Flet Genti Beqiri, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve
Gati një vit më parë, qeveria shqiptare nënshkroi me homologen e saj kineze një marrëveshje, e cila i hapte rrugë financimeve kineze në disa projekte shqiptare, që do të nisnin me autostradën që lidh Tiranën me Shkupin. Ishte pikërisht ky projekt që u konsiderua si ai që do të shënonte dhe fillimin e një ‘ere’ të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, historia e të cilave i ka fillesat në periudhën e viteve ‘60-‘70.
Nga Kina, investimet në Shqipëri konsiderohen si pjesë e strategjisë së ekspansionit me projekte infrastrukturore në Europën Qendrore dhe Lindore.
Rruga e Arbërit, zonat e lira ekonomike, por edhe Porti i Durrësit duket se tashmë janë vënë në objektivin e fuqisë më të madhe ekonomike komuniste.
Qeveria shqiptare duket se ka shtuar përpjekjet për të tërhequr investime nga kontinenti aziatik, veçanërisht nga Kina dhe forumi i pak ditëve më parë në Hong Kong e dëshmon këtë…
Kjo lidhet edhe me faktin se është shtuar interesi për investime kineze në pjesën lindore të Europës, si pjesë e ekspansionit të tyre, por edhe e mbartjes së ekonomisë në atë nivel që ata kërkojnë duke qenë se tregu i tyre pothuajse është maturuar. Kërkesa për produkte kineze ka ardhur relativisht duke rënë, si pasojë e krizës ekonomike që ka Europa dhe vende të tjera. Në këto kushte, ata janë duke kërkuar tregje të reja ku mund të investojnë dhe Europa është zgjedhja më e mundshme. Kjo për disa arsye që kanë të bëjnë me vështirësitë që hasen për t’u futur në tregun amerikan, por edhe në pjesën tjetër të Azisë, duke qenë se Japonia, Koreja, etj., kanë kapitalet e tyre. Europa Lindore, në këto kushte, shihet si e vetmja dritare. Për Rusinë shfaqet një interes i pjesshëm për shkak të problemeve politike.
Ndërsa, sa i përket Forumit Ekonomik që u zhvillua në Hong Kong, mund të themi se kjo është dera kryesore nga ku dalin 67% e të gjitha investimeve kineze në botë, publike dhe private drejt vendeve të tjera. Nuk zgjedhin Pekinin, por trajektoren Hong Kong, Shangai dhe pjesën jugore të Kinës. Sipërmarrjet zgjedhin të krijojnë një seli në Hong Kong dhe më pas të zgjerohen në drejtime të ndryshme. Qeveria zgjodhi këtë strategji për të prezantuar potencialin që ka Shqipëria në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte. Në dëshironim të ishim prezent përpara këtyre investitorëve dhe të hynim në axhendën e forumeve apo takimeve të mundshme për t’i ftuar të vizitojnë vendin tonë.
Një nga avantazhet kryesore është se Shqipëria është një vend që njihet për shkak të marrëdhënieve të dikurshme ndaj dhe nuk është e nevojshme që marketimin ta fillojmë nga zero. Duke ju sjellë një shembull: nënkryetari i Dhomës së Tregtisë në Hong Kong ishte një person që kishte qenë në Shqipëri vetëm pak muaj më parë dhe kishte vizituar një sërë qytetesh.
Për cilët sektorë janë të interesuar më shumë kinezët?
Ata janë të interesuar për investime, kryesisht në fusha si energji, minerare dhe infrastrukturë, që Shqipëria i përmbush më së miri. Ne jemi një vend i pasur me burime natyrore dhe ky është një tjetër avantazh, sikundër kemi nevoja të mëtejshme për investime në infrastrukturë. Duhet të mbajmë në konsideratë që biznesi kinez vlerëson si të rëndësishme edhe lidhjen me rrjetin aeroportual, por edhe zonat e lira ekonomike.
Ne nuk i shohim me aq interes investimet kineze në turizëm, pasi ekspertiza e tyre në këtë fushë nuk është një nga pikat e forta. Për këtë arsye, fokusi i tyre është energjia apo edhe burimet natyrore. Megjithatë ne jemi duke krijuar urat lidhëse për të vazhduar më pas në një nivel tjetër, midis AIDA-s, dhomave të tregtisë dhe simotrat në Kinë.
Rruga e Arbërit dhe Zona Ekonomike e Spitallës janë dy projekte ku është shfaqur interesi kinez…
Diskutimet në lidhje me projekte konkrete do të trajtohen në takimin që do të mbahet në fund të nëntorit në Kinë, në Sozhou.
Në këto kushte a duhet të tregohemi më agresivë?
Po, është momenti, jo vetëm për t’u treguar më agresivë, por edhe për t’u prezantuar me projekte më konkrete dhe të detajuara. Megjithatë duhet të kemi parasysh se ne nuk mund t’i japim Kinës mundësi për gjithçka, por duhet të përqendrohemi vetëm tek ato fusha ku ekspertiza e tyre është më e fortë.
Pra, do të donim që prioritet për sektorë të ndryshëm të kishin vende që kanë njohjen dhe potencialin më të mirë të mundshëm.
A mund të shfrytëzohen këto përpjekje edhe për të nxitur më shumë eksportet shqiptare, që duket se hasin vështirësi për të depërtuar në këtë treg?
Ne, nëpërmjet departamentit të NVM-ve dhe Nxitjes së Eksporteve, jemi duke diskutuar në lidhje me këtë me ambasadën e Kinës në Tiranë për të parë problematikën dhe për t’i dhënë zgjidhje. Është shfaqur interes edhe nga disa kompani, që kanë edhe përfaqësi shqiptare në Kinë për të tërhequr produkte shqiptare dhe për t’i shitur në tregun kinez.
Tregu kinez pranon gjithçka, duke përmendur këtu që nga uji i pijshëm.
Në këtë treg çdo gjë është e mundur, mjafton që të gjenden rrugët dhe mekanizmat për t’i bërë këto produkte të shitshme. Megjithatë duhet të theksojmë se nuk mund të shesim në mënyrë individuale, por duhet të futet koncepti i bashkëpunimit, i një forme kooperative. Tregu atje nuk kërkon sasi të vogla, ndaj duhet t’i përgjigjemi edhe me logjikën ekonomike.
Por, kjo kërkon edhe infrastrukturë, e që në rastin konkret duhet të jetë Porti i Durrësit si pika kryesore për punimin e mallrave që i drejtohen këtij tregu gjigant?
Porti i Durrësit do të nisë të bëhet më tërheqës në momentin që do të rrisë kapacitetet përpunuese. Dhe këtu ka shfaqje interesi, por për momentin nuk mund të bëjmë publike më shumë detaje.
Strategjia
Megjithatë duhet të kemi parasysh se ne nuk mund t’i japim Kinës mundësi për gjithçka, por duhet të përqendrohemi vetëm tek ato fusha ku ekspertiza e tyre është më e fortë.
Pra, do të donim që prioritet për sektorë të ndryshëm të kishin vende që kanë njohjen dhe potencialin më të mirë të mundshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.