Agjencia e BE-së për drogat (EMCDDA) dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në mënyrë më aktive për monitorimin e fenomenit të drogës në të ardhmen, në sajë të një Marrëveshjeje Pune të arritur sot në Vjenë. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga Drejtori i EMCDDA-së Alexis Goosdeel, nga Zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, dhe Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Delegacionin e Bashkimit Evropian pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, në prani të ambasadorit të BE Didier Lenoir.
Marrëveshja e punës e ka zanafillën nga një kërkesë që Ministria e Brendshëm e Shqipërisë i dërgoi Drejtorit të EMCDDA-së në vitin 2017 dhe vijoi me miratimin e saj nga Komisioni Evropian dhe Bordi Drejtues i EMCDDA-së. Ndërkohë që agjencia ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera të treta, kjo është kërkesa e parë e këtij lloji nga Ballkani Perëndimor. Marrëveshja e re parashikon shkëmbimin e ekspertizës ndërmjet subjekteve në fjalë dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mbledhjes së të dhënave lidhur me drogat dhe raportimin e kapaciteteve në vend.
EMCDDA filloi bashkëpunimin me Shqipërinë në vitin 2007, në kuadër të projekteve të asistencës teknike të financuara nga BE, të planifikuara për të përgatitur vendet e Ballkanit Perëndimor për tu pranuar në BE (dhe për të marrë pjesë në punën e EMCDDA-së dhe rrjetit Reitox). EMCDDA dhe Shqipëria po bashkëpunojnë për të konsoliduar kapacitetin e Shqipërisë për të monitoruar fenomenin e drogave nëpërmjet përdorimit të mjeteve dhe njohurive të bazuara në prova, të ndërtuara dhe promovuara brenda BE-së. EMCDDA dhe Shqipëria gjithashtu do të shkëmbejnë të dhëna për substancat e reja psikoaktive, si dhe ekspertizë për krijimin e një sistemi kombëtar të paralajmërimit të hershëm.
Ndërkohë që në Shqipëri nuk është krijuar asnjë observator formal kombëtar për drogat, në përputhje me linjat e një pike kombëtare fokale Reitox, EMCDDA ka krijuar marrëdhënie të ngushta pune me Ministrinë e Brendshme dhe me Institutin e Shëndetit Publik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bashkëpunim çoi në financimin e anketës së parë të përgjithshme të popullsisë mbi përdorimin e drogave në Shqipëri në vitin 2014 si dhe përgatitjen e një Raporti Kombëtar për Drogat në vitin 2017 sipas udhëzimeve të EMCDDA.
Shqipëria është një nga gjashtë vendet kandidate dhe kandidate potenciale për në BE, që aktualisht merr ndihmë në kuadrin e projektit EMCDDA IPA6, që filloi në korrik 2017 dhe do të zgjasë deri në qershor 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.