Administrata Tatimore shënon 23.5 milionë euro më pak të ardhura

07/08/2020 11:52 AM 0 komente

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka prezantuar aktivitetet e zhvilluara, si dhe rezultatet e arritura për 6 muajt e parë të këtij viti.

Ai tha se gjatë kësaj kohe, për shkak të pandemisë, ka pasur shumë sfida, porse objektivi i ATK-së ka qenë lehtësimi i procedurave për tatimpaguesit.

“Në periudhën janar-qershor janë paguar 215 milionë euro tatime dhe 83 mijë euro kontribute personale. Për shkak të pandemisë ka pasur rënie të të hyrave tatimore për 23.5 milionë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Gjithsej të hyrat këtë vit kanë qenë 299 milionë euro”, ka thënë Murtezaj.

Sipas drejtorit të ATK-së, përveç rënies së të hyrave, pandemia ka ndikuar edhe në rënien e qarkullimit të bizneseve.

“Efektet e pandemisë kanë pasur ndikim edhe në qarkullimin e bizneseve. Nga marsi prej kur ka filluar pandemia deri në qershor kemi pasur rënie të qarkullimit të bizneseve diku 22%”, ka shtuar ai.

Më tej, theksoi se me veprimet e ATK-së u parandalua edhe rritja e çmimeve gjatë kësaj situate të vështirë për qytetarët.

“Ka pasur tendenca për rritje të çmimeve nga bizneset, por fatkeqësisht në numër të vogël. Por, ne menjëherë jemi autorizuar nga ministri i Financave për ta luftuar këtë dukuri. Kemi krijuar menjëherë platformën për të denoncuar pa pagesë këto parregullsi dhe në këtë periudhë kemi pranuar 11.400 denoncime nga qytetarët”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of