Varfëria, si term e realitet, nuk habit më njeri në Shqipëri. Të ardhur pas mjerimit e skamjes së periudhës së errët të sistemit komunist për 50 vjet, ende pas gati 30 viteve të tjera në tranzicionin e tregut të lirë, te shqiptarët, varfëria ekonomike mbetet një plagë që nuk është shëruar. Në këtë revistë shpesh shkruajmë dhe dëshmojmë me shifra e fakte për këtë realitet që dhemb dhe bërtet.
Por, ka edhe një anë tjetër të varfërisë që duam të trajtojmë kësaj radhe, së cilës duhet t’i druhemi edhe më shumë, pasi po bëhet gjithnjë e më kërcënuese për progresin dhe të ardhmen e vendit:është varfëria e mendjeve dhe ideve.
Këtë fakt tragjik për kombin dhe shtetin e shqiptarëve e konstatuam së fundi edhe në Samitin e Poznanit në Poloni. Shqipëria, vendi më i varfër i rajonit, që ka nevojë më shumë se askush tjetër, nuk mori asnjë cent nga 180 milionë eurot e parashikuara falas për Ballkanin. Arsyeja? Sepse nuk propozoi asnjë projekt. Nuk kishte asnjë ide.
Gjuha ka qenë e përmbajtur, në rastet e forumeve të ngjashme më parë, për të artikuluar këtë konkluzion, por Poznani i vuri pikën, sepse ndodhi pikërisht në kulmin e krizës politike ku mazhoranca e dalldisur me eliksirin e pushtetit dhe rrenave për mirëqenie, i vuri vulën alibisë se është aty ku është, ngaqë pëlqehet me shumicë votash nga shqiptarët. U bënë vite që ky stil qeverisje,i cili i përvetëson të gjitha, nuk po di të krijojë projekte që do të ndihmonin zhvillimin e vendit.
A mos vallë jemi “shuar” që nuk kemi ide. Një komb e një shtet udhëhiqet nga idetë. Shqiptarëve, shpirti luftarak dhe idetë nuk u kanë munguar as në periudhat më të errëta të historisë së tij, ndaj është sot një komb vital,i cili ka ruajtur me stoicizëm identitetin. Por vjen një moment kur historia nuk ka vlerë, për sa kohë nuk ka kush udhëheq me largpamësi në këtë vend. Mungesa e ideve dhe projekteve është afërmendsh mungesë horizonti. Pushteti, në këtë vend, përderisa nuk arrin dot të krijojë dhe të propozojë qoftë edhe një projekt të vogël, do të thotë se udhëhiqet nga të tjera interesa dhe jo nga ato të zhvillimit e progresit të shqiptarëve.
Sot, rritja ekonomike po shkon tatëpjetë. Borxhi publik po rritet tej limiteve, aktiviteti i bizneseve dhe fuqia e buxhetit kanë rënë dhe trendi i investimeve të huaja është në rënie gjithashtu. Këto arsye duhet të ishin minimumi i shtysës për të përfituar qoftë edhe diçka nga ndihma financiare e BE-së. Atëherë, si ka mundësi, që të mos shfaqim asnjë shenjë etje për të thithur investime?
Mund të renditen shumë përgjigje, por ne kemi një, që bie në sy në vëzhgimet e hulumtimet tona gjatë këtyre viteve. Fondet e huaja, kur prokurohen,i kanë kostot e realizimit gati 10 herë më lirë se kur prokurohen nga taksat tona përmes formulës së famshme të koncesioneve PPP (lexo monitor.al-“Kostot e çmendura të rrugëve”). E përderisa qëndron ky disbalancim, bëhet i qartë që pushtetit nuk i interesojnë këto para që vijnë nën kontrollin e BE-së,sepse nuk mund të përfitojë aq sa do në llokmën e korrupsionit të shfrenuar.
Po mirë, le të supozojmë se shkaku nuk janë as injoranca në qeverisje, as korrupsioni dhe as nevoja për investime e mbështetje financiare. Po nevoja për t’u integruar sa më shumë dhe sa më shpejt drejt BE-së, a nuk duhet të ishte një shtysë e fortë?! Si ka mundësi që nuk jemi të aftë të gjenerojmë asnjë projekt me interes të përbashkët me fqinjët dhe partnerët europianë, a mos vallë nuk na lidh gjë me të?! Atëherë pse dreqin e kërkojmë anëtarësimin?!
Sigurisht asnjë nga pandehmat e mësipërme nuk qëndron, megjithëse logjika e këtij stili qeverisje të çon aty. Fakti që nga Poznani, ashtu si dhe nga Trieste apo Berlini, nuk u siguruan dot fondejetike për ekonominë,është dëshmi e një pushteti të varfër me ide. Nga Poznani, vetëm kryeministri shqiptar fitoi, i cili përmes fotove të tij “sharmante”, por me duar bosh, pati disafish “Like” dhe “followers” sesa foto modeste e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaiev, i cili arriti të tërheqë me mençuri mbi 40 milionë euro falas për investime të vlefshme për popullin e tij.
Tani ka kuptim pse një pushtet i kushton vëmendje fasadës: sepse nuk ka ide. Por varfëria e ideve dhe projekteve janë shkaku edhe i varfërisë tjetër, asaj ekonomike, dhe jo e kundërta. Ndaj nëse duhet të luftojmë varfërinë e të rrisim mirëqenien, duhet të ndryshojmë e t’ia nisim të rrëzojmë pushtetet fasadë, të varfër në ide, injorantë në lidership.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.