Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj mori pjesë sot në konferencën “Sfidat e Zhvillimit Ekonomik”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Në konferencë u prezantuan po ashtu gjetjet e raportit AmCham Business Index dhe më pas pikat kryesore të raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2014”.
Ministri Ahmetaj mori pjesë në panelin e diskutimit mbi efektet e rezultateve të raportit Doing Bussines në ekonomi dhe mbi investimet e huaja, së bashku me znj. Elira Sakiqi, përfaqësuese e IFC në Tiranë, z. Genti Daci, zv.president i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe znj. Orenela Liperi, nga Revista Monitor.
Sipas Ministrit Ahmetaj konkluzionet e raporteve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Bankës Botërore, pavarësisht metodologjisë së përdorur, reflektojnë të njëjtën të vërtetën kokëforte, të cilën qeveria po përpiqet ta ndryshojë. Në këtë drejtim, ministri i Zhvillimit Ekonomik renditi masat e ndërmarra nga qeveria për të ndryshuar situatën ekonomike, si pagesa e borxheve ndaj biznesit, rimbursimi automatik i TVSH-së, krijimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili ka reflektuar në nismat e qeverisë shumë prej elementëve të propozuar nga biznesi, etj. Duke u ndalur te pagesa e borxheve të prapambetura ndaj biznesit, Ministri Ahmetaj tha se nga 726 milionë dollarë detyrime deri më tani janë paguar gati 200 milionë dollarë. Një masë e tillë, sipas Ministrit, reflekton së pari në klimën e biznesit dhe ka ndryshuar frymën te sipërmarrja. “Po të lexojmë se çfarë thotë me të drejtë raporti, perspektiva e vitit 2014 është e favorshme. Janë mbi 55 për qind e të anketuarve që e konsiderojnë vitin 2014 neutral, të favorshëm ose shumë të favorshëm. “Kjo konvertohet në atë që thotë Banka e Shqipërisë, që besimi i sipërmarrjes te qeveria dhe te ekonomia e Shqipërisë është rritur, në bazë të indikatorëve që ata përdorin, 13.3 për qind”, tha Ahmetaj.
Ministri Arben Ahmetaj vuri theksin në rimbursimin automatik të TVSH, gjë që më parë nuk kishte ndodhur dhe ç’ka kishte krijuar më shumë se 200 milionë euro detyrime të parimbursuara ndaj sipërmarrjes. “Ne kemi një politikë të drejtpërdrejtë të tatimeve dhe të doganave. Ajo që ka ndodhur me rritjen ekonomike është konkluzion i diçkaje që është bërë keq. Është rritja më e ulët në këto 22 vite, përveç 1997 që ishte -12. Rritja ekonomike është 0.44 për qind. Për problemet që ka dhe do të ketë administrimi fiskal ne i themi administratorëve fiskalë që qëllimi nuk është të kapin biznesin me gjobë, po qëllimi është që vizita e parë fiskale të jetë vizitë korrektive, ta ndihmojë biznesin të korrektojë situatën, që të mos ketë probleme me ligjin”, theksoi Ahmetaj.
Duke iu referuar raportit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ministri Ahmetaj theksoi faktin se indeksi i perceptimit të këtij raporti është pozitiv, që do të thotë se perceptimi i biznesit dhe sipërmarrjes për vitin 2014 është pozitiv. Sipas Ministrit, përmirësimi i klimës së biznesit është një nga prioritetet e qeverisë dhe kjo po shoqërohet me një sërë politikash specifike për lehtësimin e të bërit biznes në Shqipëri.
Qeveria, tha Ahmetaj, ka vullnet të padiskutueshëm për të ndryshuar situatën ekonomike dhe ka ndërtuar një platformë ekonomike me biznesin, Këshillin Ekonomik Kombëtar, i cili diskuton strategjitë ekonomike dhe problemet e bizneseve, ku Dhoma Amerikane e Tregtisë është pjesë e përhershme e tij. Ministri theksoi se shumë prej elementëve që biznesi sjell në diskutimet e Këshillit Ekonomik Kombëtar reflektohen në nismat e qeverisë, si në Kodin e ri Doganor apo dhe në ligjin “Për tatimin e vlerës së shtuar”.
“Në dialogun që ne kemi me sipërmarrjen shumë prej elementëve që ata sjellin në atë platformë menjëherë reflektohen. Shikoni me kujdes Kodin e ri Doganor. Ka reflektim të drejtpërdrejtë nga elementë që sjell sipërmarrja. Shikoni ligjin “Për tatimin e vlerës së shtuar”. Ka reflektuar dhjetra elementë të biznesit dhe është futur në procedurë konsulence me ju, me sipërmarrjen, dhe vetëm 1 janar do hyjë në fuqi. Janë elementë të rëndësishëm dhe që do të përmirësojnë shumë procedurat”, theksoi Ministri.
Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Ahmetaj shprehu falënderimet e veçanta për IFC, me të cilën ministria ka një platformë të posaçme për përmirësimin e indikatorëve të raportit Doing Business të Bankës Botërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.