A mundet që njerëzit e vaksinuar të përhapin akoma Covid-19?

14/04/2021 11:45 AM 0 komente

Një studim i financuar nga qeveria amerikane që zhvillohet në 21 kampuse universitare do të testojë se sa mirë vaksina Moderna do t’i parandalojë njerëzit e vaksinuar të përhapin koronavirusin, raportoi The Washington Post.

Provat në laborator kanë treguar se vaksina Moderna është më shumë se 94% efikase në parandalimin e sëmundjes nga COVID-19 dhe se të dozat janë veçanërisht mbrojtëse kundër sëmundjeve të rënda, shtrimit në spital dhe vdekjes nga ky virus.

Sidoqoftë, provat në laborator nuk ishin krijuar për t’iu përgjigjur një pyetjeje të rëndësishme: A mundet që njerëzit e vaksinuar ta kenë ende koronavirusin në hundë dhe gojë dhe padashur ta përhapin atë tek të tjerët?

Studimet e botës reale në Izrael dhe Mbretërinë e Bashkuar sugjerojnë se vaksinat COVID-19 ulin rrezikun e infeksioneve simptomatike dhe asimptomatike, domethënë atyre pa ndonjë shenjë të shfaqur të sëmundjes, raportoi WP.

Këto dy studime u përqendruan secila përkatësisht në vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca.

Një studim tjetër i kryer në 4,000 qendra të kujdesit shëndetësor në SHBA siguroi prova shtesë se vaksinat Pfizer dhe Moderna krijojnë mbrojtje kundër të gjitha infeksioneve, përfshirë ato pa simptoma, raportoi Stat News.

Ndërsa këto studime japin të dhëna se njerëzit e vaksinuar mund të kenë më pak të ngjarë të përhapin virusin duke qenë se ato duket se shmangin infeksionin në përgjithësi, ata nuk mund ta konfirmojnë këtë gjë përfundimisht.

Studimi i ri i kampusit universitar, i quajtur PreventCOVIDU, do të përpiqet t’i përgjigjet në mënyrë direkte pyetjes përmes gjurmimit të kontaktit – ku infeksionet e COVID-19 gjurmohen midis njerëzve të vaksinuar, atyre të pavaksinuar dhe një grupi të madh të kontakteve të tyre të ngushta.

Gjurmimi në këtë grup të madh njerëzish duhet të ndihmojë në zbulimin se sa shpesh njerëzit e vaksinuar ia kalojnë virusin atyre përreth tyre, pavarësisht nëse personi i vaksinuar sëmuret.

“Ky studim po trajton edhe çështjen tjetër shumë të rëndësishme, se çfarë do të thotë të vaksinohesh, duke qenë se mund të ekzistojë rreziku i transmetimit të SARS-CoV-2 tek njerëzit e tjerë”, shprehet për Washington Post, Dr. Lilly Immergluck, specialiste e sëmundjeve infektive pediatrike nga Shkolla e Mjekësisë Morehouse në Atlanta.

PreventCOVIDU do të përfshijë 12,000 studentë universitarë të moshave nga 18 deri 26 vjeç. Studentët do të ndahen rastësisht në dy grupe ku gjysma e parë do të marrë menjëherë dozën e parë të vaksinës Moderna, ndërsa gjysma tjetër do të vaksinohet katër muaj më vonë. I gjithë procesi do të zhvillohet për një periudhë pesë-mujore.

Të gjithë pjesëmarrësve gjatë gjithë procesit, do t’u merren sekrecione ditore të hundëve, kështu që organizatorët e studimit do të mund të gjurmojnë se tek kush dhe kur ndodhin infeksionet COVID-19. Tamponët gjithashtu do t’i ndihmojnë ata të llogarisin sasinë e grimcave virale në hundën e secilit person të infektuar dhe sekuencën gjenetike të virusit.

Këto të dhëna do të ndihmojnë në përcaktimin nëse ngarkesa virale – sasia e virusit në sistemin e një personi – është e lidhur me rrezikun e transmetimit. Ato gjithashtu do të tregojnë nëse vaksina Moderna ofron nivele të ndryshme mbrojtjeje ndaj llojeve të ndryshme të virusit dhe nëse njerëzit e vaksinuar kanë gjasa të përhapin virusin tek të tjerët.

Një aplikacion në telefon do t’u kujtojë pjesëmarrësve të marrin sekrecion në hundë çdo ditë nëpërmjet një tamponi.

Ata gjithashtu do të plotësojnë pyetësorët e përditshëm në lidhje me simptomat e tyre, do të sigurojnë disa mostra të gjakut të tyre gjatë këtij procesi studimi dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve rutinë të COVID-19 përmes sistemeve të tyre të testimit universitar.

Pjesëmarrësit kryesorë të studimit gjithashtu do të identifikojnë një grup të kontakteve të tyre të ngushta, që do të thotë njerëz që mund të jenë të rrezikuar të infektohen me COVID-19 nëse ndonjë nga studentët e kampusit univeristar do të testojnë pozitiv ndaj virusit. Në total, organizuesit e këtij studimi shpresojnë të mbledhin të dhëna nga 25,500 kontakte të ngushta. (Si pjesëmarrësit kryesorë ashtu edhe kontaktet e tyre të ngushta do të kompensohen për pjesëmarrjen e tyre në këtë studim).

Shokët e dhomës dhe bashkëpunëtorët e pjesëmarrësve kryesorë do të konsiderohen “kontakte të afërta të mundshme”, dhe në rast se një pjesëmarrës rezulton pozitiv për virusin, ata gjithashtu do të identifikohen si “kontakte të ngushta të konstatuara”.

Pasi një pjesëmarrës ka rezultuar pozitiv, kontaktet e ngushta që marrin pjesë në studim do t’i përgjigjen pyetësorëve të simptomave javore, do t’i merren tamponë ditorë për dy javë pas testit pozitiv dhe me shumë mundësi do t’i merren dy mostra të gjakut.

“Kontaktet e afërta të mundshme” me pjesëmarrësin do t’i nënshtrohen shqyrtimit rutinor të COVID-19 në universitetin e tyre gjatë gjithë studimit, ndërsa “kontaktet e ngushta të konstatuara” me pjesëmarrësin do t’i nënshtrohen shqyrtimit vetëm për një muaj pas ekspozimit të tyre të mundshëm. Rezultatet nga ky studimi priten të publikohen më vonë gjatë këtij viti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of