Pjesa më e madhe e agjencive të publicitetit në vend kanë parë rënie dyshifrore të të ardhurave të tyre në vitin 2013, duke reflektuar tkurrjen e shpenzimeve të kompanive kryesore, kryesisht atyre celulare , por edhe një ndryshim të mënyrës së faturimit, duke e kaluar direkt faturën nga klienti te media dhe duke regjistruar vetëm komisionin e agjencisë.
Qarkullimi vjetor i 13 agjencive kryesore publicitare në vend ra me 22% me bazë vjetore në vitin 2013 (shiko tabelën: Të ardhurat e agjencive kryesore publicitare në vend, lekë). Aktiviteti i agjencive është shumë i luhatshëm, në varësi të klientëve që mund të humbin, apo fitimit të të rinjve. Pjesa më e madhe e qarkullimit të tyre vjen nga blerja e hapësirave publicitare, por që sipas aktorëve të tregut ka dhe marzhin më të ulët të fitimit, ndërsa më fitimprurëse janë shërbimet e tjera si kërkimi, krijueshmëria dhe prodhimi i spoteve etj., të cilat gjithnjë e më shumë kanë filluar të ofrohen nga agjencitë në vend. Kompanitë përgjithësisht deklarojnë marzhe fitimi prej 5-10%, po ka dhe nga ato që arrijnë një normë fitimi 20-40%.
Kompania më e madhe në këtë kategori është Optimum Media, që kryen blerjen e hapësirave publicitare të disa klientëve të mëdhenj, si Vodafone, Alpha Bank, etj. Qarkullimi i saj vjetor ishte 657 milionë lekë, me një rënie me 19% me bazë vjetore.
E dyta është Unlimited Media, me të ardhura prej 343 milionë lekësh, tkurrje 5% me bazë vjetore.
Kompania e tretë më e madhe në vend, Ogilvy, ka deklaruar një rënie me 68%, në 184 milionë lekë. Kompania ka si klient kryesor AMC.
Rritje të ndjeshme ka shënuar Mc Cann Tirana, qarkullimi vjetor i së cilës u zgjerua me 260% në 162 milionë lekë, teksa agjencia ka zgjeruar bazën e saj të klientëve.
Pas saj renditet Landmark Communication, edhe ajo me rritje të ndjeshme prej 87%, në 138.5 milionë lekë.
Rajoni
Në Maqedoni, tregu total i reklamës (TV, radio, print, outdoor, dixhital etj.) vlerësohet në rreth 40-50 milionë euro në vit, në një popullsi prej 2.1 milionë banorësh. Ky vlerësim bëhet nga agjencitë profesioniste.
Në Mal të Zi, tregu i televizioneve vlerësohet në rreth 9 milionë euro, në një popullsi prej 600 mijë banorësh. Dy televizione publike dhe dhjetë TV lokale konkurrojnë për të tërhequr këtë shumë, sipas një raporti të IREX (të dhënat për vitin 2012).
Në Serbi, tregu i reklamës qëndroi në vend në vitin 2012, teksa televizionet, shtypi i shkuar dhe interneti, së bashku me outdoor, fituan neto 172 milionë euro, sipas një studimi të Nielsen. Tregu e ka arritur kulmin në vitin 2008, në 206 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.