Tregjet e punës. Kjo vihet re në Amerikë, dhe ndoshta gjetiu, shkruan The Economist
Para pak kohësh, kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, foli mbi gjendjen e pakëndshme ekonomike. “Tregu i sotëm i punës, – tha ai në një konferencë për shtyp, – është i shtrënguar në një nivel jo të shëndetshëm”.
Në shumicën e vendeve dhe të rasteve, rënia e papunësisë, ose rritja e numrit të njerëzve në punë, është e mirëseardhur. Por tregjet e punës mund të bëhen shumë të tendosura, duke krijuar mungesa të punëtorëve që ndalojnë prodhimin dhe shkaktojnë një spirale të rritjes së pagave, që mund të ushqejë më pas inflacionin e përgjithshëm.
Zoti Powell ka frikë se Amerika e ka kapërcyer pragun, duke kaluar në një gjendje negative, dhe kjo është një arsye pse Rezerva Federale po sinjalizon se do të rriten normat e interesit. Edhe gjetiu, në vendet e tjera të pasura, tregjet e punës po tensionohen.
Pothuajse askush nuk e parashikoi një gjendje të tillë. Kur goditi pandemia në vitin 2020, shumica e ekonomistëve besonin se vendet e pasura do të vuanin një periudhë të gjatë papunësie, të ngjashme me atë që ndodhi pas krizës financiare të viteve 2007-‘09.
Në prill 2020, shkalla e papunësisë në Amerikë arriti në 14.7%. Nëse papunësia do të kishte rënë me ritmin e periudhës pas krizës financiare, shkalla e saj në mars të këtij viti, do të ishte mbi 13%.
Në fakt, është 3.6%. Dhe Amerika, sipas shumë standardeve, ka mbetur mbrapa. Për shkak të rritjes së numrit të amerikanëve që kanë vendosur se nuk duan të punojnë fare, dhe për rrjedhojë nuk llogariten si të papunë, përqindja e 15-64-vjeçarëve me një punë, është paksa nën nivelin e fundit të vitit 2019 (shih grafikun 1).
Megjithatë, në një të tretën e vendeve të pasura, kjo përqindje është në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Rënia mesatare në shkallën e punësimit është vetëm një pikë përqindje. Kjo tregon se ka pasur një nga bumet më të shpejta të rimëkëmbjes së vendeve të punës në histori.
Kanadaja dhe Gjermania janë ndër vendet me norma rekord punësimi. E njëjta gjë vlen edhe për Francën, e njohur për papunësinë e lartë. Shkalla e punësimit në moshë pune në Greqi është tre pikë përqindje mbi nivelin e vitit 2019.
Në të gjithë grupin e vendeve anëtare të OECD-së, që janë kryesisht shtete të pasura, ka rreth 20 milionë vende pune më shumë se sa ishte parashikuar në qershor të vitit 2020.
Numri i të papunëve për çdo vend të lirë pune, është më i ulëti në disa dekada (shih grafikun 2). Edhe pse çmimi i energjisë dhe rritja e normave të interesit përbëjnë shqetësim për ekonominë, ka pak shenja nga treguesit “në kohë reale” që kërkesa për punë po bie.
Pse rimëkëmbja e vendeve të punës ka qenë kaq e shpejtë?
Një arsye është natyra e goditjes që preku ekonominë në vitin 2020. Historia na tregon se vështirësitë financiare — politika e shtrënguar monetare, katastrofat bankare e kështu me radhë — shkaktojnë dhimbje të zgjatura.
Por ekonomitë zakonisht rimëkëmben shpejt nga ndërprerjet “reale” siç janë fatkeqësitë natyrore, luftërat dhe në këtë rast, një pandemi. Në vitin 2005, shkalla e papunësisë në Luisiana u rrit pas uraganit Katrina, por shpejt ra përsëri. Pas Luftës së Dytë Botërore, tregjet europiane të punës përthithën me shpejtësi ushtarët që ktheheshin nga vijat e frontit.
Politikat qeveritare kanë rritur gjithashtu vendet e punës. Në vitin 2020, vende të shumta, përfshirë Australinë, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, hapën ose zgjeruan skemat e mbrojtjes së vendeve të punës. Në kulmin e tyre, më shumë se një e pesta e punonjësve europianë mbetën të punësuar teknikisht, edhe pse nuk po punonin.
Kur u hoqën karantinat, ata mund të riktheheshin shpejt në rolet e tyre, në vend që të aplikonin për punë të reja, gjë që kërkon kohë dhe e mban papunësinë të lartë. Amerika nisi një skemë modeste të mbrojtjes së vendeve të punës, por përpjekjet e saj kryesisht synonin ruajtjen e të ardhurave të njerëzve, nëpërmjet çeqeve stimuluese dhe ndihmave për të papunët.
Çeqet stimuluese mbështetën financat e familjeve. Shumë familje gjithashtu ulën shpenzimet në vitin 2020, duke çuar në grumbullimin e kursimeve të mëdha.
Tani kanë nisur sërish shpenzimet për gjithçka, nga mallrat e konsumit te banesat, duke rritur kërkesën për punëtorë në fusha si shitja me pakicë dhe shërbimet e pronave online (duke përfshirë 200,000 agjentë të pasurive të patundshme në Amerikë).
Kërkesa e lartë për punëtorë
Me rritjen e kërkesës për fuqi punëtore, punëdhënësit jo vetëm që duhet të rrisin numrin e vendeve të punës, por edhe të përmirësojnë cilësinë e tyre. Amazon bëri deklarata të fryra vitin e kaluar, kur tha se do të përpiqej të ishte “punëdhënësi më i mirë në Tokë”, por shumë kompani të tjera po premtojnë gjëra të ngjashme, qoftë duke u ofruar punonjësve përfitime më të mira në zyrë (si ushqim më i shijshëm) ose pako më të mira kompensimi (shkollim falas në kolegj).
Në vitin 2021, investitorët investuan më shumë se 12 miliardë dollarë në kompanitë globale të teknologjisë, afërsisht 3.6 herë më shumë se kapitali i investuar në vitin 2020, sipas ofruesit të të dhënave, PitchBook.
Punëdhënësit e këqij po kalojnë një periudhë të vështirë. Përqindja e amerikanëve të shqetësuar për sigurinë e dobët në punë është në nivele të ulëta historike. Në Britani, pjesa e punëtorëve me kohë të plotë me një “kontratë me orë zero”, ku nuk ka orë të garantuara, u rrit pas krizës financiare, por tani po bie.
Shumë nga firmat e ashtuquajtura “gig” që u rritën në fillim të viteve 2010 duke u mbështetur në njerëz që ishin të dëshpëruar për t’u punësuar, tani po përpiqen të gjejnë staf. Qoftë në Londër, Paris apo San Francisko, gjetja e punonjësve është më e vështirë se dikur.
Masa më e mirë në këtë drejtim është paga. Në disa vende, situata duket qartë se po del jashtë kontrollit. Qarku Wheeler, në Nebraska, është një vend shumë bujqësor. Në dhjetor, papunësia ra në rreth 0.5%. Një restorant aty pranë, i quajtur Chipotle Mexican Grill, paguan 15-16 dollarë në orë, sa dyfishi i minimumit federal. Disa firma pretendojnë se po i rrisin pagat me 30% ose më shumë.
Disa vende nuk kanë ndjekur të njëjtin shembull. Rritja e pagave në Japoni po lehtësohet, nuk po përshpejtohet. Në dhjetor, “paga speciale”, e cila përfshin bonuset e dimrit dhe zakonisht përbën rreth gjysmën e pagave totale atë muaj, ra me 1% në bazë vjetore.
Rritja e pagave në Gjermani nuk është aspak mbresëlënëse. Në Kanada është rritur më tepër, por asgjë që të mund të konsiderohet jashtë kontrollit.
Megjithatë, mesatarisht, tregjet e punës në vendet e pasura po bëhen më të shtrënguara. Në veçanti, në Amerikë. Në muajin mars, fitimet mesatare për orë ishin 5.6% më të larta se një vit më parë. Një matës tjetër tregon se më të pasurve po u rriten fitimet (shih grafikun 3).
Një gjurmues pagash i krijuar nga Banka Goldman Sachs, është 5% më i lartë se një vit më parë, ritmi më i shpejtë i rritjes që nga vitet 1980. Pothuajse të gjitha matjet e pagave në Amerikë, tregojnë një rritje jashtëzakonisht të shpejtë.
Para pandemisë, rritja e pagave në Francë ishte në nivelin 1-2% në vit. Tani është afër 3%. Edhe në Itali është një situatë e ngjashme.
Më 23 mars, banka qendrore e Norvegjisë, deklaroi se “inflacioni i pagave ka qenë më i lartë se sa ishte parashikuar dhe pritshmëritë për pagat janë rritur”. Situata në Britani është veçanërisht e habitshme. Sipas matjes nga Goldman Sacha, paga bazë atje po rritet me një normë vjetore prej rreth 5%.
Sondazhet e bizneseve tregojnë se nuk mund të përjashtohet një rritje edhe më e shpejtë gjatë vitit të ardhshëm. Në të gjithë ekonomitë e G10, pagat në tërësi po rriten me të paktën 4% në vit.
A është kjo e qëndrueshme?
Për shumicën e njerëzve, rritja e pagave me 4% tingëllon si një lajm mjaft i mirë. Por po të bëjmë matjet matematikore, me rritjen e pagave prej 4%, produktiviteti i punës (d.m.th. vlera e asaj që punëtorët prodhojnë në orë), duhet të rritet me të paktën 2% në vit, në mënyrë që të përputhet me një objektiv inflacioni prej 2%.
Bizneset do të transferonin gjysmën e kostove shtesë të pagave për orë, te klientët, në formën e çmimeve më të larta, por do të përthithnin gjysmën tjetër të kostove, pasi do të shisnin më shumë mallra dhe shërbime, ose do t’i prodhonin ato në mënyrë më efikase.
Rritja e produktivitetit prej 2% në vit nuk është e paarritshme, por duhet të jetë shumë më e fortë se sa para pandemisë. Megjithëse rritja e produktivitetit duket më e shpejtë se normalisht, analiza jonë e të dhënave nga vendet e OECD-së, tregon se ajo është nën 2%.
Mund të rritet edhe më tepër, ndërsa kompanitë korrin fitime nga investimet e mëdha në teknologjitë e punës në distancë dhe dixhitalizim. Megjithatë, shpresat për produktivitet më të lartë duhet të peshohen kundrejt frikës së rritjes edhe më të lartë të pagave.
Nëse rritja e lartë e pagave nuk mund të përballohet dot, si mund të frenohet ajo? Një mundësi është që të rikthehen njerëzit që janë larguar nga fuqia punëtore, duke rritur ofertën e punës. Frika nga Covid-19 mund të zbehet përfundimisht dhe kujdesi për fëmijët mund të gjendet më lehtë, duke ulur mungesat e punëtorëve dhe duke frenuar rritjen e pagave.
Megjithatë, kjo shpresë po zbehet. Megjithëse shumë amerikanë janë rikthyer në fuqinë punëtore në gjashtë muajt e fundit, rritja e pagave nuk është ngadalësuar – në fakt, ajo është përshpejtuar. The Economist llogarit se në shtator, kishte rreth 1.9 milionë punëtorë “të zhdukur nga fuqia punëtore” të moshës 25 deri në 54 vjeç, bazuar në përqindjet e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në janar 2020.
Deri në mars 2022, kjo shifër u përgjysmua në rreth 750,000 individë. Ka edhe një mungesë prej 1.3 milionë punëtorësh të moshuar, por shumica janë mbi 65 vjeç dhe ka të ngjarë të kenë dalë në pension të përhershëm (dhe numri i personave mbi 65 vjeç që mungojnë në fuqinë punëtore, ka ardhur duke u rritur).
Kështu pra, ka të ngjarë që në Amerikë dhe gjetiu, tregjet e punës duhet të ftohen sipas mënyrës së vjetër: nga bankat qendrore që rrisin normat e interesit, duke rritur në këtë mënyrë dëshirën e popullsisë për kursim, duke ulur prirjen për shpenzime, dhe duke mbytur kërkesën për punë.
Rezerva Federale ka rritur tashmë normat e interesit me 0.25 pikë përqindje dhe pritet ta bëjë sërish duke arritur në një total prej 2.5 pikë përqindje këtë vit. Amerika mund të jetë një shembull i asaj që ndodh kur politikanët i përgjigjen negativisht një tregu pune jashtëzakonisht “të nxehtë”.
Përktheu: Lira Muça