Flet Idaver Sherifi, CEO i ABC
Televizioni ABC nisi transformimin nga informativ në gjeneralist, kur pandemia ishte në kulmin e saj. Idaver Sherifi, CEO i ABC, shprehet se tranzicioni ka qenë gradual dhe se është bërë e mundur ruajtja e audiencës, falë edhe dinamikës së emisioneve të përfshira në programcion.
Pikërisht kjo ka bërë që edhe në këtë sezon, të ruhen shumica e emisioneve ekzistuese. Nga ana tjetër, ai pohon se ka një tendencë drejt “trash TV” (kur temat çohen në nivele ekstreme komunikimi), dhe që të paktën ABC do t’i qëndrojë larg.
Prej dy vitesh po jetojmë nën efektin e pandemisë së COVID-19. Si janë ndikuar programacionet e televizioneve nga kjo situatë, në çfarë forme?
Pandemia e COVID-19, si në çdo sektor tjetër, ka ndikuar shumë edhe në media. Ne si televizion, pandemia na kapi në fillimet e planifikimeve të emisioneve të reja. Për këtë arsye, që në fazën e ideimit të emisioneve, i konceptuam në formate të përshtatshme për situatën e re, duke eliminuar publikun, numrin e të ftuarve, etj. Kjo ishte një lehtësi, pasi nuk u detyruam të bënim ndryshime të mëvonshme, që mund te dëmtonin formatet televizive.
Më herët ABC ishte një televizion me orientim informativ me lajme 24/orë. A ka qenë e vështirë për të marrë vëmendjen e publikut gjatë metamorfozës në një televizion gjeneralist? Si është pritur kjo?
Nuk ka qenë e lehtë për të vendosur për këtë transformim, pasi rreziqet e këtij transformimi ishin shumë të mëdha. Kalimi nga televizion informativ në gjeneralist ka qenë një sfidë me shumë të panjohura, por mendoj se, deri më tani, ia kemi dalë. Frika kryesore ka qenë rreziku i humbjes së audiencës së mëparshme, por duket se kjo gjë nuk ka ndodhur.
Pavarësisht se ne kemi hyrë në këtë proces transformimi, sërish kemi ruajtur boshtin e programacionit, sidomos gjatë ditës, duke ruajtur mbizotërimin e lajmeve deri në prime-time. Ndryshimet kryesore në programacion kanë ndodhur në oraret e darkës, sidomos nga e premtja deri të dielën, ndërsa ditët e tjera të javës, vazhdojnë të jenë emisione politike dhe debati. Një tregues i matshëm i suksesit të këtij transformimi është rritja e konsiderueshme e audiencës dhe e reklamave.
Cilat janë emisionet e reja që do të shohim në këtë sezon në televizionin ABC? Cilat janë emisionet bazë që do të mbeten në ekran nga sezoni i kaluar?
Pjesa dërmuese e emisioneve të sezonit të kaluar vazhdojnë të ngelen në ekranin e ABC. “Kosherja”, “Vetting”, “Abc-ja e Mëngjesit”, “Abc-ja e Pasdites”, “Bardh a Zi”, “Refleksione”, emisioni politik “Log”, “Friend Zone”, “Ballkan”, etj. janë emisionet që vazhdojnë edhe këtë sezon. “Abc-ja e Pasdites” e moderuar nga Ermal Peci, këtë sezon nga 60 minuta është zgjatur në 90 minuta në ditë, ndërsa emisioni informativ 3-orësh i drekës “Abc Live” i moderuar nga Juli Xhokaxhi, është pasuruar dhe është kthyer në një dritare informative të pasur, jo vetëm me lidhje direkte nga e gjithë Shqipëria, por edhe me debate “live” në studio.
Ndërkohë, për herë të parë sjellim një format interesant “dance reality show”, të quajtur “T’ka Mami Yll” ku protagonistë do të jenë fëmijët e moshës 10- 15 vjeç, por edhe mamatë e tyre, të cilat do të synojnë, me çdo kusht, që fitues të jetë fëmija i tyre. Ky emision sillet nga dy emrat e njohur të spektakleve, ideator Albi Nako ndërsa autore e emisionit, Zefina Hasani.
Si ka qenë ky sezon në blerjen e programeve të gatshme? A keni të tilla blerje në portofolin tuaj, apo mbështeteni vetëm te prodhimet tuaja?
Ne si televizion jemi përqendruar më së shumti në prodhimet tona. Megjithatë, nga një sondazh që kemi bërë si televizion, na rezultoi se një emision, i cili prej vitesh nuk ishte në ekran, mbahej mend nga njerëzit dhe njerëzit donin që ta rishihnin. Bëhet fjalë për emisionin “Kutia e Fundit”.
Pikërisht, për këtë arsye, vendosëm t’i blejmë të drejtat televizive të këtij formati dhe ta rikthejmë sërish këtë format, këtë herë në ekranin e ABC, por me të njëjtët moderatorë, Enkel Demin dhe Edi Ogën. Është një format i njohur për shqiptarët, i cili rikthehet në ekran pas shumë viteve ndërprerje.
Po sa i takon raportit, prodhime tuajat dhe blerje (nëse ka) si qëndron në përqindje dhe si ka qenë ecuria nga viti në vit i këtij raporti? Po raporti argëtim, aktualitet, politikë si duket, cili dominon?
Mbi 90% e programacionit është prodhim i ABC. Duke qenë se kemi qenë një televiziv me orientim të pastër informativ, këtë avantazh nuk kemi dashur ta humbim, edhe kur vendosëm transformimin e televizionit në gjeneralist, kështu që pavarësisht formateve argëtuese që karakterizojnë prime-time-n e fundjavës, gjatë javës dominojnë emisionet informative dhe ato politike. Emisioni i debatit politik “Log”, transmetohet të hënën, të martën dhe të enjten, duke nisur nga ora 21:00, ndërsa në të njëjtin orar të së mërkurës është një tjetër emision debati, “Bardh a Zi” por me karakter më social dhe nuk ka fokus kryesor politikën.
A është bërë audienca më përzgjedhëse në programet që ndjek dhe cilat janë disa nga tendencat që keni vënë re në sjelljen e saj karshi asaj çfarë ofrohet në ekran?
Ka një tendencë të përgjithshme të televizioneve drejt formateve “trash tv”, që pasqyron edhe kërkesën e audiencës për formate të tilla. Ne, pavarësisht kësaj tendence, jemi munduar që të ruajmë orientimin tonë të programacionit, duke mos u përfshirë në këtë lojë të këtyre formateve.
Kemi synuar gjithmonë të synojmë audiencën që kërkon diçka më cilësore dhe serioze. Për shembull, po të shihni emisionin e humorit “Koshere” e vëreni që është një emision humori, larg banaliteteve dhe ka synim sjelljen e një humori familjar në shtëpitë e shqiptarëve, pra që familjet të mund ta shohin këtë emision së bashku me fëmijët.
Po interesi i biznesit, si mbetet për të reklamuar, duke qenë se vitin e shkuar pati një rënie drastike të buxheteve të marketingut? Si paraqitet situata këtë vit?
Pavarësisht rënies drastike të buxheteve të marketingut në tërësi, ABC në vitin 2020 ka shënuar një rritje prej 300% të të ardhurave nga reklamat krahasuar me vitin 2019. Është një rritje shumë e madhe duke pasur parasysh rënien e përgjithshme në treg. Në rastin tonë, mendoj se rritja e konsiderueshme e audiencës së televizionit dhe formatet e reja televizive kanë qenë arsyet kryesore të kësaj rritjeje jo të zakonshme. E njëjta tendencë, edhe pse jo me atë përqindje, vijon edhe këtë vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.