Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ditë më parë ka arritur shifër rekorde duke shërbyer udhëtarin e 2 milionët të këtij viti.
Kjo shifër është arritur për herë të parë brenda një viti qysh nga fillimi i funksionimit të Aeroportit të Prishtinës.
Valentina Gara, zëdhënëse në ANP “Adem Jashari”, ka thënë se ka pasur rritje si të numrit të udhëtarëve ashtu edhe të fluturimeve.
“Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” sivjet ka shënuar suksese të mëdha. Kemi pasur rritje të numrit të udhëtarëve prej 11 % dhe rritje të numrit të fluturimeve për 13%”.
Vitin e ardhshëm Aeroportin e Prishtinës mund ta presin edhe risi të tjera.
Gara thotë se janë disa kompani të reja të interesuara për bashkëpunim me operatorët vendorë për linja të reja në vende të ndryshme të botës.
“Kemi kompani të reja të interesuara në bashkëpunim me Operatorët vendor për destinacionin e Friedrichafen dhe Lyon”.
Ndryshe edhe Pista e ANP “Adem Jashari” është duke u zgjatur nga 2500 metra, sa është momentalisht, në 3000 metra dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Vlera e projektit për zgjatjen e pistës është rreth 34 milionë euro. Në vitin 2018 janë ndarë 2.1 milionë euro, ndërsa për vitin 2019 janë ndarë 10 milionë euro, kurse për vitin 2020 do të ndahen rreth 21 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.