Aftësia paguese e borxhit të jashtëm e ekonomisë shqiptare është në përmirësim të ndjeshëm gjatë këtij viti.
Një analizë e Bankës së Shqipërisë evidenton se treguesit e aftësisë ripaguese afatgjata janë kthyer në një tendencë përmirësuese gjatë tremujorit të dytë 2021, të ndikuara nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik pasqyruar në tregues të përmirësuar të eksporteve dhe të ardhurave fiskale.
Sipas llogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, raporti i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve arriti në 183.3% me një rënie 8.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe 38.1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021. Kjo lidhet sidomos me rigjallërimin e fortë eksportues gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Një panoramë e ngjashme vihet re edhe në rastin e treguesve të borxhit ndaj të ardhurave fiskale. Raporti i borxhit të jashtëm bruto kundrejt të ardhurave fiskale ra në 233%, me një pakësim në terma vjetorë prej 17.6 pikë përqindje dhe në terma tremujorë prej 15.5 pikë përqindje. Gjithashtu, raporti i stokut të borxhit të jashtëm të qeverisë ndaj të ardhurave fiskale është pakësuar në 111.3%, me rënie 14.0 pikë përqindje në terma vjetorë dhe 8.9 pikë përqindje në terma tremujorë.
Ndërkohë, treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditet japin një pasqyrë më të përzier të indikatorëve që tregojnë aftësinë ripaguese në afatin e shkurtër. Për shkak të rritjes së borxhit afatshkurtër, vihet re një rënie e raportit të eksporteve ndaj këtij të fundit. Por, nga ana tjetër, presionet në terma të borxhit të jashtëm neto janë përmirësuar. Raporti i stokut të borxhit neto ndaj PBB-së nominale ra në 12.6%, 2.2 pikë përqindje më i ulët krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, raporti i borxhit neto ndaj eksporteve u pakësua me 5 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Tregues të përmirësuar vihen re edhe në terma të shërbimit të borxhit. Raporti i shërbimit të borxhit të jashtëm ndaj eksportit të mallrave dhe shërbimeve ra në 19.6% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, me një pakësim 3.3 pikë përqindje në terma vjetorë.
Gjithashtu, raportit i zëvendësimit të borxhit të jashtëm u rrit më 137.6%, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Në këtë rast, vihet re një efekt i fortë bazë shkaktuar nga emetimi i Eurobondit gjatë tremujorit të dytë 2020. Kjo gjë kishte shkaktuar edhe një rënie të ndjeshme të raportit të zëvendësimit një vit më parë. Treguesi në fjalë mat zëvendësimin e pjesës së borxhit të ripaguar me tërheqje të re borxhi. Për këtë tregues, raporti nën kufirin 100% tregon një tërheqje më të përshpejtuar të borxhit të ri të jashtëm, krahasuar me pagesat e kryera për amortizimin e tij, ndërsa një raport mbi 100% tregon tendencë në kahun e kundërt.
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se, në vlerë nominale, borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare arriti në 8.97 miliardë euro, me një rritje modeste prej 0.3% krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.