Aftësia paguese e firmave përmirësohet ndjeshëm në tremujorin e dytë, sipas BSH, më e mira në 11 vjet

22/07/2021 2:11 PM 0 komente

Situata e firmave dhe aftësia paguese e tyre u përmirësuan ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit, sipas sondazhit të fundit të Bankës së Shqipërisë me bankat, për faktorët që ndikuan standardet e kredisë për bizneset.

Balanca e përgjigjeve ishte -4.9 në tremujorin e dytë 2020-s, që është niveli më pozitiv që kur Banka e Shqipërisë e raporton këtë tregues në 11 vjet. (Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një tremujor të caktuar.)

Balanca më negative u regjistrua në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit të kaluar (duke arritur në -50.7 në tremujorin e tretë), që përkon me periudhën kur bizneset po vuanin pasojat e karantinës dhe tkurrjes së konsumit e reduktimit të porosive nga eksportet, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia.

Në të njëjtën linjë është përmirësuar dhe perceptimi i rrezikut, me balancën e përgjigjeve që rezultoi -2 në tremujorin e dytë, nga -48.4 në tremujorin e tretë 2020.

Rigjallërimi i ekonomisë pas pandemisë, dhe rritja e fortë e eksporteve, si rrjedhojë e përmirësimit të konjukturës së çmimeve në tregjet ndërkombëtare e shtimit të kërkesës nga partnerët e huaj i kanë dhënë frymëmarrje bizneseve, që kaluan një vit të vështirë.

Kjo situatë ka ndikuar pozitivisht dhe në sjelljen e sistemit bankar ndaj sipërmarrjeve. Bankat raportuan një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, për herë të parë pas pesë tremujorësh në shtrëngim të vazhdueshëm.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti lehtësimi i standardeve u shfaq si për kreditë dhënë për financimin e investimeve, ashtu dhe ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of