Zhvillimi i njësive të agroturizmit në vendin tonë dhe pasioni për bujqësinë organike po rrit interesin për përdorimin e disa farave autoktone me origjinë qindra vjeçare.
Sokrat Jani profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i angazhuar për gati 40 vjet në studime dhe kërkime intensive për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike bimore autoktone tha se, zhvilli i agroturizmit po nxit përdorimin e farave të vjetra shqiptare. Ai tha se, Shqipëria për shkak të klimës dhe kushteve gjeografike ka bankën e farave dhe fidanëve autoktone më të pasurën në Rajon me rreth 4500 kultivarë.
Ai shpjegoi se vit pas vit po rritet numri i personave që interesohen të kenë në kopshtet e tyre individuale ose në fermat e tyre të agroturizmit kultivarët e vjetër autoktonë. Zhvillimi i tyre do të ishte një biznes në fitim në një kohë kur tregjet globale po orientohen gjithnjë e më shumë nga prodhime autoktone organike. Por nga ana tjetër shumë nga kultivarët po shkojnë drejt zhdukjes për shkak të braktisjes masive të zonave rurale.
Profesor Jani vitin e kaluar ka dokumentuar një seri kultivarësh autoktonë në Alpet e Veriut. Sipas tij alpet shqiptare janë unike, për shkak të kushteve të ndryshme mjedisore të shkaktuara nga pozicioni i tyre gjeografik dhe ekologjia malore, distancat mes fshatrave dhe autonomia kulturore e popullsisë që jeton atje.
Këto kritere, të kombinuara me një histori të pasur bujqësore dhe vazhdimësinë e traditës shtëpi-kopsht, e bëjnë atë një zonë me agrobiodiversitet të lartë. Vitin e kaluar u gjetën dhe dokumentuam 76 varietete vendase që janë ende në rritje.
Në shumicën e varieteteve tradicionale të mbledhura qe u rritën dhe u shërbyen nga kopshtarët, fasulet ishin më të shumtat dhe më pas kungujt, lakrat, domatet dhe specat.
Zakonisht vetëm 1-3 fermerë në një komunitet kanë ruajtur një numër të konsiderueshëm të tokave tradicionale dhe se shumë komunitete i kanë humbur ato.
Por, rënia e popullsisë që merret me veprimtari bujqësore në zonat rurale, për shkak të migrimit, e kombinuar me mungesën e vazhdimësisë kulturore në traditat e ruajtjes së farës kërcënon aftësinë e komuniteteve për të ruajtur agrobiodiversitetin.
Banka shqiptare gjenetike e farave dhe fidanëve disponon mijëra lloje shekullore, por kultivimi i tyre mund të ritestonte përshtatjen e tyre me kushtet e reja të klimës dhe përmirësimin e tyre në vazhdimësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.