Tirana International Airport njofton se nga data 23 Mars 2020, ndërpriten të gjitha fluturimet, përveç kompanisë Air Albania që vazhdon të fluturojë për dhe nga Stambolli.
“Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit (COVID-19), sipas njoftimit të Autoritetit të Aviacionit Civil, duke filluar nga data 23 Mars 2020, ndërpriten të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës deri në një njoftim të dytë. Vetëm Air Albania do të vazhdojë fluturimin për dhe nga Stambolli”, thuhet në njoftim.
“Aeroporti mbetet i hapur për të gjitha fluturimet humanitare, fluturimet e riatdhesimit, fluturimet e ngarkesës së mallrave dhe çdo fluturim tjetër që i shërben lehtësimit dhe kapërcimit të kësaj sfide të madhe për të gjithë ne”, tha Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Dr. Constantin von Alvensleben.
Në 19 mars, Transavia lajmëroi se në vijim të situatës së krijuar, për shkak të përhapjes së koronavirusit (COVID-19), ndërpret fluturimet nga dhe për në Tirana International Airport sipas datave të mëposhtme:
– Fluturimet Tiranë-Paris janë ndërprerë nga data 21 Mars deri të paktën më 19 Prill 2020.
– Fluturimet Tiranë-Amsterdam, janë ndërprerë nga data 23 Mars 2020 deri të paktën më 5 Prill 2020.
Më 19 mars, Lufthansa Airlines njoftoi se në vijim të situatës së krijuar për shkak të përhapjes së koronavirusit (COVID-19), ndërpret të gjitha fluturimet deri në një njoftim të dytë.
Fillimisht, më 9 mars u ndaluan udhëtimet drejt Italisë së Veriut, shteti më i prekur, më pas kufizimet u shtuan në gjithë Italinë, e cila zë 50% të gjithë tregut të fluturimeve me Shqipërinë. Më pas u ndaluan fluturimet me Britaninë e Madhe dhe nga 19 marsi filloi dhe pezullimi i Austrian Airlines drejt Vjenës, që ishte një nyje për tranzitin në Europë dhe botë.
Tashmë kanë ndërprerë aktivitetin dhe operatorët me kosto të ulët Wizz Air dhe Easyjet.
Në 2019-n nga dhe drejt Rinasit fluturuan 3.3 milionë pasagjerë. Tregu është rritur vazhdimisht si rrjedhojë e shtimit të operatorëve me kosto të ulëta, që kishin çuar në rënien e bielatave deri në 20 euro një drejtim dhe kthimit të Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik.
Ky bllokim pritet të sjellë humbje të mëdha jo vetëm për industrinë ajrore, por edhe për atë mbështetëse, kryesisht agjencitë e udhëtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.