Ekspertët rekomandojnë njëzëri që, me fillimin e fazës të tretë të fiskalizimit, biznesi i vogël të orientohet nga administrata tatimore se si të përdorë sistemin e ri. Kontabilisti Armand Mala thotë se administrata tatimore duhet të jetë shumë afër me biznesin gjatë gjithë periudhës tranzitore.
Sipas tij, për çdo problematikë të konstatuar të adresojë nëpërmjet udhëzimeve sa më shpejt të jetë e mundur pa kaluar stresin tek bizneset dhe nëse periudha deri më 31.12.2021 të mos mjaftojë për të konsoliduar procesin, të mendojë për shtyrje të afatit, pa aplikuar gjoba.
“Pavarësisht se procesi i fiskalizimit nisi me problematika, tashmë do të ishte e tepërt të themi të shtyhet sërish, pasi edhe shtyrja pa fund është padrejtësi ndaj bizneseve korrekte, që nxituan të jenë të parët në proces. Në këtë situatë nevojitet mbështetje pa kufij nga administrata tatimore.
Pas çdo problematike të hasur të nxjerrë udhëzimet përkatëse në kohë, pa lënë në dorë të biznesit të supozojë sesi duhet të veprojë në çdo rast (kujtojmë rastin kur nuk tregohej çfarë do të bëhej me faturat e bizneseve të pafiskalizuara, nëse do njihen apo jo si shpenzime të zbritshme nga tatimet). Administrata tatimore duhet të jetë shumë afër me biznesin gjatë gjithë periudhës tranzitore.
Për çdo problematikë të konstatuar, të adresojë nëpërmjet udhëzimeve sa më shpejt të jetë e mundur, pa kaluar stresin te bizneset. E nëse periudha deri më 31.12.2021 nuk do të mjaftojë për të konsoliduar procesin, të mendojë për shtyrje të afatit pa aplikuar gjoba”.
Fleksibilitet dhe komunikim me administratën tatimore, por edhe me AKSHI-n për problematikat e hasura në formulimin e faturave kërkohet edhe nga eksperti fiskal Ahmet Gjinishi. “SelfCare nuk të ofron shërbimin për individë.
Ligji parashikon se për transaksione mbi 30 mijë lekë, duhet t’i presësh faturë tatimore individit dhe ky shërbim nuk ofrohet nga SelfCare, pasi nga fluksi i lartë, sistemi nuk funksionon (personat fizikë kanë të drejtë të përdorin platformën pa pagesë për faturat e blerjes dhe shitjes). Një rast tjetër është p.sh., për profesionin e përkthyesit zyrtar, Ministria e Drejtësisë kërkon emërtim ndryshe të artikullit dhe jo emërtimet që ka zgjedhur SelfCare.
Në këtë rast, sipas Ministrisë së Drejtësisë kur lëshohet fatura elektronike njësia matëse duhet të shënohet faqe/përkthimi, por kjo nuk ekziston te SelfCare, pasi duhet të përdorësh vetëm njësitë matëse të certifikuara në platformë.
Faturimi është bllokuar pasi Ministria e Drejtësisë nuk e pranon me tjetër njësi matëse faturimin, ndërsa AKSHI nuk kthen përgjigje për kryerjen e ndryshimeve. Ishte e domosdoshme të zbatohej një program pilot për një zonë të caktuar me qëllim evidentimin e problematikave në terren dhe zgjidhjen e tyre”.
Ndër të tjera, kontabilisti Armand Mala thotë se disa prej procedurave të parashikuara në ligj, të cilat dukshëm është e pamundur të aplikohen nga ana praktike, të rishikohen apo nëse është e nevojshme dhe të hiqen. “Doli në pah se në këtë fazë, si ligji dhe procedurat e përmendura në ligj, ofertuesit e zgjidhjeve software-ike e normalisht dhe vetë bizneset kanë nevojë të përmirësohen.
Në këtë fazë, ofertuesit e zgjidhjeve software-ike janë në kolaps për sa i përket mbingarkesës. Prej tyre është a pamundur të marrësh asistencë. Nëse do të kesh fat e do të hapin telefonin, të vendosin në listën e pritjes dhe do t’ju telefonojnë sapo të kenë mundësinë (ndoshta pas disa ditësh).
Biznesi ka nevojë për asistencë në kohë reale dhe me fillimin e fazës së tretë, mbingarkesa dhe nevoja për asistencë do të jetë më e madhe. Secila palë duhet të mbajë shënimet e veta dhe në momentin më të parë, të bëjë korrigjimet përkatëse”, thekson z. Mala.
Me nisjen e fazës së dytë të fiskalizimit nga 1 korriku, qeveria miratoi një akt normativ, që pezullon gjobat për kundravajtjet tatimore për sistemin e fiskalzimit deri në fund të këtij viti.
Në të përcaktohet:
Në kreun XV, pas pikës 6, të nenit “Dispozita kalimtare”, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore”, të ndryshuar, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Përjashtimisht parashikimeve në këtë ligj, për kundërvajtjet administrative që lidhen me afatet e hyrjes në fuqi dhe zbatimin efektiv të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar, zbatimi i sanksioneve do të fillojë të aplikohet pas datës 1 janar 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.