Nga Entela Shehaj*
Është e çuditshme se si historia përsëritet, dhe akoma me e çuditshme se si ne njerëzit apo qeveritë nuk mësojmë nga dështimet.
Duke marrë shkas nga situata aktuale e çmimit të karburanteve dhe ndërhyrjes së qeverisë shqiptare nëpërmjet kontrollit të çmimeve (çmimit tavan në këtë rast) dëshiroj të bëj një diskutim të shkurtër mbi efektivitetin e këtyre politikave.
Historia e përdorimit të kontrollit të çmimeve është 4000 vjeçare, aq e vjetër sa dhe Roma dhe Egjipti i lashtë. Ndërhyrjet rregulluese në lashtësi, po thuaj në të gjithë botën, justifikoheshin me parandalimin e vdekjeve nga uria, por në të vërtetë ose dështuan plotësisht ose shkaktuan më shumë vdekje sesa mund të shkaktonte mungesa e ndërhyrjeve rregulluese. Në fakt, për fat të keq, politikat kontrolluese të çmimeve nga qeveritë kanë dështuar gjithashtu në vazhdimësi. Ato janë përdorur para luftërave botërore, gjatë luftërave botërore, pas luftërave botërore e në kohë paqeje me qëllimin e vetëm për të mbajtur të shtypur inflacionin. Pavarësisht efekteve afatshkurtra ne uljen e çmimeve në tregje, kontrollet e çmimeve kanë shkaktuar probleme të mëdha, si mungesa të theksuara të produkteve në tregje (çmimet e të cilave janë objekt kontrolli), lulëzimin e tregut të zi dhe për më tepër rritje te menjëhershme të çmimeve direkt pas heqjes së kontrollit.
Bazuar në faktet e thjeshta të historisë ekonomike, dhe për këdo qe ka sadopak njohuri për tregjet e kupton që ndërhyrja e qeverive nëpërmjet kontrollit të çmimeve nuk bën gjë tjetër veçse dëmton sinjalin kryesor të tregut, çmimin. Me fjalë të thjeshta, sinjali ‘çmim më i ulët’ për prodhuesit/furnizuesit do të thotë prodhim/furnizim me i ulët, dhe për konsumatorët ‘çmim më i ulët’ do të thotë kërkesë më e lartë. Rezultati është i thjeshte, mungesë produkti në treg. Ashtu sikurse shprehet një nga ekonomistët më të njohur, nobelisti Milton Friedman, kontrolli i çmimeve vetëm sa shtyp simptomat e inflacionit por nuk është një ‘kure’ për vetë ‘sëmundjen’ (inflacionin), në fakt është shumë më keq se vetë ‘sëmundja’.
Shpallja nga qeveria shqiptare e kësaj ndërhyrjeje, duke vendosur çmim tavan (në fakt çmim të fiksuar) për karburantet nëse do të zgjasë do të prodhojë një situatë të padëshiruar nga të gjithë, radhe të gjata dhe mungesë karburantesh në pikat e karburantit, lulëzim të tregut të zi e ndoshta edhe falimentime të bizneseve të karburanteve. Askush nuk mund te parashikoje sa do te zgjasë kjo situatë e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare, e si rrjedhoje ve një pikëpyetje të madhe mbi këtë politike të qeverisë shqiptare. Kontrolli i çmimeve nuk e zgjidh problemin. Ne fakt e transferon peshën dhe përgjegjësinë për zgjidhjen e problemit nga qeveria tek biznesi.
Kjo ndërhyrje do të justifikohej nëse pranohet që tregu i karburanteve është monopol. Sepse monopoli mund të abuzoje me çmimin ne dëm të konsumatorëve. A është ky rasti? Nga ana tjetër, të gjithë e dimë se taksat që vjel qeveria shqiptare nga çdo litër karburant janë shumë të larta, përbëjnë 60% të çmimit të cilin paguajnë të gjithë përdoruesit. Kjo do të thotë që këtu ka vend për ndërhyrje, zvogëlo fuqinë monopol në treg, që është detyrë e autoritetit të konkurrencës, dhe ul pjesën qe ti si qeveri merr në çdo litër karburant.
Lind pyetja, çfarë do të bëjë qeveria shqiptare nëse në vazhdim situata përkeqësohet edhe në tregje të tjera, për shembull rritje të konsiderueshme të çmimit të miellit apo te ushqimeve të tjera të nevojës bazë? A do të bëjë të njëjtën gjë, kontroll çmimesh? Eksperienca 40 shekullore e historisë së zhvillimit ekonomik të botes është e qarte ne rezultatin e kontrollit te çmimeve, dështim. Atëherë kush është zgjidhja për situatën ku ndodhemi? E kuptueshme, barra me e madhe në kohë krize ekonomike apo ‘lufte’ duhet të bjerë mbi qeverinë. Shembujt nga fqinjët tanë të ngushtë, Greqia apo Maqedonia e Veriut janë fare të freskët. Qe do të thotë qeveritare e ministra duhet të ulen me urgjencë e të merren me përgatitjen e një pakete serioze për të ndihmuar ekonominë shqiptare (konsumatorët dhe bizneset) të mos bjerrë në greminë.
*Ish komisionere e Entit Rregullator të Energjisë, PHD në Ekonomi të Aplikuar. Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të Revistës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.