Kërkesat dhe dokumentacioni për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen dhe kufijtë do të shqyrtohen brenda 1 muaji nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton afatin prej 30 ditësh për vendimmarrje, por nëse kërkesa shoqërohet me të meta, aplikuesi duhet të plotësojë ato brenda 10 ditësh.
Për regjistrimin fillestar të këtyre pasurive të paluajtshme, aplikuesi duhet të dorëzojë pranë Agjencisë të Kadastrës Shtetërore dokumentet e pronës që do të përcaktohet sipërfaqja; pronat kufitare dhe paraqitjen hartografike të tyre dhe dokumente hartografikë ndihmëse sa më të hershme që mund të gjenden pranë arkivave të institucioneve.
Vendimi përcakton se për përmirësimin e të dhënave të një pasurie të paluajtshme të regjistruara duhet të paraqitet titulli i pronësisë dhe planvendosja apo skica për të përcaktuar sipërfaqen.
Për efekt të këtij vendimi, konsiderohen pasuri të paluajtshme pa sipërfaqe të përcaktuar janë: a) pasuritë, për të cilat në asnjë nga aktet e fitimit apo kalimit të pronësisë nuk është shprehur sipërfaqja dhe nuk ka skicë/planvendosje shoqëruese ose, edhe nëse ka skicë/planvendosje shoqëruese, ajo ka mangësi teknike-hartografike që e bëjnë të pamundur përcaktimin e sipërfaqes; b) pasuritë, për të cilat në aktet e fitimit të pronësisë është shprehur sipërfaqja, por nuk e ka skicën/planvendosjen shoqëruese me paraqitjen grafike të sipërfaqes përkatëse.
Procedura e përcaktimit të sipërfaqes dhe të kufijve
-Dokumentet për përcaktimin e sipërfaqes, që administrohen gjatë regjistrimit fillestar ose përmirësimit, kanë të bëjnë me: a) pronën që do të regjistrohet; b) pronat kufitare dhe paraqitjen hartografike të tyre; c) dokumente hartografikë ndihmëse/orientuese sa më të hershme që mund të gjenden pranë arkivave të institucioneve që kanë lëshuar titullin e pronësisë ose arkivave të tjerë shtetërorë, nëse ka të tilla; ç) aktine verifikimit në terren, sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi; d) deklaratat noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.
-Kur nuk mund të merren deklaratat apo ka mosmarrëveshje me kufitarët për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga Agjencia e Kadastrës Shtetërore (ASHK-ja), duke iu referuar dokumentacionit të mësipërm dhe verifikimit në terren. Në këtë rast, procedura për përcaktimin e sipërfaqes është pjesë e procesit të regjistrimit fillestar ose përmirësimit dhe kryhet duke bërë të njëjtat verifikime si pikat vijuese të këtij kreu.
– Në zonat me regjistrim fillestar të kryer, kërkesa e subjektit të interesuar apo përfaqësuesit të tij për përcaktimin e sipërfaqes dhe kufijve duhet të shoqërohet nga: a) titulli i pronësisë, në rastet kur pasuria e paluajtshme regjistrohet për herë të parë ose dokumenti i regjistrimit, në rastet kur pasuria e paluajtshme figuron e regjistruar në regjistrat kadastralë; b) planvendosja, skica apo çdo dokument tjetër hartografik që shoqëron titullin e pronësisë, nëse ka të tillë, pavarësisht nëse është i pamjaftueshëm më vete, për të përcaktuar sipërfaqen, sipas parashikimit të shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi; c) dokumente të tjera hartografike ndihmëse/orientuese nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, arkivi shtetëror ose institucionet shtetërore që kanë lëshuar titullin, nëse ka të tilla;ç) dokumentacioni hartografik i pasurisë së paluajtshme –planrilevimi, që miratohet nga drejtoria vendore e ASHK-së;d) deklaratat noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë, që pretendohet të regjistrohet.
– Për përcaktimin e sipërfaqes, drejtoria vendore e ASHK-së kryen veprimet e mëposhtme: a) verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi pranë institucioneve shtetërore apo noterit; b) kryen verifikimin në terren të pasurisë, për të cilën saktësohet sipërfaqja;c) mbështetet për orientim në kufijtë e pronave kufitare, titujt e të cilave e kanë të përcaktuar sipërfaqen respektive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.