Flet Elda Hysenbelli, drejtore ekzekutive e “Fashion Group Albania”
Në një situatë pasigurie, për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe rritjet së çmimeve të shumë produkteve të shportës, a do të ndryshojë kërkesa konsumatore për veshje?
Drejtoresha ekzekutive e “Fashion Group Albania”, Elda Hysenbelli, thotë për “Monitor” se, çështja kryesore është sa do të jetë kohëzgjatja e këtij efekti dhe si do të ndikojë në kërkesën e konsumatorëve.
Sipas saj, në rezultatet e tremujorit të parë 2022 nuk është vënë re tkurrje të blerjeve, kjo sepse nga partnerët tanë ndërkombëtarë, prodhimi ndodh një vit përpara, pra e planifikuar dhe ende nuk janë reflektuar rritjet e çmimeve të koleksionit të ri pranverë-verë 2022…
Si ka qenë ecuria e shitjeve pranë FGA? A pati rikuperim nga situata pandemike?
Rezultatet e shitjeve për vitin 2021 treguan rikuperim dhe performancë shumë të mirë krahasuar me 2019 dhe 2020. Shitjet tejkaluan nivelin e shifrave të 2019-s, i cili ishte një vit i suksesshëm para pandemisë.
Përveç numrave të shitjeve kemi vënë re edhe një modelim të sjelljes së blerësve, 70% e shitjeve vijnë nga përdorues të kartës së besnikërisë Happy, nëpërmjet së cilës përfitojnë një sërë benefitesh si: oferta të personalizuara, kuponë shpërblim, promocione me email/sms etj.
Nga këto të dhëna kemi vënë re një rritje të kërkesës së klientëve për cilësi dhe veshje, që ofrojnë rehati dhe prakticitet. Tjetër prirje e klientëve ka qenë përdorimi në rritje i blerjeve online. Dyqani ynë online ka funksionuar në nivelet e një dyqani fizik. Kjo tregon për një ndryshim shumë të rëndësishëm të qasjes karshi blerjes.
Dy muajt e fundit, shitës me pakicë në treg kanë deklaruar se situata me konfliktin Ukrainë-Rusi, si dhe rritja e çmimeve në tërësi, kanë stepur njerëzit nga blerjet e veshjeve. A ju rezulton edhe juve kjo gjë?
Rritja e inflacionit dhe ngërçi i furnizimit global është në vëmendje të të gjithë sektorit të shitjes me pakicë. Edhe sektori i veshjeve, ashtu sikurse sektorët e tjerë, janë ndikuar nga rritja e çmimeve të lëndës së parë, shtrenjtimi i kostos së prodhimit për shkak të çmimit të lartë të energjisë.
Rritja e çmimeve është një efekt zinxhir global i pashmangshëm. Çështja kryesore është sa do të jetë kohëzgjatja e këtij efekti dhe si do të ndikojë në kërkesën e konsumatorëve.
Deri më tani, në rezultatet e tremujorit të parë 2022 nuk kemi vënë re tkurrje të blerjeve, shitjet kanë rritje dyshifrore, çmimet nuk kanë ndryshuar, sepse nga partnerët tanë ndërkombëtarë, prodhimi ndodh një vit përpara, pra e planifikuar dhe ende nuk janë reflektuar rritjet e çmimeve të koleksionit të ri pranverë-verë 2022.
Ndryshimet priten në 6-mujorin e dytë të 2022, por në produkte të caktuara, siç janë ato të pambukut ose produktet e rënda si karroca, krevate për fëmijë etj., këto të fundit ndikohen nga rritja e kostos së transportit.
Si qëndron raporti i blerjeve sipas gjinive? Cila shpenzon më shumë?
Në përgjithësi, janë gratë ato që kryejnë më shumë blerje në dyqanet tona. Kjo ndodh pasi gratë nuk blejnë vetëm për vete, por edhe për fëmijët dhe për partnerin.
Për këtë arsye, në të dhënat që ne mbledhim nga shitjet në dyqan por edhe nga treguesit që na ofron karta Happy, gruaja është ajo që kryen më shumë volum shitje, duke mbuluar edhe nevojat e gjithë familjes. Sidoqoftë në disa brande të caktuara si “Springfield”, “Cortefiel”, “Geox”, “Aldo Shoes” pesha e shitjeve është 50/50.
Si ka qenë ecuria e shitjeve të veshjeve për fëmijë? A janë ata një grupmoshë që blerjet i kanë domosdoshmëri?
Tendenca e veshjeve për fëmijë është njësoj si ajo e shitjes së veshjeve për të rritur. Shitjet e veshjeve për fëmijë hyjnë tek grupi i veshjeve të domosdoshme. Tendenca e këtij target-grupi është në rritje në mënyrë konstante pavarësisht shumëllojshmërisë së brandeve që po ofron tregu shqiptar.
A keni një strategji shitjesh në raste kufizimesh për shkak të situatës ekonomike apo luftës?
Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, kemi arritur të ndajmë ide dhe bisedojmë për mënyrat e bashkëpunimit në një periudhë të pasigurt siç është situata që po jetojmë.
Me disa nga markat që bashkëpunojmë, kemi planifikuar dhe analizuar blerjet, jemi munduar të rrisim blerjet dhe volumin e transportit për të siguruar shitjet e vitit. Kemi negociuar volume në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Gjithashtu, si pjesë e Grupit BALFIN ne kemi një modul strategjik për përballimin e emergjencave në sektorin e shitjeve me pakicë.
A ka sfida kjo situatë në zinxhirin e furnizimit në fushën e veshjeve, këpucë e tekstile?
Kjo sfidë është në vazhdimësi të periudhës së pandemisë që sapo kaluam. Industria e shitjeve me pakicë të tekstileve po përballet me rritje të shpenzimeve të transportit dhe të prodhimit të lëndës së parë. Sfida jonë në furnizimin e artikujve, mbetet dorëzimi i koleksioneve në kohë në 20 dyqanet tona dhe online.
Po përpiqemi bashkë me partnerët ndërkombëtarë të bëjmë më të mirën për ta kapërcyer këtë situatë, e cila deri më tani po shkon sipas planifikimit. Nuk kemi hasur vonesa në transport dhe as kufizime në blerjen e koleksioneve që ne tregtojmë në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.