Sipas një studimi nga CEREMA, makinat lëshojnë më shumë gaz karbonik kur udhëtojnë me 30 km/h.
Nëse i ndiqni lajmet, dhe sidomos nëse jetoni në Paris, me siguri tashmë e keni dëgjuar lajmin se që nga e hëna, shpejtësia maksimale e lejuar brenda qytetit, do të ulet në 30 km/orë. Sipas kryetares së Bashkisë, Anne Hidalgo, kufizimi do të bëjë të mundur uljen e ndotjes së ajrit dhe uljen e zhurmës, si dhe do të zvogëlojë aksidentet e lidhura me luhatjen e shpejtësisë së automjeteve.
Por ky reduktim është gjithashtu pjesë e një projekti më të madh, për uljen e numrit të automjeteve në kryeqytet, një dukuri që konsiderohet shumë ndotëse sipas kryetares së bashkisë dhe këshilltarit të saj për transportin, David Belliard. Ai tha se “sfida është të zvogëlohet hapësira e makinave, që do të thotë se duhet ulur shpejtësia”. Prandaj, duke filluar nga e hëna, i gjithë kryeqyteti po udhëton me një ritëm 30 km/orë, me përjashtim të disa akseve të caktuara si Champs-Elysées, Bois de Boulogne, Vincennes dhe Avenue Foch, në të cilat mund të udhëtohet me shpejtësi deri në 50 km/orë.
Por a do të ketë një ndikim të mirëfilltë në emetimet ndotëse ulja e shpejtësisë maksimale në Paris? Nuk është aspak e sigurt, madje kjo masë mund të jetë edhe kundërproduktive. Organizata Cerema, nën mbikëqyrjen e Ministrisë për Tranzicionin Ekologjik, ka publikuar rezultatet e një studimi mbi vendosjen e kufirit maksimal të shpejtësisë prej 30 km/orë, një urdhër që ishte subjekt i konsultimit me qytetarët disa muaj para miratimit dhe zbatimit të tij të hënën, më 30 gusht.
Dhe përfundimi është i qartë, organizata thekson se “si për automjetet e vogla dhe për ato të mëdha, emetimet janë më të larta kur udhëtohet me shpejtësi shumë të ulët (deri në afërsisht 30 km/orë), që do të thotë se mbingarkesa e trafikut është shumë më penalizuese nga pikëpamja e cilësisë së ajrit”. Ky studim bie në kundërshti me teorinë e kryetares së bashkisë Anne Hidalgo dhe ekipit të saj…
Cila është shpejtësia ideale?
Sipas raportit nga Cerema, një automjet që udhëton me 30 km/orë lëshon mesatarisht 18.9% më shumë CO2 se shpejtësia 50 km/orë. Por automjetet shkaktojnë nivelin më të madh të ndotjes kur udhëtojnë me shpejtësi edhe më të ulët, duke lëshuar mesatarisht 0.65 gram oksid azoti për kilometër, krahasuar me rreth 40 gram për shpejtësinë 70 km/orë.
Sipas raportit nga Cerema, kjo është shpejtësia me të cilën duhet të udhëtojnë automjetet për të shkaktuar “sa më pak ndotje”. Sidoqoftë, këto rezultate duhen shqyrtuar më tej, pasi organizata deklaroi në një studim të botuar në vitin 2013 se “këto parime janë të papërshtatshme për vlerësimin e ndikimit të zonave me shpejtësi të lejuar 30 km/orë. Në të vërtetë, vendosja e një zone me limit 30 km/orë nuk do të thotë se shpejtësia mesatare e praktikuar më parë ishte 50 km/orë.
Megjithëse zyrtarët shpresojnë se kjo masë do të zvogëlojë hapësirën e automjeteve, në fakt ajo nuk pritet të ndryshojë shumë. Në të vërtetë, shpejtësia mesatare në Paris në përgjithësi nuk shkon mbi 15 km/orë. / Le Figaro