Drejtori i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), Andi Ballta, ka reaguar pas akuzave të shumta të drejtuara kësaj banke dhe aksionerit kryesor të bankës, NCH Capital për origjinë të paqartë, lidhje me kapitalin rus, pastrim parash, ulje kapitali etj. Në një intervistë të botuar në Panorama dhe media të tjera (http://www.panorama.com.al/intervista-flet-drejtori-andi-ballta-abi-bankinvestimi-me-i-madh-amerikan-ne-shqiperi-ja-pse-linda-rama-u-largua-nga-bordi/), Ballta ka pohuar se “ABI Bank është bërë objekt i lajmeve të rreme të motivuara nga qëllime politike, konkurrencës së pandershme apo gjobaxhinjve të rëndomte mediatikë. ABI Bank deri tani nuk u është përgjigjur lajmeve të tilla të rreme me trillime absurde, për të ruajtur dinjitetin e sistemit bankar, klientelës dhe punonjësve”.
Lidhur me publikimet në media, se ABi Bank është offshore dhe nuk ka lidhje me investimet amerikane, Ballta sqaron se “Banka Amerikane e Investimeve është 100% e zotëruar nga fonde apo individë amerikanë. Për të shmangur cdo keqinterpretim: Ne nuk jemi bankë në Amerikë por bankë e investitorëve të mirënjohur amerikanë në Shqipëri. NCH Capital është me qendër në Nju Jork dhe ka pothuaj 30 vjet eksperiencë investimi global”.
Ballta shton se Regjistrimi offshore nuk ka të bëjë me vendodhjen e investitorëve. Një investitor amerikan mund të regjistrohet në një vend ku sistemi i taksave është më i favorshem. Kjo mund të jetë offshore (Cayman) apo në Holandë, Irlandë, ose në Nebraska.
Shumë nga kompanitë apo institucionet financiare më të njohura regjistrohen në vende ku taksat janë më të ulëta. Nuk ka asgjë ilegale apo të parregullt si në legjislacionin Shqiptar apo dhe atë ndërkombëtar me regjistrimin offshore të investitorëve në momentin kur investitorët janë të deklaruar.
E gjithë lista e investitorëve të ABI Bank është e deklaruar në rregullatorët shqiptarë sipas të gjitha rregullave, në kohë të ndryshme dhe sa here është kërkuar. Investitorët e fondeve të NCH Capital janë fonde pensionesh nga më të njohurat dhe të medhatë nëAmerikë, fonde të universiteteve më të famshëm ne Amerikë dhe gjithashtu entitete financiare nga më prestigjozet”.
Banka Amerikane e Investimeve (ABI) hyri në tregun shqiptar në vitin 2015, pasi NCH Kapital bleu bankën franceze Credit Agricole. Në fillim të 2018-s, ABI bleu dhe bankën greke NBG, pas një strategjie të orientuar nga Banka Qendrore e Greqisë për tu tërhequr nga rajoni. Në fund të tremujorit të tretë 2018, pesha e ABI bank ishte 5.63% e totalit të aktiveve, (3.1% NBG dhe 2.5% ABI), duke e renditur atë në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, sipas të dhënave nga Shoqata Bankave. Banka ka rreth 500 punonjës.
Ballta pohon se NCH Capital nuk ka patur kurrë asnjë pjesëmarrje kapitali rus, apo të ndonjë kombësie tjetër në strukturën e aksionerëve të ABI Bank. NCH thjesht ka investuar kapital tërësisht Amerikan në Rusi dhe në Europën Lindore. Gjithashtu të gjithë aksionerët e ABI Bank janë të listuar publikisht dhe të aprovuar sipas të gjitha rregullave nga autoritetet rregullatore shqiptare që në vitin 2010.
Ballta ka sqaruar dhe lajmet për ulje të kapitalit. “Kapitali i ABI Bank nuk është zvogëluar asnjëherë në asnjë moment. Perkundrazi vecse është rritur si pasojë e fitimeve (edhe ky informacion i rritjes është i plote dhe publik në Qendren Kombëtare të Regjistrimit). Informacioni i raportuar në menyrë dashakeqëse në disa media lidhet jo me zvogëlimin por vetem me netimin e kapitalit fillestar të paguar me humbjet e akumuluara përpara blerjes së bankës Credit Agricole Albania nga ABI Bank. Pra kapitali fillestar i bankës përpara blerjes nga ABI u netua me humbjet e periudhës po përpara blerjes nga ABI.”
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në bilanc, në vitin 2017 të ardhurat e bankës arritën në 1.8 miliardë lekë, me një rritje prej 22% me bazë vjetore. Në të njëjtën linjë, fitimet nga aktiviteti (para taksave) u rritën me 11% në 593 milionë lekë. Norma e përfitueshmërisë (fitim para taksave/ardhura) ishte rreth 32%. Rezultati është përmirësuar ndjeshëm, pasi në vitin 2015, kur banka në tetor të vitit u shit te ABi Bank, humbja ishte rreth 2.7 miliardë lekë (shih tabelën në fund).
Ballta ka mohuar në mënyrë kategorike dhe akuzat për pastrim parash, duke deklaruar se “ABI Bank ka patur disa auditime që nga blerja e bankës Credit Agricole dhe asnjëherë nuk ka patur asnjë problem me politikat e mbrojtjes ndaj pastrimit të parave”, ka përfunduar Ballta.
Ndërsa në lidhje me çështjen e debatuar gjerësisht në media, për anëtarësinë e bordit të ABI, apo më gjerë të zonjës Rama (bashkëshortes të kryeministrit Rama) Ballta tha se Linda Rama nuk ka qenë asnjëherë aksioneve, por vetëm anëtare bordi për tre vjet dhe tashmë është larguar nga Bordi.
Në faqen e internetit të ABI Bank është e publikuar lista e anëtarëve të Bordit. https://abi.al/wp-content/uploads/2019/01/BOD-MEMBERS-BIO-ALB-07-JAN.pdf
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.