Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 28 qershor, të rifillojë transporti ajror dhe të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Në mbledhjen e Qeverisë Hoti janë shfuqizuar vendimet e mëparshme, me të cilat pezulloheshin linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rihapje të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, nga data 28 qershor.
“Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se katër ditë”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ky lloj testi vërteton nëse koronavirusi është aktiv në organizmin e njeriut. Sipas ministrit Zemaj, aeroporti do të hapet “vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme, që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë”.
Fluturimet për dhe nga Prishtina u ndaluan në mes të muajit mars kur shpërtheu koronavirusi. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se propozimi është bërë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.
“Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i kam propozuar Qeverisë së Kosovës që të miratojë vendimin për rifillimin e transportit ajror në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike”, tha Zemaj.
Ai shtoi se nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze.
Për transportin ajror dhe autoshkollat, edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, deklaroi se kjo synohet të bëhet deri në fund të kësaj jave.
“I heqim barrierat për lejimin e transportit ajror dhe lejimin e punës së autoshkollave, pasi ka pasur interes të shtuar publik ditëve të fundit. Synojmë që në fund të javës të fillojmë punën e transportit ajror dhe punën e autoshkollave”, ka thënë Abrashi.
Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2,216 raste të prekura me koronavirus.
Prej tyre, 1069 persona janë shëruar, ndërsa 38 pacientë kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.