Kur vetëm pak ditë më parë qeveria njoftoi fituesin e garës për Aeroportin e Vlorës duket se në horizont është shfaqur një tjetër projekt.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në një dalje para mediave ku ka dhënë detaje mbi zhvillimet e aviacionit civil në vend tha se shumë shpejt do të ketë një garë për një tjetër aeroport dhe këtë herë në Sarandë.
Sipas Ballukut procedurat për garën e aeroportit të Sarandës pritet të nisin sapo të jetë nënshkruar kontrata për aeroportin e Vlorës me konsorciumin fitues për t’ju dhënë kështu kohë autoriteteve që të merren me procedurat që duhet të ndiqen.
Aeroporti i Sarandës do të jetë kështu i katërti në vend pas atij të Rinasit, Kukësit e tashmë edhe Vlorës. Një aeroport në skajin Jugor të vendit është lakuar edhe më parë edhe pse si alternativë është dhënë orientimi drejt një aeroporti turistik zhvilluar me iniciativë dhe risk privat ndryshe nga formula që qeveria ka përdorur në dy aeroportet e tjera Vlora dhe Kukësi që janë me trafik të garantuar. Kjo do të thotë që nëse investitorët nuk arrijnë të sigurojnë të ardhurat e nevojshme për shkak të diferencave në trafik, pjesa e munguar do të plotësohet nga qeveria.
Gjithsesi për Sarandën formula pritet të qartësohet në momentin që bëhet publik studimi i fizibilitetit si dhe dokumentet standarde të procedurës nga ana e qeverisë.
Aktualisht i vetmi aeroport në funksion në vend është ai i Rinasit i cili së fundmi u bë pjesë e një transaksioni dhe aksionet zotërohen tashmë nga një kompani shqiptare. Aeroporti i Kukësit u dha me koncesion sipas një kontrate në vitin 2019 tek bashkimi i Përkohshëm të Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlerë investimi prej 7,999,393 Euro.
Për aeroportin e Vlorës fituesi i shpall vetëm pak ditë më parë dhe bëhet fjalë për konsorciumin ku bën pjesë Mabco Construction (Mabetex Group) (50%) dhe i regjistruar në Zvicër me operatorin YDA – Group, 48 për qind të aksioneve dhe 2A Group SH.PK 2% të aksioneve. Vlera e investimit e ofruar është 103.966.030 Euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.