Që nga fillimi i këtij viti, edhe spitalet publike janë përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore, si hapi i parë i reformës për të përmirësuar gjendjen e shërbimit në spitale dhe administrimin më të mirë të tyre. Ndonëse reforma ka filluar me ritme të vakëta dhe me shumë detaje që ende mbeten për t´u sqaruar (ende nuk janë miratuar projektligjet e reja për Kujdesin Shëndetësor dhe për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), qeveria ka miratuar së fundmi afatet për përmbushjen e plotë të elementeve teknike të reformës, që do të mundësojnë blerjen e shërbimeve spitalore nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë bërë miratimin e standardeve të spitaleve dhe treguesve të cilësisë e të rezultateve, brenda datës 31 korrik 2009. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim, deri në datën 31 dhjetor 2009. Brenda korrikut të vitit të ardhshëm duhet të jetë e mundur llogaritja e kostos së çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave për financimin e shërbimeve spitalore nga skema e sigurimeve shëndetësore, reforma në spitale do të konsistojë në financimin e shërbimeve nëpërmjet kontraktimit, përdorimi me efektivitet të burimeve financiare ekzistuese, përcaktimin e saktë të rolit dhe përgjegjësive të aktorëve, përcaktimin e standardeve spitalore, informatizimin e aktivitetit mjekësor dhe financiar, sipas shërbimeve; llogaritjen e kostos së shërbimeve spitalore; zbatimi i treguesve vlerësues të rezultateve dhe kalimi nga financimi me buxhetim, drejt financimit për shërbim.
Afati:
Brenda korrikut të vitit 2010, çdo spital duhet të llogarisë kostot për çdo shërbim, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Buxheti total i akorduar për shëndetësinë gjatë këtij viti është rreth 32.9 miliard lekë, nga të cilat 14.8 miliard lekë do të shkojnë për shërbimet e kujdesit spitalor.
Spitalet, më shumë autonomi
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nënshkruar tashmë kontratat me gjithë spitalet në vend. Sipas ISKSH, kontrata e re me spitalet do të sjellë rritje të shkallës së autonomisë së tyre. Spitalet do të planifikojnë, përcaktojnë vetë gjithë nevojat që kanë për mallra e shërbime dhe do të bëjnë detajimin e zërave të buxhetit sipas nevojave të tyre. Spitali mund të rishpërndajë buxhetin, por sipas disa kufizimeve. Rishpërndarja nga shpenzime për mallra e shërbime te zëri i pagave dhe sigurimeve mund të jetë brenda kufirit 2%. Rishpërndarja nga zëri i Pagave dhe Sigurimeve te zëri i Shpenzimeve për mallra e shërbime duhet të jetë brenda kufirit 5%. Kontrata parashikon mundësinë e
përdorimi të buxhetit të papërdorur për vitin pasardhës dhe përdorimin e të ardhurave dytësore për nevojat e vetë spitalit në masën 100%.
Në kontratën mes ISKSH dhe spitaleve, për herë të parë parashikohen edhe masa ndëshkuese në rastet e kryerjes së pagesave informale apo për përfitime të paligjshme nga pacientët. Për mjekët e korruptuar sanksionet fillojnë nga gjobat në masën e dy pagave mujore, deri në shkëputje të kontratës. Veç spitaleve publike, Ministria e Shëndetësisë ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së subjekteve private në skemën e sigurimeve shëndetësore, por kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë të paktën deri në fund të këtij viti. Pritet që spitalet private të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së shërbimit në spitale dhe në ofrimin e shërbimeve të reja dhe bashkëkohore, që spitalet publike nuk i ofrojnë, ose i ofrojnë me kapacitete shumë të kufizuara. Por problem ngelet financimi i shërbimit në këto spitale, kur dihet se shërbimet mjekësore janë shumë të shtrenjta në raport me të ardhurat mesatare të shqiptarëve.
Nga Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.