Si Majat, ashtu edhe Actekët banonin në Meksikë, por dallimet midis këtyre dy qytetërimeve mund të vihen re në arkitekturën e tyre.
Actekët dhe Majat janë dy prej qytetërimeve më të vjetra në Amerikën Veriore dhe Qendrore. Edhe pse qytetërimi i Majave është shumë më i hershëm se ai i Actekëve, të dyja këto qytetërime ishin të njohura për arkitekturën dhe për kontributet moderne që kanë dhënë në shoqëritë e tyre.
Sot, rrënojat nga Actekët dhe Majat mund të gjenden në vende të tilla si Meksika. Këtu do të mund të shikoni edhe piramidat dhe qytetet antike më të vizituara, të cilat mund të shkaktojnë pak konfuzion kur bëhet fjalë për të identifikuar dallimet më të rëndësishme midis këtyre dy qytetërimeve.
Përpara se të vizitoni rrënojat e ndonjërit prej tyre, këtu janë disa nga dallimet kryesore që mund të vini re, si në arkitekturën, ashtu edhe në kulturat e këtyre qytetërimeve antike.
Majat: Njihen për arkitekturën e tyre të pabesueshme të piramidave
Nëse mendoni për rrënojat e Majave, do të ishte e zakonshme të përfytyroni piramidat. Majat ishin shumë të njohur për ndërtimin e strukturave të pabesueshme në qytet-shtetet e tyre, shumë prej të cilave kanë rezistuar deri në ditët e sotme.
Dallimi më i dukshëm në arkitekturën e piramidave të qytetërimit Maja mund të vihet re në historitë që ato tregojnë, nëpërmjet një morie piktografesh dhe statujash, të cilat flasin për perënditë dhe besimet e tyre.
Ata që vizitojnë piramidat e Majave do të vërejnë dy stile të veҫanta: ato që janë ndërtuar për të adhuruar besimet e tyre dhe ato që janë ndërtuar për perënditë.
Stili i parë zakonisht përfshinte një tempull në krye, i cili do të përdorej nga priftërinjtë e Majave gjatë ritualeve, ndërsa stili i dytë përdorej vetëm për të nderuar zotin për të cilin ishte ndërtuar.
Këto kishin gjithashtu shkallë shumë më të pjerrëta se ato të piramidave fetare, ndoshta për të mos lejuar afrimin e njerëzve nga jashtë. Për më tepër, këto janë gjithashtu ato piramida që përmbajnë tunele, dyer kurthi dhe dyer sekrete.
Piramidat më të famshme të Majave
- Piramida e Kukulkanit (El Castillo), Jukatan, Meksikë
- Tempulli Tikal I, Guatemala
- Tempulli i Mbishkrimeve (Palenque), Palenque, Meksikë
- Piramida e Magjistarit, Uxmal, Meksikë
- Piramida Caana, Belize
Karakteristikat e tjera në arkitekturën e qytet-shteteve të Majave
Megjithëse piramidat e ndërtuara nga Majat kishin konotacione shumë serioze, jo gjithçka që është zbuluar në qytet-shtetet e tyre ishte e tillë. Disa prej qytet-shteteve madje kishin fusha për lojëra me top, të cilat dalloheshin për shkak të dyshemeve të lëmuara dhe mureve shkëmbore, duke imituar strukturën e stadiumeve të kohëve të sotme. Këto hapësira ndodheshin pranë tempujve ose brenda qytetit dhe përdoreshin për evente sportive.
Për më tepër, Majat kanë ndërtuar gjithashtu pallate madhështore për mbretin dhe familjen e tij mbretërore. Shembulli më i mirë për këtë, sipas Ducksters, është pallati në Palenque, i cili u ndërtua nga mbreti Pakal. Ky pallat është ndërtuar me disa ndërtesa brenda kompleksit të tij, bashkë me një oborr dhe me një kullë.
Actekët: Njihen për Perandorinë që ndërtuan në territorin e Meksikës
Është e lehtë të ngatërrosh këto dy qytetërime me njëri-tjetrin, veçanërisht pasi shumë prej fiseve Maja jetonin në Meksikë, në të njëjtat zona me Actekët. Sidoqoftë, Actekët jetonin pothuajse ekskluzivisht në Meksikë, dhe ky është fakti që i dallon ata. Dëshmitë e mëvonshme sugjerojnë se ata jetonin edhe në Belize, sipas Diffen.
- Fakt: Legjendat thotë se Actekët u vendosën në Meksikë, veçanërisht në liqenin Texcoco, pasi panë një vizion që i udhëzoi që të vendoseshin në këtë territor.
Ashtu si dhe Majat, Actekët ishin mjaft të njohur për piramidat e tyre. Megjithatë, ka shumë më tepër rrënoja të piramidave të qytetërimit Maja që vazhdojnë të ekzistojnë sot e kësaj dite, krahasuar me rrënojat që mund të gjenden nga qytetërimi Actek.
Meqenëse Actekët sundonin tre qytete – Tenochtitlan (Meksiko City i sotëm), Texcoco dhe Tlacopan – në këtë zonë ndodhet edhe vendi më i njohur që ka mbetur nga rrënojat e tyre.
Templo Mayor mund të gjendet në Mexico City, dhe dikur ishte vendndodhja e një prej tempujve kryesorë në Tenochtitlán. Vizitorët në Mexico City mund të shohin gjithashtu dy nga piramidat ikonë të Actekëve – Tempullin e Hënës dhe Tempullin e Diellit – pak përtej rajonit qendror të qytetit, i cili njihet si Teotihuacán.
Piramidat e Actekëve konsiderohen si një shembull klasik i arkitekturës së hershme mezoamerikane. Ato ishin të strukturuara në një mënyrë mjaft të thjeshtë, me një strukturë qendrore kryesore që mbështetej tek ato që sot njihen si mure mbajtëse.
Pasi u krijua ky themel, piramidat më pas u ndërtuan me tulla qerpiçi dhe u mbuluan me gur gëlqeror. Si rezultat i kësaj, piramidat Acteke ishin të sheshta në majë, kishin shkallë të mëdha e të gjera dhe ishin më të shkurtra në krahasim me piramidat e tjera në mbarë botën.
Ashtu si edhe Majat, Actekët shpesh ndërtonin tempuj në majat e sheshta të piramidave të tyre.
Ata që vizitojnë rrënojat e qytetërimeve të Majave dhe të Actekëve në Meksikë do të përjetojnë një përvojë tepër historike.
Megjithëse shumë gjëra mund të mësohen edhe përpara vizitës, ndonjëherë, njohja e bazave të arkitekturës antike mund t’u japë vizitorëve një vlerësim të plotë për qytetërimet që ndërtuan tokën në të cilën ata qëndrojnë sot. / The Travel