presionit të lartë nga kjo pikë CP deri në hyrje të qytetit (PRMS) është detyrim i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Gazit OST-G (Albgaz).

Në bazë të llogaritjeve, kosto e përgjithshme për të ndërtuar rrjetin e gazit (presion i lartë, i mesëm dhe i ulët) për gjithë qytetin e Korçës shkon në rreth 22 milionë euro. Afati i kryerjes së punimeve parashikohet 4-5 vjet, duke filluar nga zonat me densitet popullimi të lartë drejt atyre më pak të populluara. Tarifa shtesë që do të faturohet për shlyerjen e investimit në rrjet është llogaritur 0.14 euro/mc gaz të furnizuar.

Me këto të dhëna, koha e vetëshlyerjes së investimit është 3,5 – 4 vjet (investimi dhe arkëtimet nga shitja e gazit do të ecin proporcionalisht, 30% e rrjetit të përfundojë në 2021 dhe më pas çdo vit nga 20% e rrjetit). Me një tregues të tillë të vetëshlyerjes së kapitalit (IRR) çdo institucion financiar do të kreditonte këtë investim dhe pushteti lokal do të ishte aksioneri i vetëm ose bashkaksioner, duke gjeneruar pas shlyerjes së gjithë investimit, të ardhura rreth 7 milionë euro /vit. Por padyshim që edhe investitorë privatë do të jenë të interesuar për këtë projekt, me një kontratë të tipit BOT me afat 15-20-vjeçar.

Sa më sipër, janë analiza që pushteti lokal mund t’i diskutojë për detaje me kompani konsulence, gjithmonë me synimin për të zgjidhur përfundimisht problemin e ngrohjes së qytetit bazuar në standardet e EU, në kushtet kur gazsjellësi kalon vetëm 3 km larg.

Më poshtë po e shohim projektin e ngrohjes me gaz natyror nga pikëpamja e leverdisë ekonomike të bashkëqytetarëve, duke mirëpritur të gjithë pyetjet dhe sqarimet nëse kërkohen prej tyre.

Një familje, në qytete me klimën e Korçës, shpenzon mesatarisht në vit 1800 mc/gaz, për ngrohje të gjithë ambienteve (120 m²), ujë të ngrohtë dhe gatim. Në stinën e dimrit mesatarisht, kjo familje shpenzohet 200 m³ gaz në muaj. Nëse çmimi për një m³ gaz natyror parashikohet të jetë 0,34 euro (Maqedonia 0,38; Rumania 0,30; Turqia 0,20) do të paguhet në dimër, për ngrohjen e një banese 120 m², ujë të ngrohtë dhe gatim, në muaj 68 euro ose 8.500 lekë (me TVSH) dhe në verë më pak se gjysma e kësaj shume (ujë i ngrohtë dhe gatim). Për të njëjtat kushte, në dimër, nëse do të përdorej energjia elektrike do të kushtonte 25.000 lekë, pra 3 herë më shtrenjtë.

Ky studim tregon se ngrohja me gaz është më ekonomike edhe se ngrohja me dru zjarri. Pa anashkaluar këtu edhe faktin e shfrytëzimit totalisht jo racional të pyjeve të zonës, si dhe emetimet që vijnë në qytet nga djegia e druve të zjarrit.

Një pjesë e mirë e bashkëqytetarëve e kanë prekur këtë realitet, pra ngrohjen e banesave me gaz natyror, nëse kanë jetuar ose qëndruar përkohësisht te të afërmit e tyre, në shumicën e vendeve të Europës por edhe në SHBA dhe Kanada. Të gjitha ambientet e banesës janë me ngrohje dhe kosto shumë e lirë. Ngrohja me gaz natyror e sektorit rezidencial në Europë përbën 42% të tij, në SHBA 60%. Pse jo edhe çdo banesë në Korçë të mos ta ketë këtë avantazh, tani që po krijohet kjo mundësi, duke kaluar gazsjellësi shumë afër.

Nëse shohim projektin në këndvështrimin social dhe të punësimit mund të nënvizojmë se gjatë kohës së implementimit të tij parashikohet të punësohen rreth 350-400 punonjës nga kompani lokale, nën supervizionin e kompanive të huaja me përvojë në këtë fushë dhe më pas, gjatë gjithë kohës së shfrytëzimit rreth 100 punonjës të përhershëm.

Është momenti të kërkojmë nga pushteti lokal ta përfshijë këtë projekt në prioritetet e 4-vjeçarit të ardhshëm dhe së bashku me aktorët e tjerë të interesit, të angazhohemi fuqishëm për t’i argumentuar qeverisë se ngrohja me gaz e qytetit të Korçës, për shkak të klimës së ftohtë që ka në dimër, të afërsisë me pikën e lidhjes (CP) të gazsjellësit TAP, si dhe shfrytëzimit racional të pyjeve përreth, duhet të jetë në krye të listës së konsumatorëve që do të furnizohen me gaz natyror mbi bazën e marrëveshjes që qeveria ka me konsorciumin. Ky investim rentabël mund të shërbejë edhe si projekt pilot për gazifikimin e vendit në të ardhmen, ashtu si Korça ka bërë edhe me rrjetin e ujësjellësit para disa vitesh.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of