Ky është vetëm shembulli më i freskët i dështimit të enteve shtetërore që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e tregjeve të rregulluara për të siguruar një mirëfunksionim të operatorëve, që janë pjesë e këtij tregu.
Por raste të tilla vitet e fundit kemi pasur me shumicë.
Një tjetër problem, këtë herë në tregun e sigurimeve, është krijuar së fundmi, ku Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk arrin që të menaxhojë një liberalizim të tarifave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, çka ka çuar në luhatjet e mëdha të tarifave – në ulje e ngritje në minimume apo maksimume ekstreme të palogjikshme gjatë muajve të fundit – duke krijuar jo vetëm pasiguri tek operatorët në treg, por dhe ka dëmtuar rëndë strukturën e tyre të të ardhurave, ku sigurimi i detyrueshëm zë një peshë të rëndësishme, me gati gjysmën e totalit. Dhe përsëri kjo kosto përçohet te konsumatori, i cili do ta ketë të vështirë të marrë dëmshpërblimin për dëmin për të cilin ai është siguruar, teksa fuqia financiare e operatorëve të sigurimeve është dobësuar, apo klientët do të detyrohen të paguajnë një çmim të kripur për policën që i ofron vetëm një mbulim qesharak për dëmin e pësuar.
Tregu i telefonisë celulare është ai që së fundmi “po ulëret” për të kërkuar ndërhyrjen e autoritetit rregullues përkatës, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Në një sektor ku tashmë konkurrenca (nga ana teorike) ka arritur kulmin, me katër operatorë që sjellin oferta të shumëllojshme për konsumatorët, po vihet re një dukuri e kundërt, ajo e forcimit të pozitës dominuese të operatorit kryesor, në kurriz të konkurrentëve të tjerë, duke përbërë një rast për ndërhyrjen e AKEP. Megjithatë, kreu i këtij autoriteti ka deklaruar së fundmi në Komisionin e Ekonomisë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës) se po pret rezultatet e një hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës për të ndërhyrë për një fenomen që në fakt po ndodh brenda tregut për mbikëqyrjen e të cilit është ai përgjegjës!
Natyrshëm lind pyetja: A do të funksionojë institucioni rregullator i këtij tregu (që në rastin konkret është AKEP), apo do të lihet situata të shkojë deri në pikën e moskthimit, siç ka ndodhur me raste të tjera?! Është koha që entet rregullatore të marrin përsipër të kryejnë në kohë dhe me përgjegjësi funksionet e veta, me qëllimin final të krijimit të një ambienti, që siguron mbarëvajtjen e operatorëve të licencuar në tregun përkatës dhe konkurrencës në të, në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më të shumëllojshme e me çmime të drejta për konsumatorët.
Në 2012 kjo nuk ndodhi për AKEP, le të shohim se si do të veprojë në 2013?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.