Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Departamentin e Thesarit të Bankës Botërore po organizojnë workshop-in me temë “Aspektet ligjore të qeverisjes dhe administrimit të portofolit të rezervës valutore”. Pjesëmarrës në këtë workshop ishin përfaqësues të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë, të bankave qendrore nga 28 vende të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues nga institucione financiare.
Punimet e këtij workshop-i u fokusuan në trajtimin e çështjeve ligjore që lidhen me administrimin e rezervës valutore.
Në cilësinë e autoritetit kombëtar përgjegjës për mbajtjen dhe administrimin e rezervave valutore të Shqipërisë, Banka e Shqipërisë përdor mundësitë e saj më të mira për të ruajtur një nivel të caktuar të rezervës valutore, që garanton qëndrueshmërinë financiare të vendit. Në kushtet kur realizimi i këtij aktiviteti zhvillohet tërësisht në tregjet financiare të jashtme është e domosdoshme marrja e një ekspertize të thelluar në fushën ligjore dhe përditësimi i vazhdueshëm me ndryshimet dhe aktet e reja ligjore të miratuara nga autoritetet rregulluese të këtyre tregjeve.
Në fjalën e hapjes së këtij workshop-i, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, shprehu rëndësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti, dhe falënderoi Bankën Botërore për asistencën teknike të ofruar ndër vite për Bankën e Shqipërisë në fushën e administrimit të portofolit të rezervës valutore.
Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë procesit të mbajtjes dhe administrimit të portofolit të rezervës valutore. Mbarëvajtja e këtij procesi kërkon rritjen e vazhdueshme të shkallës së profesionalizmit të punonjësve të Bankës së Shqipërisë të angazhuar drejtpërdrejt në këtë proces ose në monitorimin e ecurisë së tij. Për këtë qëllim që prej vitit 2005, Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e Programit të Menaxhimit Këshillimor të Rezervave në Departamentin e Thesarit të Bankës Botërore. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë në gusht 2010, Banka e Shqipërisë është bërë pjesë e një tjetër programi të rëndësishëm më të përparuar, çka mundëson trajnimin dhe marrjen e ekspertizës teknike në një nivel më të avancuar profesional për stafin e Bankës së Shqipërisë.
Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se aktualisht sfida më e rëndësishme me të cilën po përballen bankat qendrore, që synojnë të diversifikojnë dhe të gjejnë alternativa të reja investimi për portofolin e rezervës valutore, është marrja e njohurive të duhura ligjore mbi çdo hallkë të procesit të investimit të portofolit të rezervës valutore në tregjet ndërkombëtare. Për këtë arsye, diskutimet dhe temat e trajtuara në workshop janë mjaft frytdhënëse për rritjen e nivelit profesional të stafit teknik të angazhuar në këtë proces.
Temat e prezantimeve të këtij workshop-i u realizuan nga përfaqësues të departamentit ligjor në Bankën Botërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.