Për katër javë, Botërori i Futbollit ka tërhequr vëmendjen e së gjithë botës, ku të dielën do të luhet finalja.
Por Katari – vendi më i vogël që ka organizuar ndonjëherë Kupën e Botës – do të përballet me trashëgiminë e kampionatit për dekadat e ardhshme.
Gjatë viteve, kërkuesit kanë publikuar studime të shumta rreth ndikimit që sjell në ekonomi organizimi i turneve të mëdhenj sportivë, si Kupa e Botës apo Lojërat Olimpike. Në përgjithësi, efektet janë të vogla, ose në afat të shkurtër.
Më pak e qartë është se çfarë do të sjellë për ekonominë e vendit që fiton kampionatin.
Është e lehtë të imagjinosh shpërthimin e gëzimit në Argjentinë apo Francë, kur një nga dy vendet do të fitojë të dielën – festime publike në masë në “Avenida 9 de Julio” në Buenos Aires apo në “Champs-Elysees” në Paris.
Kupa e Botës vlen
Në 30 vitet e fundit, pesë vende kanë fituar shtatë Kupa Bote të zhvilluara: Brazil (1994, 2002), Francë (1998, 2018), Itali (2006), Spanjë (2010) dhe Gjermani (2014).
Në gjashtë nga këto shtatë raste fitoresh, vendi i cili ka fituar Kupën e Botës ka regjistruar një normë rritje të PBB më të lartë në vitin kur ka fituar kampionatin, krahasuar me dy vite më parë.
Në vitin 1994, Brazili regjistroi normë rritje 5.9%, shumë më të lartë se viti më parë dhe dy vitet në vijim.
E njëjta gjë ndodhi në vitin 2002, kur norma e rritjes së vendit, 3.1%, ishte shumë më e lartë se ritmet e rritjes prej 1.4% dhe 1.1% të regjistruara përkatësisht në vitet 2001 dhe 2003.
Në këtë periudhë bëhet fjalë për finalen e katërt të Francës. Në vitin 1998, kur vendi fitoi për herë të parë Kupën e Botës, ekonomia u rrit me 3.6%, më shumë se në 1997 dhe 1999. Në vitin 2018, Franca e fitoi sërish Kupën e Botës, por kësaj here, rritja e PBB u tkurr krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në 1.9% nga 2.3%.
Italia e fitoi Kupën e Botës në vitin 2006, ndërkohë që ekonomia e saj u rrit me 1.8%, duke mposhtur normat 0.8% dhe 1.5% të vitit 2005 dhe 2007.
Ekonomia e Gjermanisë pati një sukses të ngjashëm në vitin e saj të lavdishëm, në 2014-n. Ekonomia e saj u rrit me 2.2%, shumë më shumë se norma 0.4% në vitin 2013 dhe norma 1.5% në 2015.
Edhe Spanja, e cila e fitoi Kupën e Botës në vitin 2010, në mes të një recesioni të madh global, e ndjekur nga kriza financiare, ka përfituar nga një bonus i Kupës së Botës – ekonomia e saj u rrit me 0.2% atë vit, 4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë dhe 1 pikë përqindje më shumë krahasuar me rënien në vitin 2011.
Garë drejt zhvillimit (“dozë sheqeri”) apo thjesht ekonomi?
Por a është fitorja e Kupës së Botës arsyeja e vërtetë e përmirësimit të shifrave të rritjes apo është thjesht rastësi?
Në kohën e Kupës së Botës të vitit 2014, gazetari i Forbes, Allen St John, shkroi: “Në muajt pas fitores së një Kupe Botës, duket se vihet re rritje e produktivitetit në afat të shkurtër”.
Ai shkruan më tej: “Mendojeni si ekuivalentin kombëtar të një doze sheqeri, me një rritje të energjisë në afat të shkurtër, ndjekur nga një rënie të energjisë”
Është sigurisht e thjeshtë të imagjinohet “kjo garë drejt sheqerit”. Imagjinoni njerëz të ekzaltuar që mbushin baret dhe restorantet për ditë dhe javë pas fitores, apo sipërmarrës që përpiqen të përcjellin besimin dhe kurajën e futbollistëve të vendit të tyre, duke vënë baste të guximshme që nuk do t’i kishin bërë kurrë më parë.
Megjithatë, të dhënat e pakta akademike mbi këtë temë shkojnë në një drejtim të ndryshëm. Një hulumtim i kryer për Botërorin e Futbollit 2022 nga Universiteti i Surrey zbuloi që rritja e PBB pas fitores së Botërorit, vjen kryesisht nga rritja e eksporteve se sa nga rritja e konsumit të brendshëm apo investimeve. Studimi zbuloi rritje të PBB në dy tremujorët e parë pas fitores, kur fuqia e markës së vendit fitues rrit ndjeshëm popullaritetin e eksporteve.
“Dëshmitë përforcojnë idenë se suksesi në një nga garat sportive ndërkombëtare më të ndjekura dhe prestigjioze ka potencialin të ndikojë në ciklin ekonomik”, thotë Marco Mello, autori i studimit.
Hulumtimi krahasoi të dhënat e rritjes së vendeve fituese me ato që nuk e fituan kompeticionin.
Realitete të ftohta
Për dy vendet që do të ndeshen në finale të dielën, rritja ekonomike e lidhur me fitoren do të ishte, pa dyshim, e mirëpritur.
Për Argjentinën, në veçanti, do të ishte e nevojshme.
Vendi mbetet i zhytur në kaos ekonomik, siç ka qenë për shumë dekada. Këtë vit, inflacioni pritet të arrijë në 100%, ndërkohë që borxhi i madh i vendit vijon të rritet.
Megjithëse suksesi në Katar ka rritur moralin dhe festimet në masë, problemet ekonomike të Argjentinës janë shumë të rënda dhe të rrënjosura thellë, që fitorja të dielën të mund të ketë ndonjë ndikim domethënës.
Sa për Katarin, ndikimi ekonomik i Kupës së Botës do të jetë më i madh, në një mënyrë apo në një tjetër. Mes shpenzimeve për stadiumet dhe infrastrukturat, vlerësohet se Katari ka shpenzuar mes 200 dhe 300 miliardë dollarë (188-283 miliardë euro) për kompeticionin. Shpenzimet për turizmin, sado e gjallë që të ketë qenë Doha në katër javët e fundit, pa dyshim që nuk do ta kapërcejnë këtë hendek.
Ekspertët kanë përsëritur vazhdimisht se Katari e ka organizuar turneun për të arritur prestigjin në skenën botërore më shumë se sa për të pasur ndonjë stimul në ekonomi.
“Është e qartë se kjo Kupë Bote nuk ka të bëjë me qëndrueshmërinë ekonomike të Katarit” deklaroi për Deutsche Welle, Dan Plumley, nga Sheffield Hallam University. “Kupa e Botës 2022 me shumë gjasa do të jetë humbje në aspektin tregtar”.
“Avantazhet kryesore që kërkon Katari janë jokomerciale. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë arsyeja kryesore e organizimit të Kupës së Botës, gjithashtu bëhet fjalë edhe për ‘soft power’ si strategjia e mbrojtjes dhe sigurisë. Paratë nuk janë problem për Katarin.
Duket qartë se vendi mund t’ia lejojë vetes të organizojë një Kupe Bote dhe është i gatshëm të përthithë humbjet që lidhen me të”.
*Ashutosh Pandey / Deutsche Welle