Biznesi bujqësor në Shqipëri po përballet me një numër të madh pengesash me karakter ligjor, me mungesën e likuiditetit, por edhe pamundësinë për të gjetur tregje të reja. Këshilli i Agrobiznesit në Shqipëri me mbështetjen teknike dhe financiare të IOM (Organizatës Ndërkombëtare të Punës) pikërisht për të identifikuar barrierat kryesore që po has ky sektor ndërmori një anketim bazuar në 3,500 intervista. Nga studimi u identifikuan rreth 15 probleme kryesore, gjithashtu u artikuluan rekomandime drejtuar qeverisë për zgjedhjen e mundshme të tyre.
Një nga problemet kryesore që është vërejtur nga anketimi ka të bëjë me legjislacionin jo të plotë që ekziston në fushën e biznesit. Për biznesin edhe pse janë bërë përpjekje për të përmirësuar kornizën ligjore, përsëri ka vend për përmirësime. Ata kanë vlerësuar si të rëndësishëm ligjin për kooperativat bujqësore që pritet të kenë ndikim të gjerë mbi agrobiznesin.
Një pjesë e madhe e të intervistuarve kanë shprehur si shqetësim mungesën e burimeve të nevojshme financiare. Ata thonë se nuk e kanë të lehtë që të sigurojnë financime pasi bankat nuk ofrojnë kushte të favorshme për këtë biznes. Një pjesë e tyre janë shprehur të frikësuar nga normat e papërballueshme të interesit që kërkojnë bankat.
Spekulimet me konkurrencën e brendshme gjithashtu janë nënvizuar si problematike. Informaliteti, edhe pse është ulur kë dëmtuar biznesin. Shmangia nga detyrimet dhe taksat gjithashtu janë element i trajtuar nga pothuajse të gjithë prodhuesit e sektorit të bujqësisë.
Grupe fermerësh e agropërpunues janë shprehur se konkurrueshmëria është përkeqësuar edhe si pasojë e tarifave relativisht të larta për disa produkte të importit.
Në lidhje me masat nxitëse që ka marrë qeveria, intervistuesit janë shprehur se kanë përkrahje të gjerë ndaj subvencioneve, por edhe pritshmëri për shtimin e tyre që do të çonin në fuqizimin e biznesit.
Për futjen në tregjet e reja, ata janë shprehur se është e nevojshme që të lehtësohen pengesat formale në parketimin e prodhimit, marrjen e certifikatave përkatëse, që kërkojnë nxitje dhe inkurajim nga qeveria.
Për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve janë hartuar edhe rekomandime që kryesisht kanë të bëjnë me aspekte fiskale, si mbështetje deri në 20% për çmimin e blerjes së mjeteve mekanike apo edhe për grande e subvencione.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.