Shekulli i 21 ka shënuar rritje shumë të madhe në numrin e sipërmarrësve të rinj. Në ditët e sotme, pothuajse çdokush dëshiron të ketë një startup.
Megjithatë, edhe pse interesi në këtë drejtim është i lartë, numri i individëve që kanë arritur ta kalojnë këtë fazë dhe të shkojnë përtej faktit të të pasurit vetëm thjesht interes, ka qenë i pakët. Dhe madje edhe në grupin e atyre që e kaluan këtë fazë, pak ia dolën të ishin të suksesshëm. A ia keni bërë vetes ndonjëherë pyetjen se përse ka ndodhur një gjë e tillë?
E vërteta është se sipërmarrja nuk është për këdo. Jo kushdo mund të ketë shpirtin dhe aftësitë e një sipërmarrësi. Dhe, a e gjeni dot pse? Sepse vetëm sipërmarrësit e suksesshëm janë të aftë t’u shesin akull eskimezëve nëse ju i krijoni atyre mjedisin e duhur. Dhe për shkak të këtyre aftësive, për ta është shumë e lehtë që t’i mbijetojnë çdo mjedisi konkurrues kudo në botë.
Ja se cilat janë disa nga cilësitë që i dallojnë sipërmarrësit e vërtetë nga të tjerët:
Kanë vetëbesim
A jeni ju lloji i personit që besoni në aftësitë tuaja, pavarësisht situatave të ndryshme që mund të krijohen? Nëse përgjigjja e pyetjes është “po”, atëherë ju keni shpirtin e një sipërmarrësi. Për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm, ju duhet të keni besim të madh në aftësitë tuaja. Kjo është një nga arsyet se përse sipërmarrësve të vërtetë nuk u nevojitet mbështetja e të tjerëve, sepse ata e dinë fare mirë se çfarë janë të aftë të bëjnë.
Janë të hapur ndaj ideve të ndryshme
A i pranoni idetë e të tjerëve? Nëse doni të keni sukses dhe nuk i pranoni dhe mbështesni idetë e të tjerëve, atëherë do ta keni shumë të vështirë për të pasur sukses në këtë rrugëtim. Askush nuk mund t’ia dalë i vetëm, as në rastin e një sipërmarrësi të suksesshëm. Ju keni nevojë për feedback-un e miqve, kolegëve tuaj për të bërë zgjedhjet e duhura. Aktorja Jessica Alba, bashkëthemeluese dhe presidente e Santa Monica, dikur tha: “Unë jam e hapur ndaj ideve që nuk janë të miat, dhe kjo sepse suksesi, sipas meje, është produkt i elementëve si komunikimi, bashkëpunimi dhe disa herë edhe i vetë dështimit”. Jo vetëm ajo, por edhe disa prej sipërmarrësve më të njohur si Steve Jobs dhe Bill Gates përdorën idetë e të tjerëve për të arritur suksesin që gëzojnë sot.
Janë fleksibël
A jeni ju lloji i njeriut që mbështeteni tek të tjerët përpara se të merrni një vendim të rëndësishëm? Si një sipërmarrës, shpeshherë do ta gjeni veten në situata të cilat do t’ju kërkojnë që të merrni vendim brenda një kohe të shkurtër. Por kjo nuk do të thotë se për shkak të mungesës së kohës ju të merrni vendime impulsive, të cilat do të shoqërohen me pasoja shkatërruese. Ju duhet të tregoheni sa më fleksibël të jetë e mundur dhe nuk duhet kurrsesi të harroni se koha është para. Sa më shumë të prisni, aq më shumë para ju do të humbisni dhe as mos e mendoni fare faktin për t’u bërë të suksesshëm në vijim.
Janë inteligjentë
Pjesa më e madhe e sipërmarrësve janë inteligjentë dhe ata mund të shikojë ato gjëra që të tjerët as nuk i dallojnë fare. Nëse edhe ju e keni një aftësi të tillë, atëherë jeni në rrugën e duhur për t’u bërë një sipërmarrës i suksesshëm.
Janë ambiciozë
Sa ambiciozë e konsideroni veten? Të shumtë janë ata që mendojnë se disa prej sipërmarrësve më të suksesshëm janë njëkohësisht edhe personat më ambiciozë që mund të ekzistojnë në botë. Ata nuk janë kurrë të kënaqur me status quo e tyre. Ata gjithmonë janë në kërkim të përsosmërisë dhe gjithmonë vendosin objektiva të reja për të arritur, të cilat padyshim vështirësohen me kalimin e kohës. Ndoshta të qenët ambiciozë në të tilla nivele, është pikërisht edhe ajo që i bën ata që të përballojnë me sukses konkurrencën e ashpër të mjedisit të biznesit në të gjithë botën.
Janë të zellshëm
A e gjeni veten të lodhur pasi keni përfunduar një projekt afatgjatë shumë të rëndësishëm? Nëse po, atëherë sipërmarrja nuk është rruga e duhur për ju. Sipërmarrja është një angazhim për një kohë të gjatë dhe nëse ju doni që të keni sukses, ju duhet që të shndërroheni në një person të fiksuar pas punës, në një person që beson se puna pa ndalim jep gjithmonë rezultatet më të mira. Sa më shumë që ju t’i jepni biznesit tuaj, aq më shumë ju do të përfitoni prej tij në fund të ditës.