Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të rishikojë manualin e kontabilitetit, me programe shtesë për administrimin e fondit të ndërhyrjes të jashtëzakonshme dhe për përditësimin e politikave kontabël sipas standardeve ndërkombëtare.
Për shërbimin e kërkuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) është shpallur tenderi me vlerë 1,2 milionë lekë për kontraktimin e operatorit ekonomik që do të përgatisë manualin e rishikuar të kontabilitetit. Afati i fundit i pranimit të ofertave do të jetë 14 shtatori 2020. Kontrata me operatorin fitues do të lidhet për një afat 3-mujor.
“Qëllimi i këtij shërbimi është rishikimi rrënjësor i manualit ekzistues me qëllim reflektimin e ndryshimeve të ndodhur në strukturën e fondeve të Agjencisë (Fondi Banka, Fondi SHKK) dhe shtimin e aktivitetit administrues të Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme nga Agjencia, përditësimin me politikat kontabël dhe ndryshimet e rëndësishme të ndodhur me standartet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar, përditësimin me kërkesat ligjore të ndryshime të ndodhura në Ligjin 25/2018 per Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare, përfshirjen e rregjistrimeve kontabël dhe raportimit financiar në një ngjarje kompensimi dhe ndërhyrje të jashtëzakonshme, përfshirjen e rregjistrimeve kontabël dhe raportimit që lidhen me ndryshimet e ndodhura në aktivitetin operacional dhe investues të Agjencisë etj”,shpjegohet në dokumentet e tenderit.
Manuali kontabël i Agjencisë është miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave në prill të vitit 2005 dhe është rishikuar në vitin 2012. Ky manual përcakton: parimet kryesore të kontabilitetit në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave; politikat kontabël të aplikueshme; parimet e përgjithshme të mbajtjes së llogarive kontabël; planin e llogarive kontabël; përmbajtjen dhe funksionin e llogarive kontabël; standartet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe kontabilitetit mbi bazën e të cilave mbahen rregjistrimet kontabël; veprimet bazë kontabël të Agjencisë të shpjeguara me skemë kontabël (debi, kredi); hartimi i katër pasqyrave kryesore, parimet që drejtojnë procesin e hartimit si edhe shpjegimet përkatëse të tyre; udhëzime të detajuara për plotësimin e pasqyrave financiare.
Rikonceptimi i strukturës së manualit ekzistues do të kryehet nga operatori ekonomik i kontraktuar duke marrë në konsideratë këto standarde:
-Kërkesat ligjore dhe nënligjore mbi të cilën mbahen llogaritë dhe rregjistrat kontabël të Agjencisë dhe Fondit të ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
-Politikat kontabël të Agjencisë dhe FNJ të mbështetura në SNRF-të.
-Procedurat kontabël të cilat sigurojnë interpretimin e detajuar dhe aplikimin e standarteve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar për Agjencinë dhe FNJ. Procedurat Kontabël duhet të strukturohen në një mënyrë të tillë që lidhin zërat e Pasqyrave Financiare të Agjencisë dhe FNJ me standartet e SNRF-së. Këto procedura nuk duhet të përshkruajnë standartin pasi këto të fundit ndryshojnë vazhdimisht, por duhet të përfshijnë detajet e nevojshme që ti vijnë në ndihme punonjesve të kontabilitetit për të kuptuar se si Agjencia i interpreton dhe i aplikon këto standarte.
-Procedurat e detajuara kontabël të cilat detajojnë hap pas hapi veprimet të detajuara për rregjistrimet kontabël për punonjësit e sektorit te financës dhe kontabilitetit, detajimin e llogarive kontabël dhe përgatitjen e Pasqyrave Financiare periodike të Agjencisë dhe FNJ, si edhe kontrollet e brendshme që rregullojnë këto aktivitete.
-Dokumentimi i sistemeve të cilat përdoren për rregjistrimet kontabël si edhe raportimin financiar të Agjencisë dhe Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
-Dokumentimi i detajuar kontabël i një ngjarje kompensimi, apo ndërhyrje të jashtëzakonshme duke përshkruar të gjitha veprimet e kryera nga punonjësit e sektorit të kontabilitetit dhe financës, rregjistrimet kontabël, dokumentacionin mbështetës si edhe përgatitjen e pasqyrave financiare për ngjarjen e kompensimit apo të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
Bazuar në ligjin për sigurimin e depozitave, ASD siguron deri në 2,500,000 lekë depozitat e individëve, tregtarëve dhe shoqërive tregtare në çdo subjekt anëtar të skemës së sigurimit dhe deri në 2,000,000 lekë depozitat e individëve, tregtarëve dhe shoqërive tregtare në çdo shoqëri kursim-krediti që është anëtare e skemës së sigurimit. Aktualisht, në skemën e sigurimit të depozitave janë përfshirë shtatë shoqëri kursim krediti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.