Aftësimi për jetën, “ilaçi” që iu duhet të rinjve shqiptarë
Trajnimet për aftësimin e jetës që jane zhvilluar, nga 2016, janë një shans që po shfrytëzohen më së miri nga të rinjtë shqiptarë, për të mos shkuar të papërgatitur në tregun e punës. Aftësimi për jetën po iu mundëson këtyre të rinjve të fitojnë jo vetëm aftësitë praktike profesionale, por edhe ato jetësore dhe sociale, në përputhje me kërkesat e punëdhënësve.
Nikolini së bashku me motrën dhe katër bashkëmoshatarë nga qyteti i Shkodrës po përjetojnë një përvojë që po u ndryshon jetën. Ata prej tre vitesh po fitojnë aftësitë për jetën falë mendimeve, përvojave, ndjesive, sugjerimeve dhe eksperiencës së fituar gjatë pjesëmarrjes në trajnimet e organizuara nga projekti “Fuqizimi i të Rinjve’ financuar nga Bulgari dhe që po zbatohet prej 5 vitesh në Shqipëri nga organizata ndërkombëtare Save the Children në partneritet me fondacionin “Ndihmë për Fëmijët”.“Në moshën 13 vjeçare nuk arrija dot të kontrolloja reagimet agresive të të shprehurit në komunikim me të tjerët. Isha gjithmonë i nevrikosur dhe dëshiroja të qëndroja vetëm në shtëpi. Pas 3 vitesh të ndjekjes të kurseve për aftësimin e jetës, jo vetëm që arrij të vetëkontrolloj emocionet, të jem i komunikueshëm, të arsyetoj me qetësi, por jam duke ndjekur shkollën e mesme profesionale “Ndre Mjeda” në degën Teknologji Ushqimore. Në të ardhmen dëshiroj të bëhem teknologu më i dëgjuar i qytetit tim. Tashmë perspektivën time e shoh më me pozitivitet”, tregon Nikolin Franja 16 vjeçari nga Shkodra. Shtylla kryesore e kësaj nisme është aftësimi i të rinjve për jetën dhe tregun e punës, duke u mësuar në radhë të parë që të kenë një koncept pozitiv për veten, vetëkontrollin, aftësitë në zgjidhjen e problemeve dhe marrjen e vendimeve të duhura, të komunikimit dhe aftësitë sociale. . Të mësuarit mbi këta elementë të aftësimit për jetën janë shfrytëzuar më së mirë nga të rinjtë e Shkodrës për t’u integruar lehtësisht në tregun e punës.“Unë kam filluar punë në moshën 19 vjeçare në një butik. Ngaqë transmetova besim të punëdhënësja, shumë shpejt ajo më ofroi rolin e menaxheres të butikut. Ngritjen në detyrë e përjetova si arritjen time më të madhe, por kur hapa vetë dyqanin tim të parukerisë, atëherë kuptova se kjo ishte arritja më e madhe”, pohon Xhenisa Mihilli 23 vjeçarja, pronare e një salloni bukurie prej qershorit të 2020.Falë zhvillimit të aftësive për jetën dhe menaxhimit të parasë, Xhenisa me iniciativën e saj, arriti të përfitonte nje grant, prej 500,000 lekë, për të siguruar ambientet e biznesit, mjetet e punës për ofrimin e shërbimeve si: make up, stilim flokësh apo edhe trajtim të thonjve. Xhenisa mori pjesë edhe në një trajnim për fillimin e biznesit, ku mësoi çfarë të synojë (ajo më herët ndoqi edhe një kurs për rrobaqepësi, por në këtë profesion nuk e gjeti veten) dhe si ta administrojë sa më mirë sipërmarrjen e saj. Sot ajo punon së bashku me dy motrat në dyqanin e saj dhe pavarësisht krizës nga pandemia shfaqet optimiste për jetëgjatësinë e aktivitetit të saj.
Edhe Mark Antonoi Kristoferi, 21 vjeçari nga Shkodra që ndjek prej 2019 rregullisht trajnimet e aftësimit të jetës është i gatshëm të “shpërthejë” në tregun e modelimit të flokëve për meshkujt me brandet më të reja të kohës. Marku tashmë me ndihmën e projektit përfundoi ndjekjen e kursit profesional për berber dhe ka realizuar praktikën në një prej berberave të zonës. “Dëshiroj të aplikoj kur të më jepet mundësia për përfitim granti, pasi dua të hap një dyqan si berber, një profesion që e aspiroja që në adoleshencë. Jam konsultuar edhe me ekspertët e projektit të cilët më kanë dhënë shumë informacione për mënyrën sesi funksion një biznes. U jam shumë mirënjohës pasi orientimet e tyre ishin të vlefshme edhe në një moment kyç të jetës sime, kur më duhet të zgjidhja mes qëndrimit në Shqipëri apo largimit jashtë vendit.”Mungesa e orientimit në adoleshencë, sidomos pas përfundimit të arsimit 9 vjeçar mund të kthehet në një bumerang për vetë shoqërinë shqiptare, por edhe për të ardhmen e punësimit të të rinjve. Kjo do të rriste edhe më shumë problemet e emigracionit për Shqipërinë, ku për të gjetur një vend pune më të mirë ky target grup gjithnjë e më shumë do të synojë emigracionin. Në këtë aspekt në mbajtjen e kurseve për aftësimin e jetës të rinjve u mësohet se që të bëhesh i zoti i vetes, duhet të kesh një qëllim, që dëshiron ta realizosh. Gjatë zhvillimi të kurseve për aftësimin e jetës përcaktimi i qëllimeve konsiderohet shumë i rëndësishëm, veçanërisht në vendin e punës. “Nëse të rinjtë aftësohen të vendosin çfarë duan të arrijnë, duke përcaktuar qartësisht qëllimet e tyre të forta, kjo tregon se ata kane arritur te formojne një karakter më të fortë dhe kthjelltësi në të menduar. Me vendosmërinë dhe dëshirën për të arritur diçka, këta të rinj sot janë kthyer në modele edukimi për motrat dhe vëllezërit e tyre, gjithashtu dhe janë shtyllë mbështetëse për familjet e tyre me të ardhura te pakta ekonomike.
Modeli i karakterit të fortë, i njeriut që realizon atë që dëshiron është rasti i 22 vjeçarit nga fshati Shllak i Shkodrës.Eduart Tavasia që në moshë të vogël kishte njohuri për rritjen e bletëve dhe prodhimin e mjaltit. Tradita shumëvjeçare e zonës ishte kultivuar te Eduarti nga familja e tij. Fale projektit “Për fuqizimin e të rinjve” ai arriti të përfitojë para dy vitesh 200,000 lekë për ngritjen e bletarisë. Eduarti prej 3 vitesh ndoqi rregullisht kurset e aftësimit të jetës dhe ato të trajnimit të biznesit. Ai shprehet se në këto projekte formësoi guximin dhe sigurinë për të ecur përpara.“Në fillimet e biznesit hasa disa vështirësi që kishin të bënin me rritjen e bletëve dhe prodhimin e mjaltit. Më pas u shfaq Covid-19 dhe vendosja e karantinës të detyrueshme vështirësoi importin e mjaft ilaçeve që përdoren për sëmundjet e bletëve. Por pavarësisht këtyre vështirësive, falë mbështetjes kam arritur ta rikuperoj ndjeshëm këtë situatë. Aktualisht kërkesat për mjaltin e gështenjës dhe të luleve janë të shumta, sa ka ditë që fluksi i tyre është gati papërballueshëm. Me rritjen e xhiros arrita të realizoja disa investime për përmirësimin e kushteve në kosheret e rritjes të bletëve. Ecuria e aktivitetit edhe në të ardhmen mendoj se do të jetë tepër pozitive”, nënvizon Eduarti.Edhe aftësia për të stërvitur mendjen që të “punojë” në mënyrë krijuese, ndihmon më së shumti në zgjidhjen e problemeve, rrit komunikimin dhe thyhen klishetë. “I jam shumë mirënjohëse psikologëve të projektit për aftësimin e jetës që na kanë ndihmuar sesi të reagojmë ndaj shumë situatave apo ngjarjeve të jetës të përditshme, por edhe fenomeneve natyrore, siç ishte ngjarja e tërmetit të 26 nëntorit”, pohon Luana Mataj 18 vjeçarja e apasionuar pas rritjes të bletëve dhe estetikës.Kudo në botë edhe në Shqipëri, punëdhënësit raportojnë se i vlerësojnë shumë aftësitë e nevojshme për pozicione pune të reja, të cilat nuk lidhen vetëm me njohuritë akademike dhe aftësitë teknike bazë, por edhe aftësi njohëse të avancuara (përfshi këtu, të menduarit kritik, efikasitetin dhe drejtimin) dhe një bashkësi të caktuar sjelljesh, qëndrimesh, karakteristikash dhe vlerash (referuar kolektivisht si aftësi socio-emocionale), duke përfshirë, ndër të tjera, sinqeritetin, punën në grup, përpikërinë dhe përgjegjësitë. Prej 3 vitesh trajnimet për aftësitë për jetën, po i përgatisin më së mirë këta të rinj për të garuar, për të përballuar vështirësitë në punë, për të punuar mirë me të tjerët dhe për t’iu përshtatur çdo mjedisi pune. Modeli i projektit që po zbatohet nga Save the Children, si të ecësh përpara, si të bëhesh i zoti i vetes është i duhuri dhe i domosdoshëm për Shqipërinë. Projekti ka qenë efektiv per sa i takon identifikimit dhe trajtimit të të rinjve që ndodhen në pozita të pambrojtura përmes ofrimit të mundësive për rritjen e faktorëve psikologjikë, por edhe mbështetjes me grante të sipërmarrësve të rinj në bashkitë e Shkodrës, Malësisë së madhe, Vau i Dejës, Elbasanit, Cerrikut dhe Gramshit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.