A ka ardhur fundi i epokës së naftës?

09/10/2020 10:00 PM 0 komente

Nafta furnizonte gjithçka në shekullin XX – makinat, luftërat, ekonominë dhe gjeopolitikën. Tani bota po përjeton një goditje në energji, që po përshpejton kalimin në një rend të ri, shkruan The Economist.

Ndërsa COVID-19 goditi ekonominë globale në fillim të këtij viti, kërkesa për naftë ra me më shumë se një të pestën dhe çmimet u ulën në nivele rekord. Që nga ajo kohë, ka pasur një rimëkëmbje të paqëndrueshme, por nuk ka gjasa të ndodhë një rikthim në gjendjen e mëparshme.

Prodhuesit e lëndëve djegëse fosile po detyrohen të përballen me dobësitë e tyre. ExxonMobil ka dalë nga lista e Mesatares Industriale Dow Jones, pasi ka qenë një anëtar që nga viti 1928. Shtetet e pasura me naftë si Arabia Saudite kanë nevojë për një çmim nafte prej 70-80 $ për fuçi, që të ekuilibrojnë buxhetet e tyre. Sot, kjo shifër është vetëm 40 dollarë.

Çmimet e naftës janë luhatur edhe më parë, por kjo është ndryshe. Teksa publiku, qeveritë dhe investitorët po bëhen të vetëdijshëm për ndryshimet klimatike, industria e energjisë së pastër po fiton gjithnjë e më tepër avantazh. Tregjet e kapitalit janë zhvendosur: rezervat e energjisë së pastër janë rritur me 45% këtë vit.

Me normat e interesit afër zeros, politikanët po mbështesin planet e infrastrukturës së gjelbër. Kandidati demokrat për president në SHBA, Joe Biden, dëshiron të shpenzojë 2 trilionë dollarë për dekarbonizimin e ekonomisë amerikane. Bashkimi Europian ka caktuar 30% të planit të rimëkëmbjes COVID-19 prej 880 miliardë eurosh, për masat klimatike, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, konfirmoi në fjalimin e saj këtë javë se dëshiron që BE-ja të ulë emetimet e gazeve serë me 55% në dekadën e ardhshme.

 

Më i mirë se epoka e naftës

Sistemi energjetik i shekullit XXI premton të jetë më i mirë se epoka e naftës – më i mirë për shëndetin e njeriut, më i qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht. Ky transformim përfshin rreziqe të mëdha. Nëse është i çrregullt, mund të rrisë paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në shtetet e pasura me naftë dhe të përqendrojë kontrollin e zinxhirit të furnizimit të gjelbër në Kinë. Edhe më e rrezikshme është nëse procesi ndodh shumë ngadalë.

Sot, lëndët djegëse fosile janë burimi i vetëm për prodhimin e 85% të energjisë. Por ky sistem krijon ndotje. Energjia përbën dy të tretat e emetimeve të gazrave serë; ndotja nga djegia e lëndëve fosile vret mbi 4 milionë njerëz në vit, kryesisht në qytetet e mëdha të botës në zhvillim. Nafta gjithashtu ka krijuar paqëndrueshmëri politike. Për dekada me radhë, shtetet e pasura me naftë si Venezuela dhe Arabia Saudite, me pak shtysa për të zhvilluar ekonomitë e tyre, janë zhytur në politikën e dhurimeve dhe nepotizmit.

Në një përpjekje për të siguruar furnizime të sigurta, Fuqitë e Mëdha janë përpjekur për të ndikuar në këto shtete, sidomos në Lindjen e Mesme, ku Amerika ka vendosur rreth 60,000 trupa ushtarake. Lëndët djegëse fosile gjithashtu shkaktojnë paqëndrueshmëri ekonomike. Tregjet e naftës janë të lidhura nga një rrjet i çrregullt. Përqendrimi i rezervave të naftës në botë e bën furnizimin të cenueshëm nga goditjet gjeopolitike. Nuk është çudi që në një periudhë gjashtëmujore, çmimi është rritur me mbi 30%, në total 62 herë, që nga viti 1970.

Po shfaqet një perspektivë e re mbi sistemin e energjisë. Nëse ndërmerren veprime të guximshme, energjia elektrike e rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës, mund të rritet nga 5% e furnizimit në 25% në vitin 2035, dhe gati 50% deri në vitin 2050. Përdorimi i naftës dhe qymyrit do të bjerë, megjithëse gazi natyror më i pastër do të mbetet qendror. Ky organizim do të sjellë përfitime të mëdha.

Më e rëndësishmja, energjia dekarbonizuese do të shmangë kaosin e ndryshimit të pakontrolluar të klimës, përfshirë thatësira shkatërruese, uri, përmbytje dhe shpërngulje masive. Pasi të jetë stabilizuar, ky sistem duhet të jetë edhe më i qëndrueshëm politikisht, sepse furnizimi do të diversifikohet, gjeografikisht dhe teknologjikisht. Shtetet me naftë duhet të përpiqen të reformojnë veten dhe, ndërsa qeveritë e tyre fillojnë të varen nga taksimi i qytetarëve, disa do të bëhen më përfaqësues.

Vendet konsumatore, që dikur kërkonin sigurinë e energjisë, duke ndërhyrë në politikën e prodhuesve të naftës, do të kërkojnë rregullimin e industrisë së tyre të energjisë. Sistemi i shekullit XXI duhet të jetë gjithashtu më i qëndrueshëm ekonomikisht. Çmimet e energjisë elektrike nuk do të përcaktohen nga disa aktorë të mëdhenj, por nga konkurrenca dhe përfitimet graduale të efikasitetit.

 

 

Kërcënimet

Megjithatë, edhe teksa shfaqet një sistem më i mirë i energjisë, ekziston kërcënimi i një tranzicioni të menaxhuar keq. Dallohen dy rreziqe kryesore. Kina autokratike mund të fitojë përkohësisht pushtet mbi sistemin global të energjisë, për shkak të dominimit të saj në krijimin e përbërësve themelorë dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Sot, firmat kineze prodhojnë 72% të moduleve diellore në botë, 69% të baterive me jone litiumi dhe 45% të turbinave të erës.

Ato gjithashtu kanë kontroll të gjerë mbi rafinimin e mineraleve që janë kritike për energjinë e pastër, si kobalti dhe litiumi. Kështu, në vend të një shteti nafte, Republika Popullore e Kinës mund të bëhet një “elektroshtet”. Në gjashtë muajt e fundit, ajo ka njoftuar investime në infrastrukturën e makinave elektrike, ka testuar një fabrikë bërthamore në Pakistan dhe ka marrë në konsideratë ruajtjen e rezervave të kobaltit.

Avantazhi i Kinës do të varet nga fakti se sa shpejt do të përparojnë ekonomitë e tjera. Europa është shtëpia e sipërmarrësve gjigantë të energjisë së erës dhe diellit – Orsted, Enel dhe Iberdrola po ndërtojnë projekte të tilla nëpër botë. Kompanitë europiane gjithashtu po udhëheqin në garën për uljen e emetimeve. Trajektorja e Amerikës është ndikuar nga rritja e vajit dhe gazit argjilor, që e ka bërë atë prodhuesin më të madh të naftës në botë dhe nga rezistenca e republikanëve ndaj masave të dekarbonizimit.

Nëse Amerika do të merrte masa kundër ndryshimeve klimatike, për shembull me një taksë karboni dhe infrastrukturë të re – tregjet e saj të kapitalit, laboratorët kombëtarë të energjisë dhe universitetet, do ta bënin vendin një fuqi të shkëlqyer të gjelbër.

Rreziku tjetër i madh është tranzicioni i shteteve të varura nga prodhimi i naftës, të cilat zënë 8% të PBB-së botërore, me gati 900 milionë qytetarë. Ndërkohë që kërkesa për naftë ulet, këto vende do të përballen me një luftë të egër për pjesën e tregut, që do të fitohet nga vendet me energji më të lirë dhe të pastër. Edhe teksa po përballen me urgjencën në rritje të reformës ekonomike dhe politike, burimet publike për ta paguar atë mund të zvogëlohen. Këtë vit, të ardhurat e qeverisë së Arabisë Saudite ranë me 49% në tremujorin e dytë. Priten disa dekada të rrezikshme në të ardhmen.

Përballë këtyre rreziqeve, tundimi do të jetë lehtësimi i masave rregulluese, duke e bërë tranzicionin më të ngadaltë. Sidoqoftë, kjo do të sillte një grup tjetër pasojash edhe më destabilizuese të lidhura me klimën. Investimet që janë planifikuar, nuk arrijnë dot rezultatet e nevojshme për t’i mbajtur temperaturat brenda 2°C të niveleve para-industriale, e aq më pak në nivelin 1.5°C të nevojshëm për të kufizuar dëmet mjedisore, ekonomike dhe politike të ndryshimit të klimës.

Për shembull, investimi vjetor në kapacitetin e erës dhe diellit, duhet të jetë rreth 750 miliardë dollarë, sa trefishi i nivelit të sotëm. Dhe nëse tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme pa fosile përshpejtohet, siç duhet të ndodhë, kjo do të shkaktojë edhe më shumë trazira gjeopolitike. Kalimi drejt një rendi të ri energjik është jetik, por do të jetë i çrregullt.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of