Kur mjaft biznese vendase kanë humbur “terren” dhe po vuajnë pasojat e krizës, agroindustria po pëson një tjetër rrjedhë. Sektori që prodhon produkte ushqimore, që janë edhe mallra të konsumit bazë, po e përballon më së miri krizën.
Gjatë vitit të kaluar, agroindustria realizoi rreth 56.5 miliardë lekë të ardhura, rreth 1.8% më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, ky sektor ka vijuar të rritet pa ndalur në 10 vitet e fundit.
Në agropërpunim, ushtrojnë veprimtari rreth 2273 subjekte, me afro 28 aktivitete prodhuese, përpunuese, shërbimi etj. Rreth 30% tyre janë kompani me më tepër se pesë të punësuar.
TABELA
Viti 2000 2005 2009 2010 2013
Nr.i Ndërmarrjeve 1844 2060 2081 2156 2273
Investimet në sektorin e agroindustrisë gjatë vitit të kaluar pësuan një rritje prej 53%, duke arritur në mbi 800 milionë lekë.Sipërmarrësit vendas tashmë e kanë kthyer vëmendjen në sektorin e bujqësisë, për shkak të shterimit të burimeve të tjera të biznesit. Bujqësia, e cila ka vijuar të rritet me gjithë krizën, po zgjon interesin për të investuar, fakt që konfirmohet nga Banka e Shqipërisë si dhe nga bankat private në vend. Bankat janë duke i riorientuar kreditë e tyre, duke i dhënë prioritet financimeve në bujqësi. Është fakt, se ato përgjithësisht orientohen për të kredituar sektorë që kanë rritje të mirë në treg dhe dega e bujqësisë ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit, me gjithë krizën ekonomike.
Edhe qeveria nisi në 2011-n një sërë politikash mbështetëse për të ndihmuar të kthyerit nga emigracioni që të integroheshin në aktivitetet bujqësore dhe ato të agrobiznesit. Të gjithë përfituesit duhet të paguanin taksën e pronësisë mbi tokën dhe të regjistroheshin në skemat e sigurimeve shoqërore, për të përfituar prej tyre.
Sektorët më “pozitivë”
Por cilët janë sektorët më potencialë të kësaj industrie, që gjatë viteve të fundit kanë shënuar rritje dhe kanë ecur me ritme të shpejta.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë konfirmojnë se industria e qumështit, ujit të ambalazhuar, konservave të peshkut, përpunimit të mishit dhe miellit janë ato që kanë pasur edhe rritjen më të qëndrueshme dhe të shpejtë që prej vitit 2000, duke përfshirë edhe periudhën e krizës, 2008-2011.
Uji, rritje mbi 20%
Industria e ujit të ambalazhuar regjistron rritje të shpejtë në 10 vitet e fundit. Nëse në vitin 2000, në Shqipëri prodhoheshin rreth 387 mijë hektolitra ujë nga fabrikat vendas, sot prodhimi është 2.5 herë më i madh, duke tejkaluar mbi 900 mijë hektolitra. Gjatë vitit 2011, prodhimi i këtij produkti u rrit 18% krahasuar me një vit më parë.
Në këtë industri, investimet kanë qenë të mëdha dhe të shpejta, si pasojë e rritjes së konsumit në familje, por edhe në bare e restorante. Cilësia e keqe e ujit që mbërrin në çezmat e shqiptarëve, sidomos në qytetet e mëdha, ka nxitur konsumin e ujit të ambalazhuar. Sipas të dhënave zyrtare dhe nga operatorët, në vend qarkullojnë mbi 50-60 marka vendase, pa përfshirë këtu importin.
Prodhuesit gjatë viteve të fundit kanë nxituar që të shtojnë larminë e produkteve në vend, që nga formatet e reja, siç janë ato me 2 litra, destinuar për konsum familjar, por edhe ujit me elementë shtesë. Uji “Tepelena”, që është edhe një nga subjektet më të mëdha të prodhimit të ujit të ambalazhuar ka lançuar dy produkte të reja, me ujë të pasuruar me vlera ushqimore, si dhe formate të reja të ujit mineral dhe atij të gazuar.
Impakt pozitiv këtij sektori i kanë dhënë padyshim eksportet, sidomos “zbulimi” i tregut kosovar. Gjatë vitit të kaluar, eksportet e ujit të ambalazhuar u rritën afro 54% krahasuar me 2010-n.
Kanë qenë pikërisht shitjet në tregjet e Kosovës, ato që kanë ndihmuar në rritjen e kësaj industrie në një kohë krize. Përmirësimi i infrastrukturës midis dy shteteve ka nxitur sipërmarrësit që të rrisin prezencën e tyre në shtetin me popullsi shqiptare. Kosova zë rreth 75% të totalit të eksporteve të ujit.
Qumështi, rritje e shpejtë
Një dinamikë tepër pozitive dhe të shpejtë ka pasur edhe industria e përpunimit të qumështit. Investimet në këtë sektor janë një zgjedhje e zgjuar për këdo sipërmarrës, sepse qumështi dhe nënproduktet e tij janë ushqime bazë dhe për më tepër ka ende shumë hapësira për të zëvendësuar importet.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, vitin e kaluar janë përpunuar rreth 94 mijë hektolitra qumësht. Që nga viti 2000, përpunimi i qumështit është trefishuar. Megjithëse ka rënie prej 8% krahasuar me një vit më parë, kjo sipas industrialistëve është pasojë rritjes së madhe që pësoi ai në 2010-n. Gjatë këtij viti, Ministria e Bujqësisë konfirmon se rritja ka vijuar dhe se ecuria është pozitive.
Modernizimi i fabrikave të përpunimit dhe agroindustrisë është një fenomen që ka mbizotëruar në sipërmarrjet e viteve të fundit. Shembujt e funksionimit të linjave moderne të përpunimit dhe prodhimit, që plotësojnë standardet, janë të shumtë në të gjithë vendin. Duke parë shtimin e kapacitetit prodhues, por dhe kërkesat e konsumatorëve, bizneset janë shkëputur tashmë nga mënyrat e vjetra të përpunimit.
Shqipëria ka një prodhim 1.1 milionë tonë qumësht, por ky prodhim ka ende sfida për të arritur te konsumatori, e cila lidhet me gjithë zinxhirin e përpunimit dhe tregtimit të tij. Sipas Ministrisë Bujqësisë, në pesë vitet e fundit pothuajse është dyfishuar numri i fabrikave të përpunimit të qumështit, ku kanë nisur aktivitet edhe stabilimente të mëdha.
Një nga investimet më të fundit ishte fabrika “Primalat”, ngritur nga investitori vendas, Sami Gjergji, e cila eksporton edhe në Kosovë. Kompanitë vendase janë fokusuar më së shumti në shitjet brenda tregut vendas, i cili ka ende hapësira, për shkak të importeve të mëdha.
Konservat e peshkut, eksporte të larta
Industria e përpunimit të peshkut po njeh një rritje pozitive të prodhimit dhe të eksporteve, duke sfiduar krizën brenda vendit, por edhe në shtetet e huaja.
Në Shqipëri numërohen sot më shumë se 20 ferma të akuakulturës me një prodhim vjetor më shumë se 2.4 mijë tonë në vit. Gjatë 10 viteve të fundit prodhimi dhe eksportet janë 3-4-fishuar.
Thuajse e gjithë sasia që përpunohet në vend, që janë kryesisht sardele dhe açuge eksportohet në tregjet e Bashkimit Europian. Shqipëria e importon lëndën e parë nga Kroacia, duke u favorizuar edhe nga afërsia gjeografike dhe e eksporton më pas, kryesisht në Itali. Ky shtet zë rreth 88% të eksporteve të konservave të peshkut.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimet e detit dhe ujërave të ëmbla po njohin rritje të përvitshme të përpunimit dhe eksportit. Kështu, koca, levreku, gjuzat, sardelet apo dhe bretkosat janë ndër prodhimet “made in Albania” që po kërkohen gjithnjë e më shumë si në tregjet vendase, ashtu dhe në ato të shteteve të Europës. Modernizimi i impianteve përpunuese dhe fermave të ujit ka bërë që prodhimet shqiptare të jenë konkurruese ndërkohë që shumë sipërmarrje kanë hapur edhe njësitë e veta tregtuese në qytete të ndryshme të vendit.
“Ky sektor do të jetë një nga potencialet më të mëdha, ku kemi përpunim të produkteve të detit, të bretkosave dhe peshkut të liqeneve. Shumë shpejt kjo lëndë e parë, peshku, midhjet dhe bretkosat do të sigurohen në sasi të mëdha nga tregu vendas, duke përmirësuar ekonominë dhe bilancin tregtar”, ka deklaruar ministri Genc Ruli.
Rritje edhe për miellin e përpunimin e mishit
Sektorë të tjerë interesantë që po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në tregun vendas, duke zëvendësuar produktet e importit, janë edhe sallamet e proshutat, mielli e vaji, që “për fat të keq” lëndën e parë e importojnë nga jashtë dhe nuk e marrin në vend, për shkak të niveleve të ulëta të prodhimit të saj në fermat shqiptare.
Industria e mishit në Shqipëri numëron mbi 50 ndërmarrje private të përpunimit, të cilat, me ritmet e investimeve të bëra vitet e fundit në teknologjinë e përpunimit arrijnë të furnizojnë mbi 95% të tregut me prodhime mishi dhe vetëm 5% sigurohet nga importi.
Pas vitit 1990, industria e mishit në Shqipëri vlerësohet si dega më e zhvilluar dhe më e organizuar e industrisë ushqimore. Nga të dhënat zyrtare të Shoqatës së Përpunuesve të Mishit në Shqipëri, prodhimi i sallameve në vitet 1985-1990 ka qenë rreth 2,100 tonë në vit ose 0,6 kilogram për frymë, ndërkohë që në 2011-n, prodhimi arriti në rreth 17 mijë tonë.
Sipas përpunuesve, lënda e parë e këtij sektori sigurohet nga importi dhe ajo zë mbi 65% të kostos së prodhimit. Prodhimi i mishit në vend është ende i ulët dhe nuk plotëson kërkesat e industrisë si sasi, cilësi dhe kosto. Ndaj dhe furnizimi i industrisë së mishit me lëndë të parë do të vazhdojë dhe për shumë kohë nga importi.
Eksporti është ende në hapat e parë. Megjithëse disa nga kompanitë shqiptare të prodhimit të sallameve dhe nënprodukteve të tjera të mishit, me investimet e kryera, arrijnë të plotësojnë kërkesat që duhen, për të pasur prodhime cilësore dhe sipas standardeve të KE-së, eksportet janë spontane dhe të paorganizuara. Aktualisht, po shihet me interes tregu kosovar, ndërkohë që po studiohet tregu maqedonas dhe ai kroat.
Edhe industria e miellit, që zë edhe peshën më të madhe në sektorin e agroindustrisë, ka vijuar të ketë rritje pozitive. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i miellit në 2011-n ishte rreth 465 mijë tonë, afro 7.5% më shumë se një vit më parë.
Industria karakterizohet gjithsesi nga një konkurrencë e fortë nga 2-3 kompanitë më të mëdha, që janë njëherësh edhe importuese të grurit dhe të misrit në vend, prandaj hyrja në këtë treg për një operator të ri është shumë e vështirë.
Gjatë vitit të kaluar, rritja e prodhimit ka ardhur për shkak të rritjes së shpejtë të eksporteve në Kosovë, që duket se është kthyer në destinacionin kryesor të shitjeve jashtë vendit për shumë produkte ushqimore vendase.
Në vitin 2011, eksportet e miellit u rritën me një shifër befasuese, rreth 19300% krahasuar me 2010-n.
Afro 90% e eksporteve kanë shkuar në Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.