Sezoni i vlerësimit të ecurisë në punë mund të jetë i ngatërruar: Nga njëra anë, është koha e duhur për t’i kujtuar shefit të gjitha gjërat që keni arritur gjatë këtij viti dhe ato që dëshironi të përmbushni në vitin tjetër.
Por mund të duket gjithashtu edhe si një moment i vështirë, duke u përpjekur për të përmbledhur përvojën tuaj të punës së një viti, atë që ju pëlqeu dhe çfarë nuk ju pëlqeu, të gjitha në një takim të vetëm.
Nëse jeni duke kërkuar për një mënyrë më të mirë për të kuptuar se si ndiheni në të vërtetë për profesionin tuaj dhe punën që bëni, ekspertja e lidershipit Shonna Waters këshillon përdorimin e metodës “15-5”, të cilën ajo e praktikon si zëvendëspresidente në BetterUp, një platformë trajnimesh për karrierën.
Çdo të premte, ajo planifikon 15 minuta për të vlerësuar në një shkallë nga 1 deri në 5 se si ndihet për punën që bëri gjatë javës. Vlerësimi me 1 do të thotë se nuk jeni të motivuar nga puna që keni bërë atë javë dhe 5 do të thotë që ndiheni si një yll i vërtetë në ato që keni qenë në gjendje të përmbushni dhe ndikimin që kishte puna juaj për ekipin, kompaninë ose klientët tuaj.
Vlerësimi nuk duhet të jetë domosdoshmërisht për produktivitetin tuaj, thotë Waters për CNBC Make It, por për faktin nëse ndiheni mirë për punën që keni bërë.
Pasi të zgjidhni një numër, shkruani edhe arsyen pse ndiheni kështu. Dokumentoni gjithashtu nëse ka ndodhur diçka në punë apo në jetën tuaj personale që mund të ketë ndikuar në vlerësimin tuaj javor.
“Është një mënyrë e mirë për t’i parë gjërat nga një këndvështrim i të dhënave,” thotë Waters, “për të reflektuar mbi, le të themi, dy muajt e fundit dhe për të parë: Si dukej grafiku im? Ҫfarë po ndodhte?”
Duke u hedhur një vështrim vlerësimeve tuaja në total, mund të vini re disa modele me kalimin e kohës se si përvoja juaj e punës ose jeta personale ndikon në ndjenjat tuaja për punën. Për shembull, ndoshta mund të shihni se keni javë me vlerësime më të ulëta kur gjërat janë kaotike veçanërisht në jetën tuaj personale, si për shembull nëse do t’ju duhej të menaxhonit kujdesin ndaj fëmijëve gjatë periudhës së verës. Duke parë në të ardhmen, mendoni: a mund të rregulloni orarin tuaj të punës që të lehtësoni disa nga kufizimet kohore që keni në shtëpi?
Ose ndoshta keni disa javë të shkëlqyera në momentet që jeni duke punuar me kolegët në një projekt të madh në grup. Mund të zbuloni se mundësitë për punë në grup nuk përbëjnë pjesë mjaft të madhe të punës suaj, kështu që mund të flisni me menaxherin tuaj për t’i bërë pjesë të punës së përditshme.
Waters shton se praktikimi i metodës “15-5” ju jep një shans “për të ndaluar dhe për të reflektuar rregullisht, jo vetëm për rezultatet e punës suaj, por për mënyrën se si është procesi i të mësuarit”. / CNBC