Subjektet dhe qytetarët që do të kërkojnë lëshim ekstrakti informues nga sistemi i pasurive të paluajtshme për pronat, shërbim që do të ofrohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të paguajnë tarifën prej 1,100 lekë.
Tarifa prej 1,100 lekë do të paguhet edhe nga fermerët për lëshim ekstrakti informues nga sistemi i pasurive të paluajtshme për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për projektin “Nafta për bujqësinë”. Vendimi me shërbimet shtesë që do të ofrohet nga kadastra e pronave dhe tarifat është botuar në Fletoren Zyrtare.
Të gjitha subjektet e interesuara, duke përfshirë edhe institucionet publike, e paraqesin kërkesën për shërbime kadastrale në rrugë digjitaleon-line, nëpërmjet platformës e-Albania. Tarifa e shërbimit paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për shërbim nga subjekti i interesuar ose në momentin e dhënies së pëlqimit për përfitimin e shërbimit nëpërmjet noterit.
Në rast se kadastra vonon kthimin e përgjigjes përtej afatit të përcaktuar në ligj për shërbimet e reja nuk do të aplikohen kamatvonesa. Aplikimi i kamatëvonesës është sa 10% e tarifës/ditë vonesë, por jo më shumë se 300,000 lekë. Afati 30 ditor pas të cilit aplikohen kamatëvonesat sipas nenit 25, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, si rregull llogaritet nga data e miratimit të aktit të pronësisë/të drejtave reale. Përjashtimisht, për titujt që burojnë nga aktet administrative, ose nga vendimet gjyqësore, nëse subjektet e interesuara provojnë se janë njoftuar në një datë të mëvonshme, llogaritja nis nga data e njoftimit të aktit/vendimit në përputhje me rregullat e Kodit të Procedurave Administrative ose Kodit të Procedurës Civile.
Vendimi parashikon se tarifa 1,100 lekë do të paguhet edhe nga fermerët për lëshim ekstrakti informues nga sistemi i pasurive të paluajtshme për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për projektin “Nafta për bujqësinë”.
Më 25 shkurt përfundon afati i aplikimeve të fermerëve në e-Albania për përfitimin e naftës falas. Formulari i aplikimit online bazohet te vetedeklarimi i parcelave të kultivuara sipas kulturave bujqësore që parashikon skema e naftës për bujqësisë. Disa ditë para përfundimit të procesit nga qeveria është miratuar tarifa që duhet të paguajnë fermerët për të përfituar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) aktin e konfirmimit të regjistrimit të pasurisë.
Dokumentacioni që duhet të ngarkohet në sistem nga femerët është në varësi të statusit të pronësisë apo përdorimit të tokës bujqësore, për të cilën aplikohet dhe statusit të regjistrimit në ASHK. Aplikuesi që ka në pronësi tokën bujqësore në emrin e tij dhe ka marrë certifikatë pronësie për vertetimin e certifikatës të pronësisë nga AKSH, e cila do të ngarkohet automatikisht në e-Albania do të paguajë tarifën 1,100 lekë. E njëjta tarifë do të paguhet edhe nga aplikuesi që ka AMTP për tokën bujqësore të lëshuar në emër të tij i përfaqësues i tokës bujqësore.
Nga pagesa e tarifave për shërbimet kadastrale që ofrohen për regjistrimin e pasurive të subjekteve përfituese përjashtohen vetëm pronat e prekura nga fatkeqësisë natyrore. Vlera e këtyre tarifave kompensohet nga buxheti i shtetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.