Procedura që synonte përzgjedhjen e një kompanie që do të mbikëqyrë shërbimet inxhinierike të pavarura për zbatimin e kontratës koncensionare/PPP për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e Aeroportit të Kukësit ka përfunduar në Komsionin e Prokurimit Publik. Ankimimin e fundit e ka bërë Illyrian Consulting Engineers shpk lidhur me procedurën që u hap në 18 tetor dhe u mbyll në datë 29 tetor me një fond limit prej 175 milionë lekë. Referuar specifikimeve teknike të bëra në dokumentet e dorëzuara në APP nënvizohet se aeroporti i Kukësit që tashmë është dhënë me koncesion është akoma i papërfunduar për të arritur standardet e kërkuara nga Rregullorja e Ministrit të Transportit Nr.130 datë 09.11.2012 “Për certifikimin dhe regjistrimin e Aerodromeve”, dhe ka nevoje për investime shtesë.
Lidhur më këtë nevojë mbikëqyrësi i punimeve ka të specifikuara një sërë detyrash që nisin me mbikëqyrjen e kontratës për zbatimin e punimeve në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të kryejë të gjitha detyrimet e besuara atij. Po kështu të njihet në detaje me projekt zbatimin dhe specifikimet teknike të objektit, të hartojë programin e kontrollit për zbatimin e projektit dhe cilësisë së punimeve në bazë të standardeve të përcaktuara me ligj.
Në dokumente është përcaktuar edhe stafi që duhet të ketë mbikëqyrësi duke nisur nga materialet tek punimet elektrike dhe ato të sinjalistikës.
Së fundmi një pjesë e mirë e kontratave që prokurohen nga Ministria e Infrastrukturës apo institucione në varësi të saj kanë hasur në reziostencë të operatorëve pjesëmarrës në procedura por që nuk kanë rezultuar fitues dhe që kanë çuar çështjen në KPP. Pëerjashtim nuk ka bërë as kjo për mbikëqyrjen e shërbimeve inxhinierike në një aeroport që tashmë është dhënë me koncesion.
Në mars të këtij viti Këshilli i Ministrave miratoi kontratën koncesionare për Aeroportin e Kukësit. Procedura e tenderimit u krye në dhjetor të vitit 2018 dhe fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k. Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vite kurse kohëzgjatja e punimeve dhe afati i vënies në punë është 24 muaj. Vlera e rehabilitimit është rreth 8 milionë euro. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në atë kohë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se nga zhvillimi i projektit ndërtues dhe më vonë i atyre të aktiviteteve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit do të punësohen fillimisht 220 persona ndërkohë që nga përllogaritjet dhe kryqëzimi i të dhënave të ngjashme, mbështetur dhe nga destinacionet e ndërtimeve që do të kryhen, numri i punonjësve që do të punësohen pritet të shkojë 12 mijë perona në fazën finale. “Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha low cost, ndër të cilat mund të përmendim Wizz Air, Easy Jet, Rayan Air, Vueling dhe Pergasus. Nga studimet paraprake, parashikohet që ky aeroport pritet të ketë një lëvizje prej 300 mijë pasagjerësh në vit. Në rritje të ndjeshme në vitet pasuese. Synimi është që, përmes çmimeve të ulëta dhe çmimeve cilësore, ky aeroport të shërbejë si pikë referimi për lëvizjet rajonale veçanërisht atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Aeroporti i Kukësit pritet të ketë një zhvillim për zonën e Kukësit”, tha Balluku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.