Banka Amerikane e Investimeve (ABI) do të bëhet banka e pestë në vend që emeton obligacione koorporative me ofertë private. Në mbledhjen e fundit të muajit janar, Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pritet të miratojë aktofertat e ABI për emetimin e obligacioneve.
Më parë, obligacionet me ofertë private kanë emetuar edhe Credins Bank, Union Bank, Fibank dhe Tirana Bank, si edhe disa institucione financiare jobanka dhe një numër i vogël shoqërish tregtare jofinanciare.
Në rastin e bankave, emetimi i obligacioneve bëhet kryesisht në funksion të nevojave për kapital rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh obligacionet si instrument i kapitalit rregullator të nivelit të dytë, me plotësimin e disa kushteve. Ajo parashikon që kapitali i nivelit të dytë mund të njihet si kapital rregullator deri në një masë sa 33.3% e kapitalit të nivelit të parë. Përdorimi i obligacioneve po fiton gjithnjë e më shumë konsideratë, duke u vlerësuar si një alternativë e mirë kundrejt injektimeve periodike të kapitalit nga aksionerët.
Vlera e obligacioneve me ofertë private të kompanive shqiptare ka ardhur në rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, e mbështetur kryesisht nga emetimet e bankave. Bazuar në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në mesin e vitit 2021 arriti në 8.4 miliardë lekë ose rreth 69 milionë euro. Vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 14% me bazë vjetore. Më shumë se gjysma e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga të cilat 48.2% në euro dhe 6.4% në dollarë amerikanë.
Obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri ato kanë nisur të përdoren duke filluar nga fundi i vitit 2011. Blerësit e këtyre instrumenteve kanë qenë zakonisht individët, por nuk kanë munguar edhe investitorë institucionalë, si, për shembull, kompani të sigurimeve. Sipas ekspertëve, këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar. Tregu i obligacioneve me ofertë private është ende i dominuar nga emetimet e institucioneve financiare dhe, sipas ekspertëve, rreziku për investitorët është i kufizuar, sepse këto institucione janë të rregulluara, të mbikëqyrura dhe likuide.
Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, edhe për shkak të mungesës së një tregu të këtyre titujve. Shqipëria ka një bursë operative që prej vitit 2018, por deri vitin e kaluar ajo nuk mund të ofronte tregtim të titujve të emetuesve privatë, për shkak të boshllëqeve në infrastrukturën e tregut. Oferta publike do t’i bënte këto instrumente të tregtueshme dhe likuide, duke krijuar mundësinë e shitjes në çdo kohë ose përdorimin e tyre si kolateral financiar për marrjen e huave./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.