Flet Andrea Gebbeken, Drejtore e Përgjithshme e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
Aeroporti i vetëm në vend, “Nënë Tereza”, përllogarit një rritje mbi 18% të fluksit të pasagjerëve për vitin që sapo lamë pas. Kompania do të vijojë investimet, falë rritjes së të ardhurave.
Drejtorja e Përgjithshme, Andrea Gebbeken, tregon në një intervistë për “Monitor” se kompania ka ulur taksat, me qëllim shtimin e fluturimeve dhe linjave ajrore në Rinas.
Megjithatë, në Shqipëri mungojnë ende linjat low-cost, që tashmë kanë hyrë në vende të rajonit, me popullsi më të vogël se e jona.
Zonja Gebbeken, si ka qenë ecuria e aeroportit gjatë vitit të kaluar? Sa ishte numri i pasagjerëve, fluturimeve dhe sa ishin të ardhurat që realizuat në 2011-n?
Në vitin 2011, Tirana International Airport (TIA) ka shërbyer 1,817,073 pasagjerë, duke shënuar një tjetër rritje mbresëlënëse për kompaninë. Aeroporti gjithashtu ka regjistruar 22,988 lëvizje të Trafikut Ajror (ATM)
dhe ka përpunuar 2,656 tonë mallra. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i pasagjerëve është rritur me 18.2%, ATM-të me 10.6% dhe kargo me 13%.
Këto janë shifra më se të kënaqshme dhe tregojnë rritje të rëndësishme, të cilat do të çojnë drejt investimeve të mëtejshme në aeroport.
A keni kërkesa nga kompani të tjera aviacioni për të nisur fluturimet në Aeroportin e Rinasit?
Me synimin që të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm të trafikut të ngarkesave dhe atij të pasagjerëve, Tirana International Airport (TIA) po zhvillon politikën e saj të suksesshme të prezantuar në vitin 2005 mbi promovimin e kompanive ajrore.
Kjo politikë promovimi e kompanive ajrore është e vlefshme që nga data 1 korrik 2010. Nëpërmjet uljes së taksave, TIA fton kompanitë të ofrojnë shërbime shtesë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke përfituar nga kostot e ulëta të operimit.
Pse në Shqipëri nuk kanë hyrë ende kompani low-cost, të cilat janë prezente në disa vende të rajonit si “Easy Jet”, “Ryan Air”? A kanë treguar interes ata për në Shqipëri?
Aktualisht janë disa linja ajrore të ashtuquajtura low-cost që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku më e rëndësishmja me më shumë destinacione, është linja ajrore vendase “Belleair”,
gjithashtu operojnë dhe kompani të tjera low-cost si “Air One”, apo “JetAir Fly”. Përveç tregut italian, është një sfidë e madhe për Shqipërinë të përshtatet me ekonominë e shkallës – model biznesi – në bazë të të cilit operojnë “Easy Jet” dhe “Ryan Air”.
Në momentin kur Shqipëria do të bëhet vend edhe më interesant për turizëm dhe biznes dhe kërkesa për fluturime drejt vendit do të rritet, mundësitë për zgjedhje të pasagjerëve do të shtohen dhe si pasojë, do të ketë zhvillime të reja në tregun low-cost.
Qeveria ka shprehur gatishmërinë dhe interesin për ndërtimin e një aeroporti të ri në vend, si e vlerësoni idenë për një aeroport të ri në vend?
TIA ka qenë gjithmonë e hapur për diskutime me qeverinë në lidhje me çështjen në fjalë dhe ka treguar gatishmëri për të negociuar mbi ekskluzivitetin e saj në fluturimet ndërkombëtare.
Në të kaluarën, qeveria e Shqipërisë dhe TIA kanë rënë dakord për të vlerësuar mundësitë për aeroporte të mëtejshme në vend.
Në mënyrë që të realizohet një vlerësim cilësor, qeveria shqiptare dhe TIA kanë kërkuar së bashku një parashikim të trafikut ajror, duke u përqendruar në potencialin e tregut në rajone të tjera të vendit. Studime dhe analiza të mëtejshme do të kryhen në të ardhmen.
Pas përfundimit të studimeve, të gjitha palët e përfshira do të diskutojnë mundësitë në dritën e rezultateve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.