Megjithëse me diskutime dhe kundërshtime të shumta, Parlamenti vendosi që Aerport Partners për 20 vitet e ardhshme do të jetë “zotëruesja”e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit. Modernizimi i Aeroportit, i konsideruar si ndër sipërmarrjet më të mëdha aktualisht në vendin tonë, do të fillojë brenda këtij viti. Koncorsiumi gjermano-amerikan, Tirana Airport Partners, merr përsipër te zbatojë sipas standarteve ndërkombëtare përmirësimet si në fushën e trafikut ajror, ashtu edhe në shërbimet aeroportuale. Investimi i parashikuar sipas marrëveshjes për Rinasin kap shifrën e 83 milion Eurove. Koncensioni, i cili do të zgjasë 20 vjet, është i formës BOOT, (Ndërto- Zotëro-Opero-Transfero), për projektimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe mirëmbajtjen e një terminali të ri të pasagjerëve dhe disa infrastrukturave të tjera dhe shërbimeve (në përputhje me specifikimet e masterplanit për zhvillimin e Aeroportit), një njësie të organizuar dhe që ekziston sipas ligjeve të Shqipërisë. Koncensionari do të ketë përdorimin e Aeroportit dhe disa infrastruktura ndihmëse mbi baza konsiderative. Ndërsa të gjitha fitimet gjatë kohës së koncensionit do ti kalojnë Airport Partners. Transformim total i aeroportitPërfaqësuesi i kësaj shoqërie, Reinhard Kalenda, ka pohuar se punimet në aeroportin e Rinasit do të fillojnë së shpejti. “Pas një periudhe prej 2 vjetësh e gjysëm, pasagjerët do të shikojnë një transformim total të aeroportit”, tha Kalenda. Elementet kryesorë të zbatimit të këtij Master Plani janë ndërtimi i një terminali të ri për pasagjerët, terminalin e ri të ngarkesave, magazinat e mirëmbajtjes së avionëve, rrugët lidhëse të aeroportit, zgjerimi i vendqendrimit të avioneve, etj. Ky masterplan, përveç zonës koncensionare, parashikon edhe zonën e zhvillimit dhe zonën e kufizuar, duke siguruar standarde të larta të sigurisë në tokë të avionëve dhe të pasagjerëve dhe duke arritur standardet e kërkuara ndërkombëtare. Sipas drejtoreshës së Aviacionit Civil, Merita Xhafa, të gjitha këto do të bëjnë që aeroporti “Nënë Tereza” të kalojë në kategorinë “C” dhe elementet që do të përmbushen deri në përfundimin e projektit të mundësojnë kalimin në kategorinë “B”, pra në një nivel me aeroportet e Italisë, Greqisë, etj.Masterplani, me dy faza zbatimiZbatimi i masterplanit do të realizohet në dy faza. Faza e parë ka një vlerë prej 33 milion euro dhe përfundon në vitin 2006. Kjo parashikon përpunimin e pasagjerëve nga 600 mijë që janë sot, në 1.5 milion e gjysëm në vit. Ndërsa faza e dytë shtrihet në katër vjet të tjerë, pra deri 2010 dhe siguron infrastrukturën e përpunimit për 3 milion pasagjerë në vit. Janë parashikuar të gjitha investimet e nevojshme që Aeroporti “Nënë Tereza” të funksionojë edhe si aeroport tranziti. Përsa i takon terminalit janë parashikuar të gjitha elementet e sigurisë që do të shoqërojnë, edhe në fushën e trasportit ajror, procesin e aderimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, pra ndarjen e udhëtareve sipas kategorisë së vizave. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i rrugës së re Tiranë-Rinas, e gjatë 7 km. Ky ështe projekt i qeverisë shqiptare që do të realizohet nga konsorciumi. Kjo rrugë parashikohet të përfundojë në vitin 2006 së bashku me terminalin. Godina e Terminalit të ri të pasagjerëve parashikohet të ketë një sipërfaqe prej rreth 10.851 m2, godina Cargo Terminal me sip.1.823 m2, ndërsa parkimi i automjeteve me sip.16.500 m2. Masterplani parashikon edhe ndërtimin e infrastrukturës së brendshme të aeroportit, ku përfshihen impiantet e sigurisë, mbrojtjes nga zjarri, ndërtesa ndihmëse, depot e karburantit dhe furnizimin e garantuar me energji. Përgatitja serioze e fazës përgatitore, krijon sipas drejtuesve të Aeroportit, të gjitha mundësitë e realizimit të suksesshëm të kësaj ndërmarrje të rëndësishme në fushën e trasportit ajror në Shqipëri. Realizimi i saj pritet të rrisë në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet transportuese, cilësinë e shërbimit ndaj pasagjerëve dhe mallrave, si dhe forcimin e sigurisë aeroportuale.Fitimi financiar, 21 milion euroSipas Drejtorit të Politikave të Aviacionit pranë ministrisë së Transporteve, Agron Nushi, “përfitimi financiar i drejtëpërdrejtë i qeverisë është në vlerën prej 21 milion Euro nga pagesa koncensionare, ndërkohë që pas periudhës 20 vjeçare të koncensionit i gjithë investimi kthehet në pronësi të shtetit shqiptar. Më pas shteti vendos ose ta mbajë aeroportin në pronësi të vet, ose vendos për dhënien me koncension përsëri kësaj shoqërie, apo shoqërive të tjera në bazë të interesit.” Përfitimet e tjera financiare shtesë për shtetin do të jenë edhe ato nga taksa mbi fitimin, TVSH-në si dhe fitimin mbi të ardhurat personale. Përfitime ka edhe biznesi privat i industrisë e ndërtimit, ai turizmit si dhe i shërbimeve elektronike nga vlera prej rreth 83 milion eurosh të investuara.Cili është investitori i Aeroportit?Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, zgjodhi në Janar të këtij viti si fitues të tenderit për marrjen me koncension të Aeroportit të Rinasit, “Airport Partners”, i përbërë nga Hochtief Airport, DEG i bashkuar me Fondin Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve.”Airport Partners” është investitori strategjik i konsorciumit Hochtief GmbH, me 60 vjet përvojë në projektimin e aeroporteve, në planizim, prokurim, ndërtim, manaxhim, në shkallë botërore. Hochtief zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në Aeroportin e Athinës, Dusseldorfit dhe Hamburgut, gjithashtu 15% në Aeroportin e Sydney-t. Qarkullimi vjetor monetar i investitorit strategjik për vitin 2002 ishte 12 miliard euro.Programi i investimeve vetëm në Aeroportin e Athinës arriti në shifrën 1.3 miliard Euro. Në Aeroportet e Athinës, Dusseldorfit dhe Hamburgut ku Airport Partners kanë punuar së bashku kanë mbi 50 milion pasagjerë në tre vitet e fundit. Ndërkohë partneri tjetër i këtij konsorciumi është Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve, që operon në vendin tonë prej disa vitesh, dhe ka themeluar më 10 Gusht 1998, Bankën Amerikane të Shqipërisë. Konsorciumi ka edhe mbështetjen financiare të KfW të Gjermanisë, BERZH-it, IFC, Banka Alpha dhe Banka Tregtare e Greqisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.