Agjencia Kadastrale shton numrin e projekteve

27/09/2014 9:00 AM 0 komente

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK), organ kompetent për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, për kadastër dhe hartografi, është duke zhvilluar projekte të rëndësisë së madhe si për institucionet e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe për qytetarët e saj.
Në mesin e projekteve të mëdha janë Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale, Krijimi i Kadastrit të Ndërtesave, SIKTK, Sistemi i Unifikuar i Adresave etj. Njëherësh, falë zhvillimeve të shpejta teknologjike edhe shërbimet e ofruar qytetarëve janë duke u shtuar, duke pasur për qëllim qasjen sa më të shpejtë në të dhëna të sakta, kualitative dhe të sigurta. Dy prej shërbimeve kryesore janë KOPOS-i (pozicionimi satelitorë i Kosovës) dhe Gjeoportali.
KOPOS-i mundëson lokalizimin e pikave me saktësi të madhe, matje kadastrale në kohë reale, e ngjashëm. Ndërsa shërbimi i dytë, Gjeoportali Shtetërorë, mundëson qasje në të dhëna hapësinore përmes internetit. Aktualisht, thuaja se secili qytetar i Republikës së Kosovës përmes internetit mund të ketë qasje në parcelën e tij, respektivisht sipërfaqen e pronës, numrit të parcelës, e ngjashëm.
Edhe qasja në informacione mbi rrugët e tërë territorit të Republikës së Kosovës, qasja në fotografi ajrore, qasja në informacione gjeografike për Komunat e Kosovës, Zonat Kadastrale, lumenjtë, hekurudhat, mund të bëhet përmes një klikimi në internet. Po ashtu, paralelisht me ofrimin e shërbimeve dhe me implementimin e projekteve të reja, po bëhet edhe monitorimi i rezultateve të dhëna si dhe matja e kënaqshmerisë së shfrytëzuesve të shërbimeve dhe projekteve kadastrale.
Anketimet vjetore të cilat zhvillon AKK-ja në baza vjetore tregojnë se paralelisht me krijimin e produkteve dhe shërbimeve, duhet mbajtur edhe fushata ndërgjegjësimi të cilat përshkruajnë në detaje benefitet nga projektet e tilla e ngjashëm. Duke e konsideruar interesin publik mbi të gjitha, AKK është e mendimit se njerëzit e medieve janë palë kryesore e interesit të cilët do të mund të ngrisin vetëdijen e qytetarëve për shfrytëzimin e produkteve dhe shërbimeve kadastrale.
Për këtë arsye, të premten, Agjencia Kadastrale e Kosovës në bashkëpunim me kompaninë e marketingut “Republika”, ka organizuar një takim pune me përfaqësuesit e medieve, me të cilët është dikutuar mbi projektet dhe shërbimet aktuale, janë paraqitur sfidat dhe janë trajtuar fushat e interesit publik dhe roli i madh që mediat mund të kenë ngritjen e vetëdijes së qytetarëve.
AKK-ja ndan mendimin se një qytetar i mirë informuar, pos që do të ketë benefite të mëdha për vete, do të ishte edhe një kujdestar mbi produktet dhe shërbimet, duke na detyruar që të i kushtojmë rëndësi të madhe edhe kualitetit të punëve të cilat i kryejmë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of