Olaf Scholz reagoi shumë së fundmi, kur gazetarja Anne Will, citoi disa studime nga ekonomistët që tregonin se ndalimi i menjëhershëm i importeve të energjisë ruse, do të reduktonte vetëm në mënyrë modeste rritjen ekonomike gjermane.
“Pikëpamja e tyre është e gabuar”, tha zoti Scholz, duke shtuar se ishte “e papërgjegjshme” që të futeshin shifra të posaçme në modelet matematikore për të arritur në këtë përfundim.
Për disa javë, ekonomistë të njohur kanë debatuar me pasion me njëri-tjetrin dhe me ministrat e zotit Scholz, mbi pasojat e mundshme të ndalimit të energjisë ruse, shkruan The Economist.
Qeveria, grupet e lobimit industrial dhe grupet e ekspertëve, argumentojnë se ndalimi i plotë do të çonte në papunësi të lartë, varfëri masive dhe recesion. Por disa ekonomistë të pavarur, si dhe një numër politikanësh opozitarë, këmbëngulin se pasojat do të ishin të menaxhueshme.
Debati vazhdon. Më 30 mars, ministri gjerman i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck, aktivizoi fazën e parë të një plani emergjent për të menaxhuar furnizimet me gaz, në rast se Rusia ndal furnizimet.
Rusia po kërcënon ta bëjë këtë, sepse Gjermania dhe pjesa tjetër e G7-ës po refuzojnë që të pranojnë kërkesën e saj që vendet “jomiqësore” të paguajnë për gazin në rubla dhe jo në euro ose dollarë.
Por nëse furnizimi me gaz vazhdon, do të vazhdojë edhe debati për moralin e blerjes së tij. Gjermania ka importuar rreth 1.8 miliardë euro (2 miliardë dollarë) gaz, naftë dhe qymyr nga Rusia në muaj, duke ndihmuar kështu në financimin e luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë.
Scholz thotë se ndalimi i këtyre furnizimeve do të dëmtonte më shumë Gjermaninë se Rusinë, edhe pse qeveritë e tjera europiane kanë kërkuar një embargo. Këtë javë IMK, një think-tank, publikoi një studim që mbështet vlerësimin e zymtë të qeverisë.
Ai thotë se ndalimi i importeve të energjisë nga Rusia do të shkaktonte një recesion të thellë, me tkurrjen e PBB-së me më shumë se 6%, edhe nëse furnizuesit alternativë mund të kompensonin gjysmën e gazit të furnizuar nga Rusia. Këto janë vlerësime të përafërta. “Është e pamundur që të parashikohet me saktësi efekti i ndalimit të importeve të gazit”, paralajmëron Sebastian Dullien nga IMK.
Në fillim të marsit, Siegfried Russwurm, shefi i BDI-së, paralajmëroi se bisedat për një embargo të BE-së ndaj energjisë ruse, po “luajnë me zjarrin” dhe do të dëmtojnë BE-në më shumë se agresorin. BASF, gjiganti gjerman i kimikateve, tha se nëse furnizimi i tij me gaz përgjysmohet, ai duhet të ndalojë prodhimin në fabrikën më të madhe të kimikateve në botë në Ludwigshafen, e cila punëson rreth 40,000 njerëz. Qindra mijë punë të lidhura do të ishin në rrezik.
Martin Brudermüller, shefi i BASF, u tha investitorëve më 26 mars: “Nuk kemi si ta zëvendësojmë gazin rus në një periudhë afatshkurtër”.
Këto parashikime pesimiste kundërshtohen nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), i cili ka kryer një studim të shkruar nga një grup ekonomistësh gjermanë dhe ndërkombëtarë dhe të botuar nga IFO. Studimi tregon se PBB-ja gjermane do të pësonte një goditje deri në 3%, nëse importet e energjisë ruse do të ndërpriteshin menjëherë. Kjo është më pak se rënia prej 4.5% e PBB-së gjermane në vitin 2020, viti i parë i pandemisë Covid-19.
“Problemi i madh është gazi”, thotë Moritz Schularick, një nga autorët e gazetës. Humbja e naftës dhe qymyrit rus mund të menaxhohej relativisht lehtë, pasi ato mund të zëvendësohen me importe nga vende të tjera. Por Gjermania e merr afërsisht gjysmën e gazit nga Rusia.
Një rritje në importet e gazit nga vendet e tjera, zëvendësimi i energjisë elektrike nga qymyri ose energjia bërthamore me atë me gaz dhe rimbushja e strukturave të magazinimit, mund të plotësojnë vetëm 70% të kësaj mungese, mendon ai.
Pyetja kryesore është se si do ta përballonte këtë industria gjermane. Të gjithë janë dakord se gjetja e zëvendësuesve të shpejtë të gazit në proceset industriale, është një detyrë e frikshme. Megjithatë, Benjamin Moll, një nga autorët e tjerë të punimit, vëren se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ekonomia amerikane tregoi një aftësi mahnitëse për t’u përshtatur me mungesa të ngjashme.
Kur në vitin 1940, presidenti i Amerikës, Franklin Roosevelt, kërkoi që firmat amerikane të prodhonin 50,000 avionë luftarakë në vit, ekonomistët e konsideruan kërkesën e tij të çmendur, sepse prodhimi vjetor i avionëve për ushtrinë në vitin 1939, ishte më pak se 3,000. Deri në fund të luftës, Amerika kishte prodhuar 300,000 avionë luftarakë.
Në një intervistë me gazetën javore Welt am Sonntag, ish-ministri i Financave, Wolfgang Schäuble, tha se njerëzit ndonjëherë duhet të bëjnë sakrifica të mëdha në stilin e jetesës dhe liritë e tyre. Për më tepër, zgjatja e luftës në Ukrainë është gjithashtu e kushtueshme për ekonomitë europiane.
“Ka shumë kosto të fshehura për shkak të pasigurisë”, thotë Luis Garicano, anëtar spanjoll i Parlamentit Europian, i cili mbështet një embargo të menjëhershme të energjisë nga BE-ja. Garicano ka frikë se një embargo e tillë do të ndodhë vetëm pasi Rusia të përshkallëzojë më tej luftën brutale. “Ne nuk duhet të presim për këtë”, thotë ai.