Brenda 12 ditëve rriten me 20 për qind tarifat celulare. Konkurrenca hap hetimin dhe pezullon tarifat e reja. Kompanitë rrezikojnë gjoba të rënda
Brenda 12 ditëve, të tre kompanitë celulare kanë “suprizuar” abonentët e tyre me rritje të forta çmimesh për ofertat mujore por “koincidenca” është se konsumatorët nuk kanë mundësi zgjedhje pasi të tre kompanitë kanë rritur çmimin thuajse njëkohësisht.
Duke pasur frikën e hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës, duket se kanë zgjedhur data të ndryshme për hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të paketave të vjetra që ofronin.
Më i vogli i tregut, Albtelecom, sipas njoftimit në faqen zyrtare të tij, ditën e fundit të janarit, e rriti çmimin e Paketës më të përdorshme të tij, “Super” nga 700 lekë në 900 lekë, duke i ofruar përdoruesve 100 mesazhe më shumë SMS kombëtare në përmbajtjen e saj.
Vetëm 5 ditë më vonë, kompania tjetër e telefonisë celulare, Telekom Albania shtrenjtoi po ashtu paketën më të preferuar të abonentëve, “Paketa S”, duke ia rritur çmimin nga 800 në 1000 lekë. Edhe kompania më e madhe në treg, Vodafone, “duke ndjekur shembullin” e dy konkurrentëve të vegjël, 6 ditë pas Telekom-it, e rriti çmimin për paketën standarde më të lirë që ofron, “Paketa Vodafone Talk”, nga 800 në 1000 lekë.
Ligji shqiptar i konkurrencës i ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Hapja e hetimit nga Konkurrenca
Situata ku të tre operatorët kanë rritur çmimet me 200 lekë për paketat kryesore të shërbimeve celulare thuajse njëkohësisht në të njëjtën kohë e bëri të pashmangshme hetimin e Autoritetit të Konkurrencës. Me vendimin Nr. 679, Datë 14.02.2020 Autoriteti Konkurrencës vendosi për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe me vendimin 680, për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Nga monitorimi në terren pranë pikave të Vodafone Albania, Albtelecom dhe Telekom Albania, si dhe nga shqyrtimi dhe vlerësimi i shkresave dhe ankesave të paraqitura, u konstatua se të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë me një rritje në çmim prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje me 100 leke, nga 100 në 200 lekë, në periudhën kohore 30 Janar – 11 shkurt 2020, sjellje e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar”.
Konkurrenca bën me dije në vendim se pranë Autoritetit të Konkurrencës ndërmarrja Albtelecom me shkresën nr. 453/6 prot., datë 20.01.2020 dhe ndërmarrja Telekom Albania me shkresat me nr. 150/14 prot., datë 29.01.2020 dhe nr. 84 prot., datë 10.02.2020 kanë njoftuar Autoritetin e Konkurrencës mbi ndryshimet në çmim dhe përmbajtje të paketave të ofruara për programet me parapagesë (dhe ato me kontratë për individë, Telekom Albania).
Lidhur me ndryshimet e paketave celulare 30 ditore me parapagesë, pranë Autoritetit të Konkurrencës, ishin paraqitur edhe dy ankesa nga konsumatorë të telefonisë celulare, pasi kompanitë celulare kanë rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar, pa informuar konsumatorët e telefonisë celulare dhe në dëm të interesave ekonomike të këtyre konsumatorëve.
Por siç thotë në vendim Autoriteti i Konkurrencës, vetëm kur është bërë mediatike, është hapur hetimi. “Bazuar sa më sipër si dhe nisur nga shqetësimet në masmedia mbi rritjen e çmimit të paketave celulare 30 ditore me parapagesë me 200 lekë, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, vendosi të realizojë një monitorim në këtë treg në lidhje me çmimin e paketave mujore që hidhen në treg nga operatorët celularë Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.
Por nga njoftimi kompanive celulare deri në hapjen e procedurave hetimore kanë kaluar më shumë se 3 javë dhe inspektorët e konkurrencës duhet të administrojnë prova për komunikimin potencial mes tre operatorëve që ka çuar deri në këtë vendimmarrje të tyre, që s’është e para e kësaj forme.
Por ligji i konkurrencës mundëson një interpretim gjithëpërfshirës për marrëveshjet e ndaluara sipas nenit 4, duke përfshirë në përkufizimin e tyre të gjitha marrëveshjet dhe/ose praktikat e bashkërenduara ndërmjet dy apo më shumë ndërmarrjeve, si dhe vendimet ose rekomandimet e grupimeve të ndërmarrjeve, pavarësisht nga forma, e shkruar ose jo, apo nga forca detyruese e tyre. Në rast se provohet shkelja e ligjit, kompanitë celulare rrezikojnë gjoba shumë të rënda. Sipas nenit 74 të ligjit të konkurrencës, Komisioni vendos gjoba, në masën deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje pjesëmarrëse që: (a) shkel nenin 4 për marrëveshjet e ndaluara.
Ofertat e reja pezullohen nga konkurrenca
Përveç hetimit, Konkurrenca ka vendosur edhe masën e përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Sipas vendimit, Komisioni i Konkurrencës kërkon ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom. Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003.
Gjithashtu në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003.
Gjobat e Konkurrencës ndaj celularëve
Me vendimin nr. 59 dt. 9.11.2007 Komisioni i Konkurrencës ka marrë vendimin me gjobën më të madhe që ka vendosur historikisht Autoriteti i Konkurrencës. Për abuzimin me pozitën dominuese dhe vendosjen e tarifave të larta Vodafone Albania sh.a. u gjobit me 2 % te xhiros vjetore të produktit përkatës të vitit 2005, që e shprehur në vlerë ishte 242.6 milionë lekë (mbi 2 milionë euro me kursin e sotëm) dhe AMC (Telekom Albania) u gjobit me 211.5 milionë (rreth 1.8 milionë euro).
Por 11 vite më vonë, në një rast tjetër, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur një gjobë 100 herë më të lehtë se ajo e vitit 2007 për të njëjtin nen, 74-ën. Nga 2 për qind e xhiros që ishte gjoba e vitit 2007, me vendimin 495/2018 “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve “Vodafone Albania” SHA dhe “Telekom Albania” SHA për shkelje të rëndë të konkurrencës, konkretisht të nenit 74, Konkurrenca ka vendosur u gjoba në masën 0.02 % të xhiros. Për krahasim nga rreth 3.8 milionë euro që ishte gjoba në vitin 2007 për të dyja kompanitë, në vitin 2018 Vodafone dhe Telekom u gjobitën me 38 mijë euro së bashku ose përkatësisht në shumën 3 milionë lekë dhe 1.7 milionë lekë.
Koordinimi i përsëritur i celularëve
Sjellja në treg me koordinim të rritjeve të çmimeve nuk ndodh për herë të parë në tregun e telefonisë celulare. Në muajt mars 2016, me të njëjtën formulë “koincidencë”, të tre kompanitë celulare ulën periudhën e vlefshmërisë së paketave nga 30 në 28 ditë, duke rritur në këtë mënyrë çmimin në një mënyrë të maskuar pas ditëve të ofertës. Edhe asokohe, sjellja u koordinua si në rastin e fundit ku brenda 9 ditëve të tre kompanitë ndryshuan planet tarifore nga 30 në 28 ditë. Albtelecom e ndryshoi paketën më 15 mars, ndjekur nga Telekom Albania 6 ditë më vonë dhe në fund Vodafone Albania 8 ditë më vonë.
Autoriteti i Konkurrencës hapi procedurat hetimore por me vendimin nr. 475, datë 21.09.2017, vendosi “mbylljen e hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe dhënien e disa rekomandimeve”.
U desh ndërhyrja e Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që nxori Urdhrin nr. 64, datë 26.03.2018 “Për vlerësimin e ndryshimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare me parapagim nga 30 në 28 ditë”, duke rikthyer kohëzgjatjen e vlefshmërisë së paketave me parapagim nga 28 ditë në 30 ditë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.