A është koha për legalizimin e kapitalit në Shqipëri?

29/02/2020 12:50 PM 0 komente

Programi i Deklarimit Vullnetar: tani ose kurrë!

 

Nga Elton Haxhi

Në përgjithësi, programet e deklarimit vullnetar (PDV) janë mundësi që ofrohen nga qeveritë duke lejuar tatimpaguesit që nuk janë në përputhje me legjislacionin tatimor, të korrigjojnë çështjet e tyre tatimore sipas disa kushteve të përcaktuara.

Kur hartohen me kujdes, nga këto programe përfitojnë të gjithë, përfshirë tatimpaguesit që bëjnë deklarimin vullnetar, tatimpaguesit e rregullt dhe qeveria. Kujtojmë që në Shqipëri është tentuar të zbatohet një iniciativë e tillë nëpërmjet ligjit Nr.10418, datë 21.4.2011, por nuk pati sukses. Kjo për shkak të mangësive në hartimin e programit, por edhe për faktorë të tjerë që lidhen me mungesën e seriozitetit në luftën kundër evazionit fiskal.

 

Tani situata ka ndryshuar

Në vitin 2009, drejtuesit e G20 deklaruan fundin e epokës së fshehtësisë bankare. Një tjetër arritje kryesore në transparencën e taksave u arrit në 2014 me miratimin e Standardit të OECD-së për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare (“AEOI”) për çështjet tatimore.

Shqipëria është pjesë e Forumit Global mbi Transparencën dhe Shkëmbimin e Informacionit për Qëllime Tatimore (Global Forum on Transparency and Exchange of Information for Tax Purposes) që prej vitit 2012, dhe miratoi në janar 2020 ligjin për të filluar shkëmbimin automatik të informacionit në shtator të këtij viti. Informacioni që do shkëmbehet do të përfshijë të gjitha llogaritë e raportueshme të shtetasve të huaj gjendje në 1 janar 2019 dhe ato të hapura pas kësaj date, dhe do të shkëmbehet me vendet të cilat kanë firmosur marrëveshjen kuadër. Anasjelltas, autoritetet tatimore (AT) shqiptare do të marrin informacion për llogaritë e raportueshme të shtetasve shqiptarë të mbajtur në institucionet financiare të vendeve të tjera (janë aktualisht 102 vende që kanë filluar shkëmbimin).

Nga ana tjetër, OFL dhe njësi të tjera inteligjence financiare në organet ligjzbatuese kanë një fokus të veçantë ndaj individëve me pasuri të konsiderueshme apo të pajustifikueshme. Thënë të gjitha këto, nuk do vonojë dita kur shumë shtetas shqiptarë do të jenë zbuluar për pasuri të padeklaruara apo të justifikuara me të ardhurat e deklaruara këtej apo përtej kufirit.

Ky është pra një moment i rëndësishëm për qeverinë: të marrë në konsideratë fillimin dhe tërheqjen e vëmendjes së publikut për një PDV. Duke vepruar kështu, qeveria mund të sigurojë një mundësi të veçantë dhe të fundit për tatimpaguesit për të rregulluar mosrespektimin e legjislacionit tatimor në të kaluarën.

Një PDV plotëson aftësinë e qeverisë për të zbuluar evazionin nëpërmjet AEOI. Ky program duhet të jetë një pjesë integrale e një strategjie më të gjerë të pajtueshmërisë me taksat – ai duhet të konsiderohet si pjesë e një shumëllojshmërie të veprimeve të pajtueshmërisë me taksat që ndërmerr AT dhe qeveria, në mënyrë që të inkurajojë të gjithë taksapaguesit të përmbushin detyrimet e tyre.

Hartimi i një PDV duhet të jetë i tillë që tatimpaguesit, të cilët deklarojnë vullnetarisht, paguajnë më shumë sesa do të kishin bërë nëse do të ishin plotësisht në përputhje qysh në fillim, por përballen me sanksione më pak ndëshkuese sesa ata që nuk e bëjnë ketë deklarim, por zbulohen nga AT.
Për të përmirësuar pjesëmarrjen vullnetare, do të ishte e këshillueshme të sigurohej një nivel më i madh sigurie për tatimpaguesit që po konsiderojnë të deklarojnë vullnetarisht. Ky nivel sigurie lidhet me sa vijon:

• Shqetësimi kryesor i tatimpaguesve është të kuptojnë saktësisht se çfarë do të ndodhë nëse ata e bëjnë të plotë dhe të saktë deklarimin dhe nëse mund të akuzohen penalisht.

• Tatimpaguesit janë gjithashtu të shqetësuar në lidhje me konfidencialitetin e informacionit që jepet, si për shkak të dëmtimit të reputacionit që mund të rezultojë nga ndonjë publikim, por edhe për arsye të sigurisë personale.

• Ata gjithashtu duan siguri që pasi kryejnë një deklarim të plotë, ata nuk do të jenë (vetëm për këtë arsye) subjekt për një kontroll të zgjeruar në të ardhmen.
Shumë vende aktualisht kanë PDV. Programe të tilla ofrojnë një mundësi për të lehtësuar shpejt dhe me kosto efektive pajtueshmërinë tatimore, duke kursyer kontrolle të kushtueshme dhe të diskutueshme, proceset gjyqësore dhe procedurat penale.

Programet kanë edhe një avantazh tjetër: janë një mundësi për të mbledhur informacion që mund të ndihmojë AT të identifikojë mënyrat dhe mjetet që përdoren për të fshehur pasuritë off-shore. Nëpërmjet këtij informacioni, AT mund të identifikojë tatimpagues të tjerë që janë në shkelje dhe nuk kanë deklaruar në mënyre vullnetare.
Iniciativat e deklarimit vullnetar duhet të krijojnë një ekuilibër midis ofrimit të stimujve për ata që janë në shkelje për të vetëdeklaruar dhe jo për të shpërblyer apo inkurajuar shkeljen e vazhdueshme të legjislacionit tatimor.

PDV, sidomos për pasuritë off-shore, ofrojnë mundësinë për të maksimizuar përfitimet e përmirësimeve në transparencën dhe shkëmbimin e informacionit për qëllimet tatimore, për të rritur të ardhurat tatimore afatshkurtra dhe për të përmirësuar pajtueshmërinë tatimore në terma afatgjatë. Për të pasur sukses, ato duhet të ruajnë mbështetjen dhe pajtueshmërinë e pjesës së tatimpaguesve që tashmë janë në përputhje. Ata gjithashtu duhet të jenë në përputhje me rregullat në fushën jotatimore, siç janë ato kundër pastrimit të parave.

Këto programe ofrojnë stimuj, të tilla si interesa dhe gjoba të reduktuara, së bashku me konfidencialitetin dhe një formë të mbrojtjes nga ndjekja penale. Zakonisht, këto programe nuk reduktojnë shumën e detyrimit tatimor. Reduktimi i tatimit do të përfaqësonte një formë të një amnistie tatimore.

Sipas hulumtimve të kryera nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), programet e amnistisë tatimore nuk kanë gjasa të ofrojnë përfitime që tejkalojnë kostot e tyre të vërteta. Përkundrazi, amnistitë e përsëritura mund të çojnë në një erozion të të ardhurave tatimore të mbledhura nga çdo amnisti e njëpasnjëshme dhe mund të ndikojë negativisht në pajtueshmërinë e përgjithshme të tatimpaguesve (si p.sh. amnistia e përsëritur për tatimin nga shitja e pasurive të paluajtshme në vendin tonë).

Në një botim të OECD-s mbi PDV, ndërmjet të tjerash, paraqitet që në përgjithësi, ka dy kategori të tatimpaguesve që nuk deklarojnë në mënyrë vullnetare: (i) ata që nuk janë, duan të deklarojnë dhe paguajnë tatimet dhe (ii) ata që do të ishin të gatshëm të deklaronin dhe paguanin tatimet, por kishin arsye të tjera për mosdeklarim.
Për grupin e parë, rezistenca ndaj pajtueshmërisë ka të bëjë me aspekte të veçanta të legjislacionit tatimor, siç është edhe niveli i tatimit. Tatimpaguesit e tillë zakonisht marrin përsipër rrezikun dhe mendojnë se shkeljet e tyre nuk do të zbulohen.

Prandaj, PDV-të nuk ka të ngjarë të ndikojnë te sjellja e tyre. Në mënyrë që të arrihet pajtueshmëria nga ky grup, AT duhet të ndërmarre veprime të tjera siç janë kontrollet dhe hetimet. Kur bëhet fjalë për pasuritë off-shore, tatimpaguesit në këtë grup duhet të jenë të vetëdijshëm se bashkëpunimi tatimor midis vendeve po rritet me një ritëm të shpejtë.

Shkëmbimi i informacionit (AEOI) për qëllime tatimore është një mjet i vlefshëm për rritjen e transparencës globale dhe bashkëpunimin: ai mund të informojë AT për pasuritë e shtetasve shqiptarë që janë fshehur në off-shore. Tatimpaguesit që kanë fshehur pasurinë e tyre në off-shore duhet ta kuptojnë se ato do të identifikohen, pavarësisht se ku mund t’i mbajnë pasuritë e tyre. Ata janë paralajmëruar dhe duhet të mos të çuditeni nëse, pasi të zbulohet, AT, prokuroria dhe autoritetet e tjera do zbatojnë forcën e plotë të ligjit.

Tatimpaguesit në grupin e dytë (d.m.th. ata që në parim janë të gatshëm të paguajnë tatimin) do të jenë mirëpritës për programet e deklarimit vullnetar. Sidoqoftë, ata ende mund të hezitojnë për të deklaruar për një varg arsyesh. Një botim i vitit 2015 i OECD-së, identifikoi disa mënyra që mund të inkurajojë tatimpaguesit që të vetëdeklarojnë.
Për të ndihmuar taksapaguesit të vetëdeklarojnë, qeveria duhet të japë udhëzime të qarta për çështjet e mëposhtme:

Procesi i deklarimit vullnetar

PDV duhet të jetë i qartë dhe duhet të përshkruajë procesin dhe dokumentacionin e kërkuar. Informacioni gjithashtu mund të përfshijë edhe pika kontakti, ku mund të merren përgjigje në lidhje me procesin pa zbuluar emrin.

Konfidencialiteti dhe përdorimi i informacionit

Konfidencialiteti duhet të jetë bazuar në detyrimin ligjor dhe ligjet në fuqi të vendit, dhe duhet të jenë të qarta e t’u shpjegohet tatimpaguesve. Tatimpaguesit duhet të sigurohen për konfidencialitetin e identitetit dhe deklarimit vullnetar të tyre gjatë gjithë programit. Zgjidhjet variojnë nga kufizimi i informacionit të deklaruar vetëm te zyrtarë të caktuar, deri te mbrojtja me dispozita të veçanta ligjore për fshehtësinë e informacionit. Përveç kësaj, duhet të ketë transparencë në lidhje me përdorimin e të dhënave të mbledhura gjatë procesit dhe ndarja me institucione të tjera qeveritare.

Rreziku për të ardhmen

Tatimpaguesit kanë shqetësime se një vetëdeklarim do të shkaktojë hetime të mëtejshme për ta ose do të ndikojë në profilin e tyre të riskut dhe do rrisë kontrollet ndaj tyre në të ardhmen. AT duhet të adresojnë këtë shqetësim në udhëzime dhe procedura të brendshme dhe duhet t’i bëjnë publike. Një zgjidhje mund të jetë që informacioni i marrë nga vetëdeklarimi të mbahet konfidencial brenda një njësie speciale dhe mos ndahet me drejtorinë e analizës se riskut dhe kontrollit tatimor apo hetimin, për të mos ndikuar në profilin e riskut në të ardhmen.

Kontaktimi me palët e treta

Ky shqetësim ka të bëjë me verifikimin nga AT të informacionit nga palë të treta si partnerë biznesi, punëdhënës dhe bankat. Udhëzimet mund të përshkruajnë rrethanat në të cilat AT mund të kontaktojnë palët e treta.

Gjobat dhe interesat

Udhëzimi duhet të përshkruajë rrethanat në cilat gjoba dhe interesat do të paguhen dhe mënyrën e llogaritjes. Ai gjithashtu duhet të detajojë rrethanat në të cilat këto nuk do të paguhen apo do të ulen. Siç u diskutua më sipër, kostoja e deklarimit vullnetar duhet të jetë më pak sesa nëse tatimpaguesi zbulohet nga ana e AT, por më e lartë se sa po t’i kishte paguar detyrimet tatimore që nga dita e parë.

Akuza penale

Udhëzimi mund të përcaktojë rrethanat në të cilat nuk do të ngrihet asnjë kallëzim penal.

Diskutime pa emër

AT duhet të tregojë nëse ekziston një strukturë, siç është një numër telefoni i dedikuar, ku tatimpaguesit dhe /ose këshilltarët e tij janë në gjendje të kenë diskutime fillestare pa zbuluar identitetin e tatimpaguesit në fjalë.

Mbrojtja e sekretit profesional

Konsulentët kanë treguar që në disa vende, individët hezitojnë të kërkojnë këshilla profesionale kur ata mendojnë se këshilltari do të jetë i detyruar të njoftojë organet ligj zbatuese për shkelje të mundshme të rregullave të pastrimit të parave. Rekomandimet e FATF saktësojnë që profesionistëve që i nënshtrohen sekretit profesional ose ligjor, nuk u kërkohet të raportojnë transaksione të dyshimta, nëse informacioni është siguruar në rrethana të mbrojtura nga ky sekret.

Riatdhesimi i pasurisë

Programet nuk duhet t’i detyrojnë tatimpaguesit të riatdhesojnë pasuritë e tyre si një kërkesë e detyrueshme për përfitim nga PDV, të paktën kur ekziston një shkëmbim efektiv i informacionit midis juridiksionit ku mbahen pasuritë dhe juridiksionit të vendbanimit të tatimpaguesit.

Shqetësimi kryesor për taksapaguesit të gatshëm në parim për të bërë një vetëdeklarim është se ka mungesë sigurie: çfarë do të ndodhë kur ata do të bëjnë një vetëdeklarim të plotë dhe të saktë dhe nëse do të ketë akuza penale. Shqetësime të tjera lidhen me konfidencialitetin e informacionit që jepet, dëmin reputacional që do të vijë nga publikimi, sa e përballueshme është pagesa që duhet kryer, përfshirë interesin dhe gjobat, dhe rreziku që ky deklarim mund të ndikojë në vlerësimin e ardhshëm të riskut dhe do të nxisë AT për kontrolle ndaj tyre në të ardhmen.

Shqetësimi

Shqetësimi kryesor për taksapaguesit të gatshëm në parim për të bërë një vetëdeklarim është se ka mungesë sigurie: çfarë do të ndodhë kur ata do të bëjnë një vetëdeklarim të plotë dhe të saktë dhe nëse do të ketë akuza penale. Shqetësime të tjera lidhen me konfidencialitetin e informacionit që jepet, dëmin reputacional që do të vijë nga publikimi, sa e përballueshme është pagesa që duhet kryer, përfshirë interesin dhe gjobat, dhe rreziku që ky deklarim mund të ndikojë në vlerësimin e ardhshëm të riskut dhe do të nxisë AT për kontrolle ndaj tyre në të ardhmen.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of