A ju mbështet kompania si një person apo një punonjës?

01/10/2019 3:27 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Shumë kompani flasin për rëndësinë e “të qenit vetvetja në punë”, por kur flitet për këtë gjë, sa njerëz e bëjnë këtë?

Realiteti është i trishtë.

Sipas The Next Generation Workplace, një studim i kompanisë së softëare 15Five, vetëm 34% e forcës së punës ndihen të angazhuar. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe, 66%, ndihen të shkëputur, në një mjedis ku ata kalojnë pjesën më të madhe të ditës.

Një pjesë e problemit është se kompanitë nuk po bëjnë gjithçka që kanë në dorë që ju të ndiheni i vlerësuar dhe plotësuar në punë. Shane Metcalf, Chief Culture Officer në 15Five, thotë se kompanitë “duhet të krijojnë një kulturë më të përqendruar te njeriu dhe një ndjenjë më të thellë përkatësie për punonjësit.

Që të kuptoni nëse kompania ju trajton si një person apo një punonjës… bëjini vetes këto pesë pyetje:

1. A NDIHEM I ANGAZHUAR?

A bëni pjesë tek ajo pakicë punonjësish me fat që ndihen të angazhuar? Sipas 15Five, ju do të ndiheni të angazhuar nëse kultura e kompanisë ku punoni “mbështet marrëdhëniet njerëzore”. Kjo lloj kulture nxit punonjësit të “bëhen versioni më i mirë i vetes”.
Kompanitë duhet ta duan angazhimin tuaj. “Kompanitë nuk kanë më nevojë për ju, për detyra përsëritëse, – thotë Metcalf. Bota po ndryshon rrënjësisht. Krijimtaria dhe inovacioni janë parësore për kompanitë. Nëse punonjësit do të bëheshin versioni më i mirë i vetes, kjo do të ndikonte në suksesin e kompanisë”.

2. ÇFARË JU SJELL NDËR MEND FJALA “PUNË”?

Kërkimi i 15Five gjeti se tre fjalët kryesore që njerëzit lidhin me fjalën “punë” janë “para”, “stres” dhe “i zënë”. Më pak se 1% mendon për “kënaqësi” dhe më pak se 0,5% mendon për “shpërblyes”.
Nëse përgjigjja juaj përkon me këto rezultate, atëherë çfarë mund të themi për mirëqenien tuaj emocionale në punë? Sigurisht, asnjë punë nuk është e përkryer, por ky nuk është sukses për punëdhënësin nëse ju në përgjithësi nuk jeni i lumtur dhe mendoni se puna nuk ju shpërblen.

3. A DUA MBËSHTETJE EMOCIONALE?

Nëse koha që kaloni në punë nuk ju përmbush, pyesni veten nëse dëshironi një mbështetje më të madhe emocionale nga kompania juaj.
Sipas studimit të 15Five te 1000 punonjës amerikanë dhe 500 drejtues, gjenerata e re e punonjësve dëshiron një mjedis pune që t’i japë kënaqësi dhe “kanë nevojë të ndihen të mbështetur emocionalisht për të dhënë më të mirën”. Sipas Metcalf, “punonjësit i sfidojnë idetë konvencionale mbi ekuilibrin jetë profesionale – jetë personale dhe kërkojnë më shumë se sa një pagë në fund të muajit dhe dy javë pushime.”. 15Five gjeti se 90% e punonjësve të intervistuar thanë se ata arritën rezultate më të mira “kur kompania mbështeti mirëqenien e tyre emocionale”.

4. A MUND TË FLAS HAPUR ME SHEFIN TIM?

Një pikë kyçe për kënaqësinë emocionale në punë është marrëdhënia me drejtuesin tuaj. Kjo nuk lidhet vetëm me faktin se “shkoni mirë” dhe nuk keni asnjëherë diskutime. Është po aq e rëndësishme që ju të jeni i hapur me drejtuesin tuaj. Megjithatë, më shumë se gjysma e punonjësve nuk diskuton asnjëherë për një problem personal me drejtuesin e tij.

Unë e di se si mund të ndiheni në këtë rast. Në moshën 35-vjeçare u preka nga sëmundja Hodgkin, një lloj kanceri që prek nyjet limfatike. Çdo ditë duhet të shkoja në spital në orën 16:00 për trajtime. A fola me shefin tim? Jo. Kisha frikë. I thashë vetëm që çdo ditë, në orën 4:00, duhet të largohesha dhe kjo gjë ishte miratuar nga Burimet Njerëzore. Sipas sondazhit të 15Five, sot, më shumë se gjysma e punonjësve nuk flasin për jetën personale. Ndërkohë, që në disa momente është ‘OK’ të tregoheni diskretë për jetën personale jashtë zyre, si mund të ndiheni i përmbushur emocionalisht – nëse trajtoheni si një person – nëse kompanitë ju nxisin të mos flisni për aspekte të rëndësishme të ekzistencës suaj?

5. A MË DËGJON KOMPANIA?

Si do të ndiheshit nëse çdo javë do të flisnit me drejtuesin tuaj dhe të dinit se ai po ju dëgjon vërtet? Ju do të ndienit se dikush është aty për ty dhe po ju respekton si një individ.
Për të krijuar mirëqenie emocionale në vendin e punës, 15Five këshillon që kompanitë “duhet të mbështesin punonjësit duke krijuar një kulturë me lidhje njerëzore”.

*JUDITH HUMPHREY, founder of The Humphrey Group, a premier leadership communications firm headquartered in Toronto.
Burimi: Fast Company

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of