dministrata Trump po i kërkon Kongresit 2.5 miliardë dollarë amerikanë për të luftuar koronavirusin, i cili po përhapet me shumë shpejtësi; përfshirë më shumë se 1 miliard dollarë për vaksinat, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë për shtyp.
Në një moment të tillë, kur tregjet financiare po shqetësohen gjithnjë e më shumë nga ndikimet që mund të shkaktojë përhapja e shpejtë e koronavirusit në ekonominë globale, administrata Trump mezi pret që të tregojë se është e përgatitur për ta luftuar virusin, pavarësisht numrit të kufizuar të rasteve të konfirmuara deri më tani në Shtetet e Bashkuara. Virusi është përhapur në rreth 29 vende dhe rajone përtej territorit kinez, ku numrin më të lartë të rasteve e ka Koreja e Jugut, Irani dhe Italia.
“Administrata Trump po e trajton me një seriozitet shumë të lartë këtë situatë të koronavirusit, edhe pse siç u theksua edhe më sipër, numri i rasteve të konfirmuara deri më tani në këtë shtet është shumë i vogël, krahasuar me disa të tjerë. Së fundmi, administrata Trump i ka kërkuar Kongresit që të miratojë një plan financimi shtesë me vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh amerikanë për të përshpejtuar prodhimin e vaksinave, pajisjeve dhe furnizimeve të nevojshme dhe rritjen e gatishmërisë për ta përballuar sa më mirë këtë situatë”, tha Rachel Semmel, një zëdhënëse e Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit, në Shtëpinë e Bardhë.
Paratë do të përdoren për terapi rikuperuese, prodhimin e vaksinave dhe grumbullimin e pajisjeve mbrojtëse personale, siç janë maskat, tha më tej znj. Semmel. Nga kërkesa për miratimin e fondit me vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh amerikanë, 1.5 miliardë dollarë amerikanë përfaqësojnë një financim të ri, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga fondet e buxhetuara tashmë nga Kongresi, të tilla si para të papërdorura për të luftuar virusin Ebola. Administrata kërkon miratimin e Kongresit për t’i përdorur këto para për të luftuar koronavirusin.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë përballur deri më tani me shumë raste të konfirmuara të këtij virusi, ky shtet e ka parë si të domosdoshme përgatitjen paraprake në rast të një rritjeje të numrit të të infektuarve, duke filluar që nga futjet në karantinë të të gjithë personave që kanë rezultuar aktualisht të prekur. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka paralajmëruar amerikanët që të shmangnin udhëtimet në Korenë e Jugut, për shkak të përhapjes së lartë të këtij virusi në këtë shtet. “Ne kemi punuar dhe po vazhdojmë të punojmë në mënyrë agresive për të luftuar përhapjen e këtij virusi”, deklaroi përpara gazetarëve zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.