Në mbledhjen e fundit të KKT-së, u miratua vendimi “Për harmonizimin e Instrumenteve të Planifikimit Vendor në funksion të ndarjes së re administrativo – territoriale”, me qëllim mbrojtjen e vlerave dhe karakteristikave të territorit dhe interesit publik. Në një deklaratë, drejtoresha e pergjithshme e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca tha se :
“Ky vendim u shoqërua edhe me përcaktimin e disa çështjeve me rëndësi kombëtare në planifikim, sic është mbrojtja e rrugëve interurbane në shkallë vendi nga ndërtimtaria e objekteve dhe e hyrje dajleve pa plan dhe pa kriter.
Këto vendime motivohen nga gjendja e emergjencës në të cilën ndodhet territori shqiptar sot, për shkak të papërgjegjshmërisë qytetare në përgjithësi dhe në veçanti për shkak të abuzimit me ushtrimin e detyrës së Kryetarëve të bashkive e komunave, përgjegjës për administrimin e territorit.
Kryetarët e bashkive dhe komunave me vendimmarrjet e tyre për ndërtime kanë kryer dëme të parikuperueshme dhe kanë cënuar rëndë asetet e territorit të Shqipërisë.
Janë dhënë leje ndërtimi në zona të mbrojtura mjedisore, duke u bërë shkas për degradimin e pasurive natyrore të vendit tonë.
Janë dhënë leje ndërtimi në rrëzë të monumenteve të kulturës, duke dëmtuar dukshëm këto pasuri të trashëguara nga shumë e shumë kohë më parë.
Kryetarët e bashkive dhe të komunave kanë miratuar plane vendore ose plane rregulluese që cënojnë rëndë vijën bregdetare, kanë planifikuar ndërtimtari në tokën bujqësore, në një masë që e dëmton ndjeshëm këtë aset shumë me vlerë për ekonominë e vendit.
Në lejet e dhëna për ndërtim janë shkelur haptazi dhe nuk është marrë fare në konsideratë Kodi rrugor dhe rregullorja në zbatim të tij. Është ndërtuar anë rrugëve interurbane duke shkelur brezat mbrojtës të rrugëve dhe duke cënuar kështu sigurinë në rrugë dhe gjithashtu pronën publike.
Lejet e ndërtimit të dhëna kanë shkelur rëndë distancat nga kufiri i pronës, duke cënuar rëndë të drejtën për zhvillim të pronave fqinje.
Lejet e ndërtimit kanë shkelur rëndë distancat nga objektet ekzistuese duke cënuar të drejtën e banorëve për të gëzuar ajër dhe dritë dielli.
Lejet e ndërtimit kanë cënuar rëndë distancën nga prona publike, lulishte, rrugë apo hapësirë e lirë, duke i konsideruar këto prona si të askujt, ndërkohë që ato janë pronë publike e të gjithë qytetarëve dhe të dedikuara për t’u përdorur nga të gjithë.
Në kuadër të Ligjit të Ri të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, AKPT dhe MZHUT por rishikojnë të gjitha normat dhe standartet për ndërtimin në mënyrë që të mos ndodhin më shkelje të tilla flagrante që cënojnë rëndë të drejtat pronësore dhe pronën publike.
Masat ndëshkimore për këdo që kryen shkelje të tilla do të jenë të rënda në vijim.
Lejet e ndërtimit kanë shkelur edhe parashikimet dhe rregullat e përcaktuara nga planet vendore, ose planet rregulluese të bashkive e komunave.
Kemi raste kur lejet e dhënë janë edhe 4 kate shtesë nga ajo që parashikon plani vendor.
Ligjshmëria e vendimeve të marra nga kryetarët e bashkive dhe komunave është një problem tjetër shumë i madh.
Shumë kryetarë bashkish e komunash kanë firmosur letra, të cilat nuk mbështeten në ligjin e planifikimit dhe si rrjedhojë janë akte të pavlefshme. Mbi bazën e këtyre letrave janë gënjyer qytetarë dhe investitorë se kanë marrë leje për të ndërtuar objekte. Ndërkohë që ajo që kanë marrë në dorë është vetëm një letër me firmë që nuk ka vlerë ligjore, sepse nuk ka ndjekur procedurën e ligjshme dhe nuk është e mbështetur në ligjet e miratuara nga shteti shqiptar.
Në ditët në vijim do të denoncojmë disa prej këtyre rasteve me shkelje të rënda të ligjeve të shtetit dhe gjithë lejet e pavlefshme të dhëna nga kryetarët e bashkive dhe të komunave në vend.
Do t’ju tregojmë me raste konkrete se pse janë mjaft të rëndësishme vendimmarrjet e fundit të KKT-së.
Nderkohe, Ftojme qytetaret te mos vene ne zbatim leje te paligjshme, ne shkelje te planeve dhe ligjeve te shtetit shqiptar, pasi kjo mund te sjelle pasoja te renda ekonomike ne kurriz te vete ketyre qytetareve.
AKPT eshte ne dispozicion per t’i dhene cdo personi te interesuar informacionin e nevojshem rreth studimeve te miratuara deri me sot per territoret perkatese dhe legjislacionin e detyrueshem per zbatim ne fushen e ndertimit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.